E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kur gjykatësit (ndër)hyjnë në Kishë

GJERGJ META

Që gjykatësit të hyjnë në kishë nganjëherë, bën edhe mirë, por që të ndërhyjnë në Kishë, kjo dëmton ata dhe rendin e shëndoshë shoqëror. Për çfarë e kam fjalën? Historia ka ndodhur në Rumani, por prek një situatë më të gjerë se sa një shtet. Po e shpjegoj me pak fjalë. Një grup priftërinjsh ortodoksë, së bashku me një grup laikësh, si pasojë e disa problemeve të brendshme të Kishës Ortodokse, kanë dashur të krijojnë një Union sindikal brenda Kishës Ortodokse rumune. Kjo gjë është kundërshtuar nga hierarkia vendase rumune, e gjithashtu edhe nga shteti rumun, i cili me anë të një arsyetimi shumë të rreptë juridik, i mbështetur në ligjet e vendit dhe në statusin e Kishës Ortodokse e stipulimin e marrëveshjeve me të, nuk e ka regjistruar këtë shoqatë pasi nuk kishte lejen e hierarkisë vendase. Pas dy negativeve nga Kisha dhe nga shteti rumun, ky Union i është drejtuar Gjykatës së Strasburgut, e cila, me një vendim të datës 31 janar 2012, i ka dhënë të drejtë këtij Unioni duke rivendikuar të drejtën asociative e sanksionuar nga neni 11 i Konventës së të Drejtave të Njeriut, të cilën e ka nënshkruar si Rumania, ashtu edhe Shqipëria.
Po në këto ditë, KISH (Konferenca Ipeshkvore e Shqipërisë), doli me një deklaratë mbi këtë sentencë të Gjykatës së Strasburgut për rastin Sindicatul Pastoral cel bun c. Romania (nr. 2330/09). Shumëkush, sigurisht, pasi ka lexuar apo dëgjuar deklaratën, mund të ketë pyetur veten se pse Kisha Katolike në Shqipëri merret me një sentencë të Gjykatës së Strasburgut e aq më tepër kur kjo ka të bëjë me shtetin rumun dhe Kishën Ortodokse rumune? Nuk është hera e parë që KISH bën një deklaratë të tillë. Muaj më parë, e njëjta konferencë bëri një deklaratë në lidhje me një tjetër sentencë të kësaj Gjykate, atë mbi rastin Lautsi vs. Italia për heqjen e kryqit nga aulat publike shkollore. Kjo ndodh sepse në këto sentenca është në lojë liria e besimit, që është aq e shtrenjtë për kontinentin tonë e për mbarë botën demokratike, saqë nuk mund të anashkalohet nga askush dhe nuk mund të na lërë indiferentë. Sigurisht, Shqipëria ka edhe arsye të vetat shumë të forta, e sidomos Kisha Katolike në Shqipëri, ndaj këtyre prirjeve që kur nuk janë dashakeqe, janë të mangëta në themelet e tyre jurisprudenciale.
Nuk është vendi këtu për të bërë një analizë juridike të kësaj sentence, gjë që e kanë bërë ekspertë të së drejtës europiane e asaj kanonike në mënyrë të detajuar dhe do të ishte me interes të bëhej në një revistë juridike, por ajo çka me këto pak elemente bie në sy, është fakti që këtu cenohet parimi i lirisë së besimit si një liri themelore që përfshin edhe lirinë e organizmit autonom të brendshëm të bashkësive fetare pa ndërhyrjen e faktorëve të jashtëm, e sidomos atyre shtetërorë. Nëse Gjykata e Strasburgut e detyron shtetin rumun ta regjistrojë këtë Union, a mundet kjo Gjykatë ta detyrojë Kishën Ortodokse ta pranojë? E ku do të degdisej atëherë parimi i autonomisë së rendit kishtar nga ai civil, i ndarjes së Kishës nga shteti? E drejta asociative është e sanksionuar edhe brenda realiteteve kishtare, pasi ajo është një e drejtë natyrore, por ama, gjithnjë e monitoruar dhe e lejuar apo e aprovuar nga autoritetet kompetente kishtare sipas rregullave dhe kanoneve të Kishës. Në rast të kundërt, askush nuk ka të drejtë të imponojë një formë apo një tjetër asociacionizmi paralel apo alternativ. Përvoja të tilla janë provuar tashmë. Nuk mund të harrojmë kurrsesi të shikojmë prapa kur në kohën e komunizmit, në shumë vende lindore u krijuan, me ndërhyrjen e shtetit, shoqata priftërinjsh proqeveritare, pikërisht në Rumani Unioni Demokratik i Priftërinjve, në Sllovaki priftërinjtë e shoqatës Pacem in Terris, po ashtu në Jugosllavi e në vende të tjera. Një përpjekje u bë edhe në Shqipëri, por që nuk arriti në liman, megjithëse një marrëveshje u nënshkrua, por ajo kurrë nuk përfundoi në një kishë kombëtare. Pikërisht për këtë, Imzot Vincenc Prenushi e hierarkë të tjerë katolikë u pushkatuan apo u lanë të vdesin në burgjet e komunizmit. Një problem vazhdon ende sot e kësaj dite në Kinë, ku janë dy Kisha paralele katolike, ajo zyrtare, besnike e qeverisë, dhe ajo klandestine, besnike e Kishës Universale. Por akoma më tej nuk mund të harrojmë ndarjen në kohën e Revolucionit Francez ndërmjet priftërinjve të betuar ndaj qeverisë e atyre besnikë ndaj Papës, e kjo për shkak të ndërhyrjes së rendit civil në atë kishtar. Megjithëse situata nuk është e njëjtë, ajo është mjaft analoge.
Është edhe një gabim tjetër i fshehur në këtë sentencë. Gjykata mëton të marrë kompetencat jo vetëm për një gjykim juridik, por edhe për një gjykim teologjik. Natyra e institucionit Kishë nuk është e njëjtë me natyrën e institucioneve të tjera që mbështeten mbi rregulla të vendosura nga njerëzit. Kisha, sa është një shoqëri e përbërë nga njerëz, aq është edhe një shoqëri që tejkalon aspektin njerëzor, ajo ka një natyrë mistike dhe shpirtërore. E marrëdhënia që vendoset midis anëtarëve të saj, në cilindo pozicion të jetë, nuk është e barabartë me marrëdhënien që vendoset ndërmjet një pronari fabrike dhe një punëtori, përveç në rastet kur këto janë kontrata të rregulluara nga ligji civil. Gjykata nuk mund të interpretojë, apo më keq, të vlerësojë, por vetëm të marrë parasysh këtë natyrë dhe karakteristikë të përtejme të Kishës. Kisha si shoqëri është në këtë botë, por nuk është e kësaj bote. Respekton dhe u bindet ligjeve njerëzore në çdo shoqëri ku ndodhet, por është e themeluar në ligjet hyjnore dhe vetëm ato zbaton kur këto të fundit janë në kundërshtim me të parat. Ka disa arsye që asnjë arsye juridike nuk mund ti kufizojë apo të mbizotërojë mbi to. Në këtë pikë, Gjykata e Strasburgut ka për detyrë të respektojë të drejtën themelore të besimit, e gjithashtu të respektojë natyrën e veçantë (sui generis) të institucionit Kishë. Duke shpresuar që Grand Chambre, ku është i pranishëm edhe përfaqësuesi ynë shqiptar, të vendoset, ndryshe nga sentenca e parë, në rastin e një apelimi, pro lirisë fetare e duke pasur parasysh edhe jurisprudencën e pasur të kësaj Gjykate në rastet e mëparshme, sikurse ishte rasti Lautsi vs. Italia.

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›