E Diel, 1 Nëntor 2026

Qumështi nga Kina, në Shqipëri kanë hyrë 129 ton qumësht i tillë



Gjatë tetë muajve të parë të këtij viti në Shqipëri janë importuar nga Kina rreth 129 tonë qumësht. Shifra bëhet publike nga Ministria e Bujqësisë e cila ka urdhëruar dhe bllokimin e kësaj sasie, pasi do të verifikohet nëse ka përmbajtje melanine, kimikati industrial i cili shkatërron veshkat e njeriut duke stimuluar qelizat kancerogjene. Vetëm pak ditë më parë një sasi e këtij qumështi të importuar nga Kina është bllokuar në magazinat e portit të Durrësit. Burime zyrtare nga Ministria e Bujqësisë bëjnë të ditur se qumështi i bllokuar do t’i nënshtrohet analizave të mëtejshme për të vërtetuar nëse ka përmbajtje të melaninës apo jo. Burime nga dikasteri i Bujqësisë konfirmuan për mediat se, “importi i qumështit nga Kina bëhet vetëm nga një kompani, por këto burime nuk pranuan të bëjnë publik emrin e saj”. Ministria e Bujqësisë vendosi dje embargon për importin dhe tregtimin e qumështit dhe nënprodukteve me bazë qumështi nga Kina. Sipas urdhërit të lëshuar nga kreu i këtij dikasteri, Jemin Gjana, “qumështit të bllokuar, të importuar nga Kina, do t’i bëhen analizat në një vend të Bashkimit Evropian për sasinë e melaminës”. Deri në marrjen e përgjigjeve të gjitha produktet do të jenë të bllokuara dhe në rast se përmbajtja e melaminës del e lartë ato do të asgjësohen menjëherë. Vendimi i ministrisë së Bujqësisë erdhi menjëherë pas embargos që Komisioni Europian u beri produkteve me bazë qumështi nga Kina për të gjitha vendet e Bashkimit Europian.

Ndërtuesit: “Vitin tjetër duam kontrata të reja”

Ndërtuesit i kërkojnë qeverisë që vitin e ardhshëm të hartohen kontratat e reja për punimet në infrastrukturë. Sipas tyre ato duhet të marrin parasysh jo vetëm interesat e ekzekutivit por edhe ato të kompanive private. Ndryshe nga kontratat që janë zbatuar deri tani. Gjatë simpoziumit të dytë, ndërtuesit i kanë përsëritur qeverisë kërkesën e tyre për rimbursimin e rritjes së cmimeve të lëndëve të para, vecanërisht të naftës, dhe hekurit. Sipas ndërtuesve rritja e çmimit ka pasur një influencë shumë të madhe në rezultatin financiar të firmave që janë marrë me ndërtimin e rrugëve. Të gjitha kërkesat shoqata e Ndërtuesve do tia dorëzojë javën tjetër ministrisë së Punëve Publike, Transportit dhe Telekomunikacionit.

5 Tetor 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›