E Diel, 1 Nëntor 2026

Shikoni shtetet fqinje

21-04-2012 / Nga Anne Marie Slaughter

Një zgjidhje afatgjatë e krizës në Siri varet po aq prej Turisë dhe Ligës Arabe, sa edhe prej SHBA-së, Evropës dhe Rusisë. Natyrisht se kur një institucion rajonal nuk është i gatshëm të veprojë, fuqitë nga jashtë do ta kenë të vështirë të ndërhyjnë. Po ashtu, kur një rajon nuk bashkohet, ndërhyrja nga fuqitë e jashtme bëhet ose më pak e domosdoshme, ose më shumë efektive

Bindja e përgjithshme gjatë javës së kaluar, rreth asaj nëse Siria do të respektonte planin për armëpushim të ish-sekretarit të përgjithshëm të OKB-së, Kofi Annan, ishte se gjithçka varej prej Rusisë. Ne po u ktheheshim politikave të luftës së ftohtë, në kuadër të të cilave Perëndimi nuk ishte i gatshëm të përdorte forcën dhe Rusia ishte e gatshme ta vazhdojë armatosjen dhe përkrahjen e klientit të saj. Rrjedhimisht, Rusia kishte në dorë letrën kryesore: ajo mund të vendoste se sa do t’i bënte presion presidenti rus, Bashar al-Assad, që ta respektojë planin. Po qe se ky qëndrim është korrekt, edhe Irani ka një ndikim po aq të madh. Annan, mbi të gjitha, udhëtoi edhe në Teheran. Duket se gjeopolitika tradicionale e balancës së ndikimit funksionon ende. Por, ky është, një qëndrim i pjesshëm që mbulon po aq sa edhe zbulon. Ky qëndrim, në veçanti, nuk e trajton rëndësinë jetike dhe në rritje të politikës dhe institucioneve rajonale. Një zgjidhje afatgjatë e krizës në Siri varet po aq prej Turisë dhe Ligës Arabe, sa edhe prej SHBA-së, Evropës dhe Rusisë. Ta marrim parasysh se çfarë tjetër ndodhi gjatë javën e kaluar: Qeveria turke e bëri të qartë se do të marrë masa të reja, po qe se plani i Annanit nuk jep rezultate. Zyrtarët turq janë duke bërë deklarata të ngjashme tashmë sa muaj, mirëpo tani ushtarët sirianë kanë shtënë në drejtim të Turqisë, duke ndjekur rebelët e Armatës së Lirë Siriane, që e kishin kaluar kufirin, derisa numri i refugjatëve civilë sirianë është rritur në mënyrë drastike. Gjatë javës së kaluar, kryeministri turk, Rexhep Tayip Erdogan, ka shtuar tensionet në masë të konsiderueshme, pasi që ka thënë se ka “shumë opsione” dhe ka shtuar se “Edhe NATO-ja mban përgjegjësi për kufijtë e Turqisë, në bazë të nenit 5”.
Neni 5 i Traktatit të NATO-s thekson se sulmi mbi një shtet anëtar të NATO-s konsiderohet si sulm mbi tërë aleancën dhe se të gjithë do t’i vihen në ndihmë shtetit të sulmuar. Natyrisht se shtetet e tjera anëtare të NATO-s mund të mos pajtohen se Siria në të vërtetë e ka sulmuar Turqinë, mirëpo nëse Turqia i referohet nenit 5, atëherë refuzimi për të ofruar ndihmë do të kishte pasoja të pakëndshme për aleancën në tërësi. Dhe, Assad e di fare mirë se do të jetë e pamundshme të shmangen incidentet e reja kufitare, po qe se nuk është i përgatitur për të lejuar Armatën e Lirë Siriane ta shfrytëzojnë Turqinë si zonë të sigurt. Rëndësia e nenit 5 është se, po qe se mund të prezantohet një rast i besueshëm se Turqia dhe aleatët e saj janë duke vepruar në vetëmbrojtje, atëherë ato nuk do të kenë nevojë ta kërkojnë miratimin e Këshillit të Sigurimit të OKB-së. Kjo e bën sugjerimin e Erdoganit element, i cili i jep kah tjetër ngjarjes, duke e detyruar Assadin që të pajtohet me mundësinë e një zone de-fakto të sigurt dhe të mbrojtur ushtarakisht për opozitën civile. Esenca kryesore në këtë aspekt është se organizatat rajonale, përfshirë NATO-n, ofrojnë nivelin e parë të ligjshmërisë dhe legjitimitetit të nevojshëm për përdorimin e suksesshëm të forcës. SHBA-ja nuk do ta kishte mbështetur ndërhyrjen në Libi, po qe se Liga Arabe nuk e kishte mbështetur një zonë ndalim-fluturimi dhe nuk kishte qenë e gatshme t’i drejtohej OKB-së mbi atë bazë. Në të vërtetë, po qe se Assadi nuk rrëzon përtokë me buldozerë qytete të tëra, atëherë nuk më bie ndërmend ndonjë rrethanë, në bazë të së cilës SHBA-ja do të mbështeste madje edhe një ndërhyrje të kufizuar ushtarake në Siri, pa miratimin publik të Ligës Arabe dhe Turqisë. Pikërisht për këtë arsye kemi parë lojën e xhentëlmenëve sa i përket Sirisë, me turqit duke thënë se kanë nevojë për përkrahjen perëndimore, SHBA-në, duke thënë se i duhet përkrahja rajonale dhe të dyja, duke thënë se u duhet përkrahja e OKB-së.
Nëse shikojmë përtej Lindjes së Mesme, Afrika paraqet rastin më të mirë ku mund të shihet ndikimi gjeopolitik i fuqive dhe institucioneve rajonale, që është po aq i madh sa edhe ai i fuqive të mëdha botërore. Derisa Annan është duke i shtrydhur kapacitetet e tij diplomatike për ta zgjidhur krizën në Siri, trazirat në Senegal, Mali, Malavi dhe Guineja-Bissau janë trajtuar me shpejtësi nga fuqitë e tjera rajonale. Në veçanti, Unioni Afrikan (AU) ka vepruar vazhdimisht në emër të zbatimit të Kartës Afrikane për Demokraci, Zgjedhje dhe Qeverisje. Në Senegal, dhuna ka shoqëruar zgjedhjet e kohëmëparshme, në të cilat presidenti Abdoulaye Wade është lejuar që të kandidojë për një mandat të tretë të paprecedent. Në raundin e parë, Wade është detyruar që të përballej në balotazh me Macky Sall, me ç’rast AU-ja shumë shpejt ka dërguar një Mision të Vëzhguesve Zgjedhorë, të përbërë prej 18 shteteve afrikane, për të vlerësuar nëse zgjedhjet ishin të ligjshme dhe nëse rezultatet “pasqyronin vullnetin e qytetarëve senegalezë”. Ne nuk mund të jemi të sigurt se çfarë ndikimi ka pasur misioni në vendimin e Wades për ta pranuar mposhtjen karshi Sallit, mirëpo do të kishte qenë ndryshe, po të mos e kishte ai mendjen te fakti se i tërë rajoni i ka sytë të drejtuar nga ai. Gjendja në Mali është më e komplikuar, pasi që përfshin një lëvizje të kamotshme secesioniste, si dhe një grusht shteti, më 21 mars. Por, pas grusht shtetit, AU-ja dhe Komuniteti Ekonomik i Shteteve Afrikano-Perëndimore (ECOWAS), të mbështetura nga OKB-ja, suspenduan menjëherë anëtarësimin e Malit në AU, vendosën sanksione ekonomike dhe diplomatike mbi këtë shtet, si dhe kufizuan udhëtimin mbi prijësit e puçit. Vetëm dy javë më vonë, ECOWAS paralajmëroi se kishte arritur një marrëveshje me organizatorët e puçit për ta kthyer pushtetin civil, në shkëmbim me heqjen e sanksioneve.
Ngjashëm, presidenti i AU-së, Jean Ping, e dënoi puçin në Guinea-Bissau, që ndodhi në fillim të prillit. Ata që i interpretojnë të gjitha ngjarjet në skenën ndërkombëtare në aspektin e luftës për pushtet dhe prestigj kurrë nuk do të jenë në mungesë provash. Mënyra se si po manifestohet në Siri rivaliteti saudit-iranian është një shembull i mirë. Por, dëshira e shteteve për ndaljen e vrasjeve masive në fqinjësinë e tyre apo për zbatimin e normave rajonale, është forcë në veti. Natyrisht se kur një institucion rajonal nuk është i gatshëm të veprojë, fuqitë nga jashtë do ta kenë të vështirë të ndërhyjnë. Po ashtu, kur një rajon nuk bashkohet, ndërhyrja nga fuqitë e jashtme bëhet ose më pak e domosdoshme, ose më shumë efektive.

Autorja ka qenë ish-drejtoreshë e planifikimit politik në Departamentin Amerikan të Shtetit (2009-2011) dhe ish-dekane e shkollës “Woodrow Wilson” për çështje publike dhe ndërkombëtare, si dhe profesoreshë e politikave dhe çështjeve ndërkombëtare në Universitetin e Princetonit. Shkrimi është botuar së pari në rrjetin “Project Sindycate”

...

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›