E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kur dy arte bashkohen

Atëherë kur ne donim rolet dhe personazhet e tija të luajtur në skena të ndryshme të rajonit dhe kur besonim se kishte braktisur fare artin pamor, më 28 qershor, kur Sylejman Lokaj, festonte 77 vjetorin e lindjes, kishte vendosur që në Galerinë Expoart. 40 të ekspozojë punimet e tija të punuara ndër vite.

“Shkrimtari i njohur Italian Alberto Moravia thotë se njeriu i ka shumë dyer të fatit dhe të suksesit, por ndodh që gjatë jetës së tij të mos e hap asnjërën sosh. Mirëpo ka të tjerë që i hapin dy përnjëherë, siç është Sulejman Lokaj, të cilit i buzëqeshi fati dhe ia hapi dyert magjike të pikturës dhe atë të tempullit të Talisë”, ka thënë me këtë rast Mustafa Ferizi.
Në këtë ekspozitë, në punimet e Lokajt frekuentojmë një botë portretesh, na shfaqen shumë kompozicione grafike, shumë figura akuarelistike, me sekuenca e motive nga Kosova dhe Shqipëria.

Sipas Ferizit, kjo ekspozitë e Sulejman Lokës dëshmon se që nga vitet e para të viteve të pesëdhjeta të shekullit tashmë të ikur, e deri sot, Lokaj nuk e kishte flakur për asnjë çast penën as penelin, ngjyrën as pikturën.

I lindur me 1933, në fshatin e vjetër Lëbushë midis Strellcit dhe Deçanit, Sulejman Lokaj pas mësimit fillor vazhdon dhe e kryen në Shkollën e Mesme të Arteve Aplikative në Pejë, me 1955. Ai i takon gjeneratës së parë të kësaj shkolle që atëbotë konsiderohej ndër më të suksesshmet në mbarë vendin. Më pas, në Prishtinë e përfundoi Shkollën e Lartë Pedagogjike – Dega e pikturës, dhe si mësimdhënës i artit figurativ, punoi afër një dekadë, gjatë së cilës u mor edhe me aktrim.

Arti i pikturës nuk i mjaftonte, prandaj u lëshua në ujërat e panjohura të artit dramatik, i bindur se do të ia dalë – dhe ia doli. Kështu, me 1964 u inkuadrua në Teatrin (profesionist) të Kombësive në Shkup, ku qëndroi 12 vjet, kohë kjo gjatë së cilës aktroi mbi 60 role teatrore dhe role të tjera filmi, televizive dhe radio role. Së këndejmi, me themelimin e Teatrit Profesionist në Gjakovë, në vitin 1976, Sulejman Lokaj kaloi në këtë Teatër, ku, deri sa u pensionua më 1991, i interpretoi mbi 40 role.

“Kjo dëshmon se kemi të bëjmë me një qenie krijuese tejet sublime, me një artist të mirëfilltë, i cili dekada me radhë frymoi dhe frymon midis dy arteve, midis dy dashurive të pasionit – midis artit pamor dhe atij skenik”, tha Ferizi.

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›