E Hënë, 2 Nëntor 2026

Si doli pornografia mes te rriturve, nga rregjistri i veprave penale

Autori i Lajmit: Denisa Kona
Pornografia nuk përbën më një vepër penale, përveçse në rastin kur materialet pornografike shpërndahen në mjedise ku ka fëmijë, si shkollat, shtëpitë e fëmijës (rezidencat) dhe institucione të tjera të destinuara për këto mosha. Që pornografia është tashmë “e ligjëruar”, këtë e dëshmon edhe qarkullimi i lirshëm i materialeve pornografike, shitja e videove, revistave porno, apo programeve televizive sidomos në orët e vona të mbrëmjes, ndonëse ndaj këtyre pamjeve nuk janë aspak të mbrojtur fëmijët (duke ua lënë përgjegjësinë për mbrojtjen e tyre vetëm prindërve), kur fotot porno mund të shihen lirshëm në kopertinat e revistave që afishohen rrugëve. Ka mbetur vetëm që këto kopertina të vogla, të bëhen postera (!) Neni 117 i Kodit Penal të vitit 95 i cili bën fjalë pikërisht për pornografinë, parashikon si kundravajtje penale prodhimin, shpërndarjen, reklamimin, importimin, shitjen e botimit të materialeve pornografike në ambientet e të miturve. Pikërisht ky togfjalësh i fundit i ndërkallur në ligj, bën dallimin esencial midis ligjit të vitit 95 me ligjin e 52-shit, ku ky i fundit e konsideron në të gjitha rrethanat vepër penale pornografinë. Ndryshime ka edhe në masën e ndëshkimit. Në sistemin socialist, shpërndarja e materialeve pornografike edhe midis të rriturve dënohej me heqje të lirisë deri në tre vjet, kurse në këtë sistem, ky veprim ndëshkohet vetëm kur materialet u serviren të vegjëlve dhe përsëri, më pak; maksimumi dy vjet. Të thuash se dëmi që i shkakton fëmijëve ekspozimi ndaj të tilla materialeve është i vogël, do të ishte një ironi e hidhur. Por... masa e ulët e ndëshkimit të një vepre të tillë të turpshme është në sinkron me tolerimin e një numri aktivitetesh, të cilat kanë brenda elementë pornografikë (qofshin edhe krijime muzikore ). Nga ana tjetër, zbutja e ligjit në këtë pikë, ka ndodhur në kundërpeshë me ndjeshmërinë e pjesës më të madhe të publikut, që e dënon rëndë rrezikun e servirjes së materialeve pornografike ndaj të vegjëlve, pa përjashtuar faktin, se si çdo lloj informacioni që serviret, ai lë gjurmën e tij edhe në moshat e reja e të rritura dhe mund të krijojnë probleme në disa rrafshe (për të cilat mund të ndërmarrin një studim të thelluar, specialistët). Të thuash se pornografia nuk lë asnjë gjurmë mbi ndërgjegjen e të rriturve, kur edhe shkalla e ndërgjegjësimit të tyre nuk është e njëjtë), është njësoj si të thuash se ata , pra të rriturit janë kaq të fortë sa të mos krijojnë varësi edhe ndaj internetit, bixhozit, e veseve të tjera, kur njihet se çdo përsëritje është një lloj manie, fiksasioni. Shumë njerëz mendojnë, se përhapja apo prodhimi i materialeve pornografike duhet të dënoheshin shumë rëndë, nëse atakojnë fëmijët, dhe më lehtë (por jo pa dënim) nëse serviren vetëm për të rriturit.

Sipas Kodit Penal të vitit 52

Neni 288
Pornografija
Prodhimi, shpërndarja dhe reklamimi i veprave, botimeve, figurave ose e sendeve të tjera pornografike si dhe tregtia e tyre ose mbajtja e tyre me qëllim shitjeje ose shpërndarjeje, dënohen: me heqje të lirisë gjer në tre vjet dhe me konfiskimin e këtyre sendeve dhe të mjeteve, që kanë shërbyer për prodhimin e tyre.

Sipas Kodit Penal të vitit 95
Neni 117
Pornografia
Prodhimi, shpërndarja, reklamimi, importimi, shitja e botimi i materialeve pornografike në ambientet e të miturve, përbëjnë kundërvajtje penale dhe dënohen me gjobë ose me burgim gjer në dy vjet.

Ky lajm është publikuar: 05/06/2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›