E Diel, 1 Nëntor 2026

I shpëton burgimit përjetë, 25 vite burg për Jaho Mulosmanin



I shpëton burgimit përjetë, gjykata dënon me 25 vite burg Jaho Mulosmanin, i akuzuar për vrasje të dyfishtë në Tropojë. I kthyer për rigjykim në Gjykatën e Tiranës nga shkalla më e lartë e gjyqësorit, i dënuari për vrasjen e shekullit, atë të ish-deputetit Azem Hajdari për të cilën është i dënuar me “burgim të përjetshëm”, i parapriu kësaj mase dënimi, duke kërkuar qysh në fillim të gjykimit aplikimin e gjykimit të shkurtuar. I pandehuri Mulosmani është risjellë për gjykim nga organi i akuzës për vrasjen e Bislim Hykës dhe Isuf Bashkurtit. Personi mbi të cilin rëndojnë dy dënime të përjetshme, fitoi në Gjykatën e Lartë në ditët e para të majit të këtij viti prishjen e njërit prej dënimeve dhe kthimin e çështjes për rigjykim në Shkallën e Parë. Dërgimi i çështjes në rigjykim u bë me arsyetimin se Gjykata e Lartë kishte vërejtur shkelje të shumta procedurale në gjykimin e çështjes në Shkallën e Parë.

Ngjarja

Jaho Mulosmani akuzohet “për “vrasje me paramendim” ndaj dy personave, Bislim Hykës dhe Isuf Bashkurtit. Ngjarja për të cilën u dënua dje Mulosmani në Shkallën e Parë, i përket vitit 1999. Mesditën e 4 gushtit 1999, nga një atentat me mina të telekomanduara vriten në fshatin Cërrnicë të Tropojës, Halil Haklaj dhe Feriz Kërnaja. Nga atentati plagosen edhe Fatmir Haklaj dhe Fatmir Daka. Ngjarja pasohet nga një tjetër gjakderdhje vetëm pak orë më pas në qendër të qytetit të Tropojës. Breshëria e plumbave lë të vdekur në vend Bislim Hykën dhe Isuf Bashkurtin. Pistat e para hetimore u ngushtuan rreth një emri të vetëm si autor i kësaj ngjarjeje, Jaho Mulosmani. Në atë kohë ai mbante detyrën e shefit të rendit në Komisariatin e Policisë së Tropojës. Njëri nga viktimat e ngjarjes, Bislim Hyka, ishte vëllai i shefit të Komisariatit të Policisë së Kukësit. Sipas hetimeve, Jaho Mulosmani kishte qëlluar mbi viktimat në shenjë hakmarrjeje, pasi bënte përgjegjës të afërmit e Hykës, për vrasjen e Halil Haklajt dhe Feriz Kërrnajës. Ndërkohë që në vitin 2001, Mulosmani u arrestua me dyshimet për pjesëmarrje në atentatin ndaj ish-deputetit të PD-së, Azem Hajdari. Për këtë akuzë, Jaho Mulosmani mori dënim me “burg përjetë” në përfundim të shqyrtimit gjyqësor.

Gjykata e Lartë

Në fillim të muajit mars 2009, Gjykata e Lartë shpalli vendimin e saj, duke rikthyer për gjykim në Gjykatën e Tiranës dosjen penale në ngarkim të Jaho Mulosmanit (Salihi). Argumenti i Gjykatës së Lartë ishte se në gjykimin e parë për vrasjen e Hykës dhe Bashkurtit, togat e zeza nuk kishin marrë masa për lajmërimin e avokatëve të të pandehurit. Zhvillimi i seancës gjyqësore pa praninë e mbrojtësit ligjor të personazhit të shumëpërfolur, është konsideruar nga Gjykata e Lartë si shkelje procedurale. Pas rrëzimit të burgimit të përjetshëm, Gjykata e Lartë ka porositur që rishqyrtimi i dosjes të bëhet sipas procedurave të rregullta ligjore nga Gjykata e Shkallës së Parë në kryeqytet.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›