E Diel, 1 Nëntor 2026

“Qytetarët të pajisen me kartë identiteti”

 

OSBE angazhohet publikisht në fushatën e qeverisë për pajisjen e qytetarëve me kartat e reja të identitetit. Ambasadori Robert Bosch bëri thirrje dje që të gjithë qytetarët që nuk kanë pasaporta për jashtë shtetit, të bëjnë aplikimin për të mundësuar  pjesëmarrjen në zgjedhjet e 28 qershorit. Zv.ministri i Brendshëm, Ferdinand Poni, së bashku me Ambasadorin e OSBE në Tiranë, Robert Bosch, zhvilluan një vizitë në Njësinë Bashkiake nr.7 në Tiranë për të vëzhguar nga afër ecurinë e procesit të aplikimit të qytetarëve për letërnjoftime elektronike. Ambasadori Bosch pasi ndoqi procedurën e aplikimit të një qytetareje, bëri thirrje për sensibilizim të qytetarëve. “Ne si OSBE jemi të interesuar për të pasur zgjedhje të lira e të mira, e për këtë arsye jemi të interesuar gjithashtu që njerëzit të vijnë sa më shpejt të jetë e mundur për t’u pajisur me karta identiteti. Të gjithë qytetarët, duhet të vijnë në zyrat e aplikimit sa më shpejt që të jetë e mundur, për të përmbushur detyrat e tyre si qytetarë të këtij vendi, sepse të votuarit është ende një detyrë e një qytetari të një vendi demokratik”,- u shpreh ambasadori Bosch. Nga ana e tij zv.ministri Poni i shpjegoi ambasadorit Bosch mënyrën e aplikimit dhe e informoi atë se në zyrat e aplikimit punohet deri në orën 21:00 të mbrëmjes. Duke theksuar se tashmë procesi është në një fazë të konsoliduar, zv.ministri Poni u shpreh se është i domosdoshëm interesimi maksimal i qytetarëve, të cilëve u bëri thirrje të shkojnë për të aplikuar, pasi ekzistojnë të gjitha kapacitetet e nevojshme për aplikim dhe koha për të aplikuar është mjaft e shkurtër. “Deri në datën 15 mars, procesi do të shtrihet edhe tek të gjitha komunat me popullsi mbi 5 mijë banorë e më tej do të vijojë edhe në komunat më të vogla”, tha zv.ministri Poni.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›