Kur do t’i dalë boja tërësisht Edi Ramës?
Deri tani është bërë i pabesueshëm nga PD-ja. Brenda radhëve ka dalë joluajal dhe manipulues. Pjesa dërmuese e popullit të Tiranës nuk i besoi për ta rimandatuar si kryetar bashkie. Komisioni i Venecies e nxori blof në fantazitë e tij se duhen vlerësuar kauçukët (kutitë), jo vullneti i popullit. Kredibiliteti i Edvinit është në bjerrje të vazhdueshme, të gjithanshme. Demagogjisë i është bërë boja ujë. E ka zënë shiu. Më saktësisht: rrebeshi.
Lëvizjen për Mendimin Ndryshe, brenda radhëve, E.Rama e mposhti me grusht të hekurt. Por paska qenë një fitore si ajo që quhet “Fitorja e Pirros”. Ajo LMN pati meritën, veç të tjerave, që ulërimat për transparencë, e zbuluan si hipokrit. Se është personifikimi i mungesës së transparencës. Nuk duhen lënë të harrohen sesi janë bërë mbledhjet e gjuetisë së shtrigave në salla obskurantiste, jo vetëm ndaj keqtrajtimit të gazetarëve, por edhe ndaj thyerjes së kamerave, kur kameramanët mëtonin të ishin pjesëmarrës në punimet brenda sallës. Me një agresivitet të pashoq u nxorën jashtë korridoreve njerëz të pacertifikuar, - sipas tij. Domethënë nuk u gjetën as gezarë, as kameramanë të besueshëm për të. Duheshin lënë jashtë përfaqësuesit e opinionit publik. Duhej mbajtur e bunkerizuar e vërteta për pakënaqësitë që shpërthenin kundër Edi Ramës. Pastaj, pas mbarimit “të suksesshëm” të mbledhjes, duheshin dëmtuar edhe timpanët e veshëve të dëgjuesve të emisioneve të Ramës, për idolatrinë e Transparencës, që duhej nënkuptuar si Obskurantizëm. Antonimet duhej të ishin të njëvlefshme me Sinonimet! Kështu kishte bërë emër ky mujshar. Nëse kjo fjala e fundit nuk kuptohet gjerësisht, po përdorim fjalën e huaj, “prepotent”, për skenarët që t’i bënte trysni Kastriot Islamit. Individë sherrxhinj, si ata që rekrutoheshin me pare në dorë nga sindikalistit apartiak (!) F. Xibri , për llogari të kryetarit të PS-së, prishnin qetësinë e zonës ku banonte K. Islami, për t’i bërë këtij të fundit presion psikologjik. Nuk dihet, këtë herë, nëse pagesat u bënë me bordero. Por dihet mirë se K. Islami është me integritet në dinjitetin e tij dhe me bindje të sinqerta europeiste dhe jo nga ata me dy mendje, si Edvini, për të bllokuar për herë të tretë pjesëmarrjen e Shqepërisë në familjen evropiane. Në ngjaftë sërish një gjëmë e tillë, afërsisht 90 % e shqiptarëve, me frymëzim për të hyrë në komunitetin evropian, do t’ia kenë vath në vesh këtë pabesí, që do të paguhet shumë shtrenjtë në zgjedhjet e vitit 1913. Paçka se, si një pllakë gramafoni e krisur, ai do të orvatet të fajësojë të tjerët...
Tani së fundi, para një jave, deputeti i PS-së, Ilir Gjoni, e ka ngritur zërin publikisht për të thënë se në njësinë bashkiake Nr. 3 në Tiranë, kryetari i kësaj njësie u vendos jo me votë, por me “komandim nga lart”. Këto emërime të telekomanduara ngjanë edhe në Sarandë, në organizatën e gruas, në atë të rinisë dhe në forume të tjera. Deputeti Gjoni i quajti, këto veprime, arbitrare e jokolegjiale, duke bërë vërejtje edhe për veprimet në Asamblenë e Partisë Socialiste. Ai i quajti këto edhé “tendenca të përqendrimit të pushtetit”. Megjithëse po zgjohen reagime të brendshme ndaj kryetarit, përsëri mund të vërehen simptoma druajtjeje, si në shembullin konkret, duke cituar përsëri deputetin Gjoni: “Është fakt që pati bllokim të valëve të telefonisë, por unë nuk jam në gjendje të them se kush “e kreu” një veprim të tillë (?) që është i jashtëligjshem dhe që duhet të jetë objekt i punës së organeve kompetente”. Në të vërtetë të gjithë e dinë kush “e kreu”. Sidoqoftë ishte pikërisht ky deputet që iu përvesh kryetarit: “Nëse né jemi kooperativistë, ti je kryetari i kooperativistëve!”, Do të thoshim jo vetëm kryetari i kooperativistëve, por edhe kryetari i mashtrimit zgjedhor të përbrendshëm!
***
Si nuk u soll, së paku njëherë, bashkëveprues me qeverisjen ky njeri? A gjendet, qoftë edhe një e vetme, ndonjë opozitë në komunitetin evropian, që të jetë nihiliste gjer në shkallën sipërore, siç vepron Rama si kryesues i opozitës? Nuk bëhet opozitë me goma të djegura – i kanë thënë troç mjaft nga socialistët pranë ish- LMN-së. Por ai dëgjon vetëm një person: Vetveten! Në “Kurbanin” e tij të hallakatur gjenden fraza të tilla që vënë një vijë lidhëse ndërmjet shpritit të tij të lirë dhe anarkizmit. Kësisoj, në harmoni me nonsense të tilla, na del një partiak i “Ligjshmërisë” dhe na kërkon edhe 13.000 viktima, mjafton që të merret pushteti me anë të veprimeve që bien ndesh me ligjin dhe që, për pasojë, sjellin flijime jetësh njerëzore. Që në kohën e Prudonit e këtej, shtetet ligjore demokratike kanë në themel të tyre votat, jo veprimet politike anarkiste të rrugëve. Kemi, këtu, një duet anarkistësh që bëjnë subversion, rrezikojnë shtetin ligjor dhe mundohen që përgjegjësinë t’ua ngarkojnë të tjerëve. Kur shohin se kocka demokratike nuk është kaq lehtësisht e thyeshme, mbetet ai shfajësimi banal i marrjes së pushtetit me votën e lirë, por... “na i vodhën votat”! Këtë refren e përdori edhe S. Ngjela ndaj E. Ramës, për ballafaqimin për bashkinë e Tiranës. “M’i vodhi votat” - tha. Por atëherë përse bën aleancë me vjedhësh votash? Kundërthëniet në atë stan nuk kanë të mbaruar. Kjo është një pjesë e fizionomisë së opozitës së sotme .
Më e keqja është se në vigjilje të vakive të mëdha, futet në valle edhe provokimi.
Njëri është ai i 21 janarit të vitit të kaluar, në vigjilje të zgjedhjeve për bashkinë e Tiranës. Tjetri është ai i “grevës” tronditëse për nga skenari gjasme i ish-të përndjekurve politikë që duheshin përplasur kundër qeverisë demokratike dhe kundër PD-së. Në këtë skenar PS-ja, që s’ka dhënë asnjë dhjeç për ish-të përndjekurit politikë, përveç urrejtjes, na u dashka të paraqitet “njerëzore”; ndërsa ata që kanë bërë ç’kanë mundur për këtë shtresë fatkëqijsh, të njollosen se nuk kanë bërë aq sa do të dëshironin padronët që organizuan atë spektakël mortor. Ish-i përndjekuri politik Reshat Kripa, titullar në Shoqatën Qendrore, tha, me të drejtë, se disa nga ata të ngujuarit nuk janë fare në organizatat e ish-të përndjekurve politikë. Tanush Kaso, një kryetar i një shoqate ish-të përndjekurish, i denoncoi edhe ai të individët e ngujuar, që janë shpërblyer më shumë se të tjerët dhe janë marrë me punëra jo të paqme. Nga ana tjetër Shioqatat e Shkodrës, Korçës, Pogradecit, Tropojës, e Shoqata të tjera kanë bërë pyetjen: Kë përfaqësojnë këta? Përgjigjja është e nënkuptuar: Kryetarin e skenarit të parapërgatitur: Edi Ramën. Që greva është “ekonomike” besohet vetëm nga naivët.