E Shtunë, 31 Tetor 2026

Turqia, Siria dhe Plani “Anan”

21-04-2012 / “Zaman”

Plani gjashtë-pikësh i Kofi Ananit për Sirinë paraqet një fazë të re në krizën siriane, e cila vazhdon që Marsin e vitit të kaluar, por struktura kryesore e konfliktit mbetet e pandryshuar. Regjimi vazhdon t’a shtypë popullin dhe refuzon të implementojë cilëndo reformë që do të bënte të mundur një transferim paqësor të pushtetit. Sot ka dyshime serioze që regjimi sirian po zbaton gjashtë pikat e Planit Anan, veçanërisht në lidhje me një armëpushim të mirëfilltë dhe gjithëpërfshirës. Si Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, Ban Ki-moon, ashtu edhe i dërguari i posaçëm i OKB-së dhe Ligës Arabe, Kofi Anan, kanë shprehur shqetësimin e tyre rreth përkeqësimit të situatës në terren, madje edhe pasi Damasku pranoi armëpushimin. Lufta vazhdon në qytete të ndryshme siriane dhe forcat e regjimit kanë qenë përgjegjëse për vrasjen e qindra njerëzve që javën e parë të prillit, kur regjimi kinse kishte pranuar kushtet e Planit Anan. Grupi i parë i monitoruesve të OKB-së ka arritur në Siri, por tashmë ata po përballen me një sërë problemesh, sikundër u shpreh Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së të martën. Të gjitha palët, duke përfshirë edhe Rusinë e Kinën, kanë rënë dakord për Planin Anan. Ky është një zhvillim pozitiv, dhe Turqia e mbështet. Por, me vazhdimin e procesit, po bëhet gjithnjë e më e qartë se Plani Anan po interpretohet në mënyra të ndryshme. Regjimi Sirian dhe mbështetësit e tij e shohin Planin Anan si një mënyrë për të mbajtur të paprekur regjimin e Damaskut, ndërkohë që supozohet fillimi i negocimit politik me opozitën. Nëse regjimi e respekton marrëveshjen e armëpushimit, ai mendohet se do të bëhet një bashkëbisedues legjitim dhe mund të sigurojë të ardhmen e tij politike. Por, Plani Anan, si i mbështetur edhe nga Këshilli i Sigurimit, Liga Arabe, Organizata e Bashkëpunimit Islamik dhe vende të tjera, përfshirë Turqinë, nuk është projektuar për t’i dhënë më shumë kohë regjimit. Qëllimi i tij kryesor është të zbatojë një armëpushim të menjëhershëm, të mirëfilltë dhe gjithëpërfshirës si dhe të fillojë procesin e transferimit paqësor të pushtetit. Thelbi i çështjes është pika e fundit, dhe ajo përkufizon kuptimin e revolucioneve Arabe. Kërkesa e popullit për një rend dinjitoz, të lirë dhe demokratik në Siri, nuk mund të rrezikohet nga kompromise për përfitime afat-shkurtra politike. E ashtuquajtura luftë për pushtet mes boshtit saudito-katarian dhe atij iranian nuk duhet të përdoret për të justifikuar veprimet ilegjitime dhe çnjerëzore të një regjimi të dështuar. Në vend që të lundrojnë kundër valëve të historisë, Rusia, Kina, Irani dhe të tjerët duhet të pozicionojnë veten përkrah popullit sirian dhe të kontribuojnë në krijimin e një rendi politik të qëndrueshëm në Siri. Turqia, së bashku me një mori vendesh të tjera dhe organizmash ndërkombëtarë, është përpjekur të bëjë më të mirën në mundësimin e një transferimi paqësor të pushtetit, por regjimi është kundërpërgjigjur me mosbindje, shtypje dhe dhunë. Për sa kohë ndërhyrja ushtarake nuk është një opsion për Sirinë, vendi mbetet i mbërthyer nga një ngërç dhe ndodhet në skaj në një lufte të zgjatur e të kushtueshme civile. Mbështetja e regjimit me çdo çmim vetëm sa e përkeqëson situatën. Ata që janë përgjegjës për këtë duhet të rishikojnë objektivat e tyre strategjike dhe prioritetet humanitare. Turqia nuk është as një hap para, as një hap prapa Sirisë. Ajo vazhdon të veprojë në koordinim me vendet e tjera të rajonit dhe të komunitetit ndërkombëtar. Edhe pse Rusia, Kina dhe Irani e shohin çështjen siriane nga një tjetër këndvështrim, Turqia ka vijuar bisedimet me këto vende. Kryeministri Rexhep Tajip Erdoan shkoi në Iran dhe Kinë e diskutoi gjerësisht me udhëheqësit e këtyre vendeve për Sirinë. Ministri turk i Punëve të Jashtme, Ahmet Davutollu, shkoi në Rusi për të koordinuar përpjekjet e Turqisë me këtë dhe shtetet e tjerë. Mençuria e Turqisë për të mos vepruar vetëm, ka ndihmuar krijimin e një koalicioni ndërkombëtar të vendeve dhe institucioneve përgjegjëse që mbështesin kërkesat legjitime të popullit sirian. Takimi i Miqve të Popullit Sirian, i mbajtur në Stamboll me 1 prill, u ndoq nga 83 shtete dhe institucione ndërkombëtare si dhe luajti një rol kyç në vendimin e regjimit sirian për të pranuar Planin Anan. Turqia do vazhdojë të mbështesë popullin sirian dhe vizionin e tyre për një Siri të lirë, demokratike e të begatë. Mënyra më e mirë për ta arritur këtë është të shkosh tek populli vetë dhe t’i vësh para kutinë e votimit. Nëse një palë zgjedhje të lira dhe të ndershme mbahen nën monitorimin ndërkombëtar, rezultati do të jetë pika e fundit e referencës për të ardhmen e Sirisë. Por, kjo nuk mund të ndodhë për sa kohë regjimi lejohet të luajë lojëra politike. Sëbashku me planin e Ananit nevojitet ende një presion i bashkërenduar dhe i qëndrueshëm.

...

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›