Kur fatet i pengon shteti
Vajzat shqiptare nën tutelën e internimit, ku me brishtësinë e tyre janë ato që kanë absorbuar më shumë këtë brengë diktatoriale. Kështu e cilëson shkrimtari i madh Ismail Kadare këtë dukuri, të përshkruar tashmë edhe në librin e tij “E penguara”. Mbrëmë, në mjediset e Universitetit Evropian është promovuar ky libër bashkë me një kolanë të të gjitha veprave të tij. Vetë autori, Kadare, ishte i pranishëm mbrëmë në një konferencë për shtyp, në prani edhe të shumë intelektualëve. Shkrimtari i njohur ka përcjellë ndjeshmërinë që ka përjetuar në krijimin e kësaj vepre, duke rrëfyer po ashtu edhe interesin që ka pasur për trajtimin e këtij aspekti shoqëror, internimin e femrës.
“Libri “E penguara” flet për një pengesë ose më mirë për një njeri të penguar. Zakonisht, në traditën e letërsisë botërore, pengesën e krijon fati. Në këtë rast është përshkruar një pengesë e një tipi të ri, më të vonshëm se fati, pra pengesa e shtetit. Vepra i kushtohet vajzave shqiptare që kanë qenë dhe kanë pësuar internimin. Në promovimin e kolanës së tërësisë së veprave të shkrimtarit Ismail Kadare kanë shprehur vlerësimet e tyre personalitet të cilët kanë kontribuar në forma të ndryshme në këtë realizim. Kështu, kritiku Mark Marku, i cili ka shkruar edhe parathënien e kolanës së veprave në fjalë, e përcakton kulmin e veprimtarisë së shkrimtarit të madh, duke u shprehur: “Ai është në kulmin e fuqive krijuese. Vjet ka pasur një nga romanet më të mira të krijimtarisë së tij. Po ashtu edhe këtë vit ka pasur një nga veprat më të mira të krijimtarisë së tij. Jemi në momentin e një bilanci përfundimtar dhe mendoj se kjo është domethënëse dhe shumë e veçantë”. Ndërkohë që vetë Kadare e kundërshton këtë fakt, duke thënë: “Unë nuk besoj se jam në kulmin e krijimtarisë, pavarësisht se kjo thuhet për t’i bërë qejfin një shkrimtari. Të jem realist, nuk jam në kulmin e krijimtarisë”. Nga ana tjetër, botuesi i veprave të Kadaresë, pranë shtëpisë botuese “Onufri”, Bujar Hudhri, e shikon këtë event si një festë për kulturën shqiptare. Që prej 15 vjetësh ai bashkëpunon me shkrimtarin e njohur ndërkombëtar Kadare e për këtë ai tha: “Është një gëzim shumë i veçantë për mua, pasi ky është një tregues i veprimtarisë sime prej 15 vjetësh”. Sipas tij, kjo vepër e sapopromovuar ka koinciduar në një muaj (nëntor) ku spikasin një sërë ngjarjesh të rëndësishme kulturore. “Një moment të rëndësishëm të kulturës sonë shqiptare është që më 8 nëntor 1462 është shkruar fraza e parë e gjuhës shqipe, një dokument që peshkopi i Durrësit Pal Engjëlli e qarkonte. Që nga ajo datë, vepra e Kadaresë dëshmon dy gjëra të rëndësishme, e para kurrë gjuha shqipe nuk ka qenë aq e përkryer sa në atë vepër dhe kurrë letërsia shqipe nëpërmjet I. Kadare, i cili ka arritur majat e kulturës botërore po mbështete pikërisht me atë gjuhë, shqipen”.
I prekur nga dhimbjet e vajzave shqiptare
Në pamje të parë, ky libër mund të duket si një roman, ku, veç të tjerash, flitet për nostalgjinë e Tiranës. Kafe “Flora”, kryqëzimet e rrugëve rreth sheshit “Skënderbej”, kopshtet e Akademisë, në ish-Pallatin Mbretëror, gjethet e rëna në parkun përballë hotel “Dajtit”. Kjo nostalgji epokash të përziera për kryeqytetin e vendit merr një ngjyrim të skajshëm dramatik kur jepet nëpërmjet vizionit të një vajze që e ka të ndaluar të shkelë në kryeqytet. Kjo është “e penguara”, vajza tetëmbëdhjetëvjeçare, e cila, ashtu si personazhet antike që ngrihen kundër fatit, përpiqet të kapërcejë pengesën e shtetit. I pyetur gjatë konferencës për mediat shkrimtari i kësaj vepre, tregon arsyen e zgjedhjes së kësaj tematike, për të zgjeruar në librin “E penguara”. “Kam zgjedhur vajzat e internuara duke u nisur gjithmonë nga një ndjeshmëri që kam pasur ndaj të gjithë popullit shqiptar, i cili ka pësuar brenga të ndryshme. Por veçanërisht më kanë prekur shumë herë në jetën time brengat e vajzave shqiptare”, - shprehet Kadare duke e mbështetur këtë argument edhe me një tjetër botim që ngjason me të njëjtat ndjeshmëri. Në këtë rast, është fjala për librin “Mësueset e fshatit”, shkruar rreth 30 vjet më parë. Gjithashtu, Kadare vijon arsyetimin e tij duke treguar se “nga udhëtimet e mia në Shqipëri kam vënë re që vajzat shqiptare në mënyrë të veçantë kanë thithur një pjesë të brengës shqiptare që kanë përballuar, kur në një tragjedi të tillë siç është internimi ato kanë pasur për pjesë një prej fateve më të hidhura të kombit tonë”. Libri është një fiksion, një vepër letrare.
Lexuesit e rinj
Nuk ka rëndësi nëse është lexues shqiptar apo i huaj, pasi çdonjëri prej tyre zë një vend të caktuar në veprimtarinë e Kadaresë. Sipas tij, lexuesi shqiptar zë një vend të veçantë, pavarësisht se veprat e tij shfletohen nga dhjetëra vende të botës. Kështu, shkrimtari pohon duke thënë: “Aty ku së pari ka lindur vepra ime që në mënyrë të pashmangshme e natyrisht lexuesi shqiptar zë vendin bazik në morinë e lexuesve botëror. Kjo nuk do të thotë se me patjetër ai është më i rëndësishmi, por gjithmonë do të jetë më i veçanti, edhe pse mund të jetë më i vogël në numër apo më pak i rëndësishëm se të tjerët”. Në këtë roman të fundit, dallohet kthjelltësia dhe stili luksoz, që të kujtojnë bukurinë diamantine, që kontraston shpesh me tragjedinë. Ndërsa kolona e të gjitha veprave, sipas tij, është një projekt për film ose për t’i shërbyer një pamje tjetër të artit.