Një universitet publik edhe për Gjakovën
Mirë u bë që qeveria më në fund vendosi që Prizreni ta ketë Universitetin e vetë publik, në fakt një vendim ky i marrë dy vjet më parë nga Ministria e Arsimit, gjatë qeverisë Çeku. Por, gjakovarët dhe Dega e LDK-së në këtë qytet nuk kanë se si të mos ndjehen të indinjuar që fakultetet aktuale këtu të mos e fitojnë statusin e Universitetit, pasi ato ekzistojnë tashmë disa dekada, status që e kishin edhe ato të Prizrenit. Një model i krijimit të universiteteve të tilla, si tashmë ky i Pejës, gjendet edhe në traditën universitare në Shqipëri. A nuk kanë thuaja të gjitha qytetet kryesore të saj universitete, si Shkodra e Korça, por edhe Vlora, qytet me traditë më të pakët intelektuale se dy të parat. Në këtë kontekst edhe Gjakova, sikurse Prizreni kanë formuar dy shtylla të rëndësishme karshi Prishtinës, bile historikisht edhe para kësaj, sa i përket organizimit kulturor dhe politik.
Nuk është një çështje që unë e ripërsëris se Gjakova duhet të ketë Universitet, por është nevojë për t’i dhënë vendit një zhvillim më të hovshëm, në arsim dhe kulturë. UP-ja, po dëshmon se tanimë është e stërngarkuar me konkurrencë dhe me mungesë hapësire universitare, për të plotësuar standardet e Bolonjës në arsim, të cilat Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, përkatësisht qeveria e Kosovës, i ka marrë përsipër t’i përmbushë. Dhe në situatën aktuale është larg këtij standardi, jo për faj të qeverisë, por për pasojë të kushteve të rënda që e kanë ndjekur arsimin shqip, nga afër dhjetë vjet të kaluara jashtë objekteve universitare dhe tashmë 10 vjet transicion, nga të cilat rrethana ende nuk po këndellemi.
Në këtë kontekst, vetëm sa do të lehtësonte barrën e Universitetit të Prishtinës, krijimi i Universitetit të Gjakovës. Thirrjet se ndoshta Gjakova nuk ka kuadro të saj të mjaftueshme, tashmë janë të pakuptimta në rrethanat e reja të komunikimit, të krijuara nëpërmjet internetit, por ajo çka është më e rëndësishmja, është shkurtuar rruga fizike me Shqipërinë, tek universitetet e së cilës duhet të drejtohet domosdoshmërish edhe UP-ja, për të mos vazhduar me mbyllje të përkohshme degësh dhe me vazhdimin e mbajtjes së studimeve në degë, në të cilat nuk ka kuadro të mjaftueshme. Pra, me ndërtimin e autostradës Durrës – Morinë, dhe të projektit tjetër të Berishës, Shkodër qafë e Morinës, me gjatësi prej 34 km, Gjakova do ta ketë më afër Shkodrën se Prishtinën, ndërsa Tirana nuk do të jetë më larg se tri orë me përfundimin e autostradës për Tiranë.
Pra, duke llogaritur në rrethanat e reja, të cilat u heqin nga dora argumentete të gjithë kundërshtarëve, dhe duke llogaritur në argumentet tona, se Gjakova ka plot e përplot kuadro të veta jo vetëm në fakultetet ekzistuese, por edhe në Universitetin e Prishtinës, e bile edhe të Prizrenit, nuk shoh asnjë arsye, që fillimisht Ministri i Arsimit Enver Hoxha dhe më tej, qeveria Thaçi të marrë të njëjtin vendim, që e mori paksa me vonesë për krijimin e Universitetit të Prizrenit.