E Shtunë, 31 Tetor 2026

AMF: Primet e sigurimeve vullnetare u rritën me 41 për qind në 8 muaj



Në periudhën janar-gusht të vitit 2008 vëllimi i primeve të shkruara bruto në sigurimin vullnetar arriti shifrën 1,894 milionë lekë, duke pësuar një rritje prej 41.46 për qind kundrejt të njëjtës periudhë të një viti më parë. Sipas statistikave të Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare, numri i kontratave në sigurimin vullnetar rezultoi me një rritje prej rreth 44.11 për qind kundrejt të njëjtës periudhë të një viti më parë. Ndërkohë edhe të ardhurat nga produktet vullnetare të sigurimit të Jo-Jetës u rritën me rreth 41.45 për qind krahasuar me tetëmujorin e vitit 2007. Në portofolet e pronës, përgjegjësive, garancive, me të ardhura rreth 1,041 milionë lekë në total, vendin e parë e zunë sigurimet nga zjarri dhe dëmtimet në pronë me rreth 41.83 për qind, të pasuara nga sigurimi i përgjegjësive të përgjithshme civile me 38.24 për qind dhe sigurimi i garancisë me 11.38 për qind.

SHBA, Dhoma e Përfaqësuesve miraton planin 700 miliardë USD

Dhoma e Perfaqësuesve në SHBA ka votuar me 263 vota pro dhe 171 kundër planin 700 miliardë dollarësh për të shpëtuar sektorin financiar të Amerikës. Votimi në fjalë ishte i dyti brenda javës, pas refuzimit që Dhoma i bëri planit ditën e hënë. Miliardat do të përdoren për të blerë borxhet e institucioneve financiare që kanë falimentuar, por edhe për rimëkëmbjen e “Wall Street”. Dhoma e përfaqësuesve pranoi versionin e ri të planit pasi Senati shtoi 100 miliardë dollarë në taksa. Tashmë pritet vetëm që mbi të të vihet firma e shefit të Shtëpisë së Bardhë, George W. Bush.

5 Tetor 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›