Kthimi i pronave, një mijë dosje do të shqyrtohen brenda vitit në Durrës
Rreth 1000 dosje në Agjencinë e Kthimit dhe Kompensimit të Pronave në Durrës presin vendimin mbi pronat e qytetarëve, por AKKP-ja po përjeton përgatitjet e strukturës, e cila po merret me zgjatjen e mandatit edhe për disa muaj. Tashmë pritet VKM-ja, ndërkohë që dosjeve në AKKP u janë shtuar edhe dosjet e kthyera nga Tirana për plotësime të nevojshme që gjithashtu presin verdiktin e agjencisë.
Zyrtarët e AKKP-së shprehen se “çdo ditë qytetarët të cilët presin përgjigje për kthimin e pronave të tyre, paraqiten në sportelet e kësaj agjencie, por atje marrin të njëjtën përgjigje, pasi ende nuk ka ardhur asnjë udhëzim për mënyrën se si do të funksionojë dega e Durrësit”.
Punonjësit e agjencisë thonë se janë të gatshëm të mblidhen e të marrin vendime lidhur me dosjet e aplikuesve, por nuk ka asnjë vendim nga dikasteri që të ligjërojë aktivitetin e tyre, megjithatë mësohet se ka të ngjarë që dega e Durrësit të mbyllet në fund të vitit dhe dosjet të transferohen në Tiranë për t’iu nënshtruar aktit të fundit atij të vendimmarrjes.
Nuk përjashtohet mundësia që afati i funksionimit të degës mund të zgjatet edhe disa muaj derisa të marrë fund shqyrtimi i dosjeve në proces. Ata që e ndiejnë më tepër mungesën e funksionimit të agjencisë janë banorët e Durrësit, të cilët janë munduar me muaj të tërë derisa ia kanë dalë që të plotësojnë me dokumentet e nevojshme dosjet e aplikimeve.
Në AKKP-në Durrës janë mbi 1000 dosje të stivuara, të cilat presin vendimet e Agjencisë të Kthimit e Kompensimit të Pronave. Janë gjithashtu mbi 100 dosje të tjera të cilat janë kthyer nga Tirana për plotësime të nevojshme të cilat presin gjithashtu vendimin e anëtarëve të agjencisë.
Në AKKP shprehen se presin nga Tirana udhëzime apo ndonjë vendim për mënyrën se si do të funksionojnë, pasi që në qershor ata janë të ngrirë për shkak se mandati u ka skaduar. Është e pakuptueshme se si punonjësit e agjencisë në Durrës vazhdojnë të paguhen me rrogë mujore dhe në të njëjtën kohë nuk kanë të drejtë të marrin vendime lidhur me kërkesat e banorëve të Durrësit për pronat e tyre.
Vetë ata shprehen se “pjesa më e madhe e dosjeve janë të kopsitura dhe vërtetojnë pronësinë mbi tokën të qindra banorëve të Durrësit pritet vetëm një “OK” nga dikasteri dhe brenda disa muajve ky proces mund të mbyllej”.
25 milionë dollarë për ujërat e zeza në bregdetin e Durrësit
Ujërat e zeza mbetet problemi më i madh i zonave bregdetare në gjithë gjatësinë gjeografike të qarkut Durrës. Sipas specialistëve të fushës, vetëm vendosja e filtrave dhe investimi në krejt infrastrukturën e tyre, mbetet mundësia e vetme e rehabilitimit dhe sistemimit të tyre. Studimet e muajve të fundit kanë nxjerrë rezultate të cilat thonë se ngarkesa mikrobiologjike në zonat bregdetare nga ndotja e shkaktuar nga ujërat e zeza arrin në 7 herë më e lartë se normat e lejuara nga vendet evropiane, por edhe fatura financiare e pastrimit të ujërave të zeza që derdhen në detin Adriatik nga kolektorët e Durrësit dhe dy qyteteve kryesore që lagen nga ky det, është llogaritur në vlera shumë të larta, që kapin shifrën e 25 milionë dollarëve. Specialistët mendojnë se duhen më shumë se 25 milionë dollarë dhe se pjesa më e madhe e kësaj fature duhet të kalojë në Durrës për shkak të gjerësisë dhe gjatësisë së vijës bregdetare të frekuentuar nga pushues. Në Durrës sot shfrytëzohet vetëm 12.5 km vijë bregdetare, kurse pjesa më e madhe nëse do të ketë infrastrukturë dhe do të përdoret teknologjia e kohës, mund të shfrytëzohet nga kufiri me Kavajën në një gjatësi prej 60 km. Specialistët mendojnë se vendosja e filtrave në tubat e shkarkimit të ujërave të zeza mund të jetë rruga e vetme për certifikimin e pastërtisë nga ndotja. Impiante të pastrimit të ujërave të zeza pritet të vihen në punë në Durrës e në Kavajë dhe se në një periudhë të afërt do të fillojë ndërtimi i impiantit për këtë qëllim edhe në Vlorë. Ujërat bregdetare do të mbrohen nga ndotja e shkarkimeve të lëngëta urbane dhe fekalet nga politikat afatgjata të qeverisë shqiptare, e cila në Durrës tri vite më parë ka financuar projektin për ndërtimin e impiantit të madh në Shën Vlash, në vendin e ish-rezervateve të peshkut plazhi i Durrësit mesatarisht në tri pika ka ngarkesa mikrobiologjike në ujin e detit 1200 MPN, shifër kjo që është gjashtë herë më e lartë se norma e lejuar. Zonat problematike janë Currilat, zona e portit, ku derdhen kolektorët e pallateve tek shëtitorja “Taulantia” dhe Shkëmbi i Kavajës - Përroi i Agait. Sipas specialistëve të Higjienës dhe Epidemiologjisë, uji i ndotur krijon dëmtime serioze dhe sëmundje të lëkurës si dhe infeksione të shumta. Durrësi ka probleme lidhur me higjienën e ujit edhe nga papastërtia shumë e madhe e ujit të lumit të Erzenit dhe Ishmit, ujërat e të cilëve derdhen në det. Këshilli i Qarkut në Durrës ka ndërmarrë disa projekte me financime të huaja për të tenderuar fillimisht studiot e projektimeve për të kaluar më pas në fazën e investimit të projekteve për ndërtimin e impianteve për pastrimin e ujit që derdhet në det. Në mënyrë paralele me këtë nismë, e cila i ka fillesat këtu e 5 vjet më parë, qarku ka kërkuar nga njësitë vendore të monitorojnë hapësirat dhe territoret ku ata ushtrojnë autoritetin ligjor për të shmangur ndotjet nga pakujdesitë. Një sërë fabrikash e punishtesh si dhe pika servisi e shoqëri të ndryshme me aktivitet dhe linja prodhimi në këtë qark depozitojnë në anë të lumenjve dhe në buzë të detit tonelata me mbeturina, një pjesë e të cilave janë karburante, vajra, graso dhe lëndë tjetër që ndot ujin e detit. Sipas informacioneve zyrtare dhe vëzhgimit në terren, Durrësi ka 15 vatra me rrezikshmëri të lartë ndotjeje dhe për secilën prej tyre qarku ka kërkuar të dhëna të sakta dhe periodike lidhur me masat që marrin për të zvogëluar nivelin e ndotjes.