E Shtunë, 31 Tetor 2026

Libri i fluturave të Veton Surroit

BESNIK MUSTAFAJ

Veton Surroi shkruan mirë. Thënë ndryshe, ai ka stil. Sipas grekëve të vjetër, stili është vetë njeriu. Kush ka pasur dëshirë apo kureshtje ta lexojë gjatë më shumë se njëzet e pesë vjetëve të fundit, në shtypin shqiptar apo të huaj, ka mundur të vërejë se ai shkruan thjesht dhe qartë. Dhe kjo, pavarësisht nëse pajtohesh apo jo me çfarë thotë ai. Thjeshtësia e stilit të tij është shprehje e një zotërimi të mirë të gjuhës dhe sidomos e një vetëdijeje të lartë intelektuale për qëllimin pse ka marrë penën. Kam lexuar, besoj, pjesën dërrmuese të botimeve të tij nëpër vite. Kurrë nuk kam vënë re midis rreshtave të shkrimit të tij ndonjë shenjë kapardisjeje prej autori mendjendritur, që halli e çon te ca lexues mendjemykur. Ai shkruan natyrshëm thjesht, sepse të thjeshtë e përjeton me sinqeritet subjektin që synon të shprehë. Ai, domethënë autori Veton Surroi, beson me ndershmëri se po ngre një hall që e ka të përbashkët me lexuesin. Ai shkruan qartë, po ashtu, jo pse është ushtruar gjatë me sintaksën. Madje, sintaksa e tij vende-vende paraqitet e shkujdesur. Qartësia e tekstit të tij është paraprakisht pjekje e idesë në kokën e autorit. Kurrë shkrimet e Veton Surroit nuk më kanë lënë përshtypjen e ndonjë spontaniteti apo improvizimi. Në këtë kuptim, do të thosha, në vetvete akti i shkrimit te Veton Surroi përbën një sjellje nga ana e tij ndaj publikut.
Në këtë hulli, por me një cilësi të re, shfaqet ai edhe te Libri i fluturave, botuar në Prishtinë nga Koha në fund të vitit të kaluar. Domethënien e titullit lexuesi do ta gjejë të shprehur nëpërmjet një parabole në faqen e fundit të librit. Veton Surroi merr përsipër të rindërtojë nga brenda një nga ngjarjet më të ndërlikuara përsa i përket mënyrës si u zhvillua dhe njëherësh më të rëndësishme përsa u përket rrjedhimeve në historinë e botës shqiptare të shekullit të fundit, e që është edhe shekulli i mëvetësimit të tyre nga Perandoria Otomane. Fjala është për Marrëveshjen e Ohrit, nëpërmjet së cilës shqiptarët e Maqedonisë përmbushën de jure shumë nga të drejtat themelore, të garantuara në legjislacionin ndërkombëtar, por të harruara, të mohuara ose të nëpërkëmbura në legjislacionin e Republikës së Maqedonisë. Në dijeninë time, ky është deri më sot rasti i vetëm në literaturën tonë ku gjejmë përshkrimin kronologjik dhe analitik të një negocimi qysh në zanafillë e deri në përmbyllje. Është një negocim pa precedent në historinë e gjatë të përpjekjeve të shqiptarëve për të fituar të drejtat e tyre kombëtare apo politike. Përvoja e krijuar tre vjet më parë ndër shqiptarët me kurorëzimin e luftës në Kosovë nuk mund të shërbente në këtë rast për shumë e shumë arsye, ndër të cilat do të veçoja posaçërisht kontekstin kur zhvillohen ngjarjet, shumë i ndryshëm nga ai i Kosovës së periudhës 1998-1999 në kuptimin më të gjerë të kësaj fjale. UÇK kësaj here dukej sikur kishte hyrë në një qorrsokak dramatik, çka e shtyn Veton Surroin të mërmërisë plot ankth me vete se rebelimet e tilla kanë vetëm njërin nga dy përfundimet: ose udhëheqësi vritet dhe merren me mend pasojat mbi mbështetësit e tij, ose rebelët përfshihen sinqerisht në bisedime për ta përmbyllur me zgjidhje politike rrugën e nisur me pushkë. Duhej çelur medoemos rruga për të mbërritur në përfundimin e dytë.
Duke iu përmbajtur edhe kësaj here parimit se akti i shkrimit përbën në vetvete një sjellje nga ana e tij ndaj publikut, Veton Surroi i shmanget me kujdes kurthit të protagonistit të Historisë tashmë me penë në dorë, ashtu siç i shmanget si diçkaje të huaj edhe modestisë së shtirur. Ky virtyt i rrallë ndër bashkëkombësit tanë, te Veton Surroi buron nga vetëdija e tij njerëzore dhe politike për të qenë realist. Në terrenin e ngjarjeve Veton Surroi e kalit këtë cilësi  te vetja në sajë të bindjes intelektuale se në rrethana të tilla të ndërlikuara e me rrjedhime afatgjata jo vetëm mbi jetët e një numri njerëzish, por mbi krejt paqen e rajonit, ai nuk mund tia lejojë vetes as edhe veprimin më të vogël thjesht për ti pëlqyer dikujt, qoftë ky dikush në anën shqiptare, maqedonase, apo në anën e ndërkombëtarëve. Kjo, në të vërtetë, është bindja intelektuale e njeriut që e njeh mirë dëmin që mbart oportunizmi për rezultatin e dëshiruar dhe që po ashtu e ka të qartë kufirin e rreptë që ndan oportunizmin nga kompromisi. Trimi i kohëve moderne është ai që di të arrijë te kompromisi. Jeta dhe përkushtimi i gjatë në Kosovën e pushtuar, me një armik si Millosheviçi përballë, duket e kishin mësuar mjaftueshëm të udhëhiqej nga faktet dhe jo nga hamendjet, përndryshe rrezikon prekjen nga paranojat apo deliret, prej nga dalja është fort e mundimshme, në mos e pamundur. Keqpërdorimet e shtetit deri shpesh kriminale nga ana e politikanëve maqedonas gjatë atyre muajve të krizës për shkak vetëm se truri i tyre ishte i turbulluar nga paranojat, ishin, sipas Veton Surroit, pikërisht shembulli që nuk duhej ndjekur nga shqiptarët, të cilët, edhe pse nuk kishin institucione shtetërore, kishin armë dhe motivime me bollëk, që mund të keqpërdoreshin, siç do të kishte qenë, bie fjala, bartja e luftës brenda qytetit të Shkupit, gjë që nuk ndodhi. Mbi faktet duhet vepruar konkretisht dhe me vullnetin e mirë për të zbuluar brenda tyre prirjet pozitive, sado embrionale qofshin ato, për ti ndihmuar në vazhdim të fuqizohen derisa të bëhen dominuese. Përndryshe rrezikon dëshpërimin, prej nga dalja është po ashtu fort e mundimshme, në mos e pamundur.
Ky libër, pra, duhet lexuar dy herë. Të paktën për veten time unë dy herë e lexova. Së pari si një dëshmi të drejtpërdrejtë për një kapitull nga më të lavdishmit në historinë tonë kombëtare, të cilit vetëm fundin ia njihja mirë: Marrëveshjen e Ohrit. Por nuk dija thuajse asgjë si u arrit deri te kjo marrëveshje. Për leximin e dytë u nxita nga një vlerësim sintetik që jep autori kur në përmbyllje të këtij procesi u shkruan një letër të hapur miqve të tij maqedonas, ku u thotë …qe një fat i madh për Maqedoninë që mes shqiptarëve qenë Xhaferi dhe Ahmeti. Te të dy u ndërtua, në një moment kritik, konsensusi se të drejtat e shqiptarëve nuk mund të ndërtohen në dëm të maqedonasve etnikë. Një letër të tillë Veton Surroi shtyhet ta shkruajë kur mëson nga një miku i vet në Shkup se njerëzit e policisë sekrete të Maqedonisë, të cilët e kishin vënë nën përgjim, e përgojonin atë si ideologun kryesor të UÇK-së, këshilltar i Ali Ahmetit dhe i Arbër Xhaferit për çështjet ushtarake dhe politike njëkohësisht, këshilltar i amerikanëve dhe i negociatorëve të tjerë ndërkombëtarë. Ai parashikon, me të drejtë, se këto pëshpëshe të policisë sekrete mbi njeriun-oktapod do të mbërrijnë me kanalet e veta në mediat maqedonase. Prandaj, shpjegon ai qëllimin e letrës, mendoj se do të jetë më së miri që mendimet e mia tia jap opinionit publik të atilla siç janë. Si mik i vjetër i Vetonit, por edhe si një njeri që ua kam kushtuar njëzet vjetët e mia më dinamike marrëdhënieve ndërkombëtare, doja të kuptoja se cili ishte në të vërtetë roli i tij në këtë Histori, e cila bëri të mundur që e ardhmja e shqiptarëve në Maqedoni të jetë thelbësisht tjetër nga e shkuara e tyre dhe, parë më gjerë, u dha njëherazi edhe maqedonasve etnikë një fitore, që ata nuk do të mund ta arrinin kurrë vetë, sepse nuk kishin as lidership vizionar, as opinion publik të pjekur, as ushtri të aftë për të shërbyer si dorë e hekurt në kontroll të situatës. Fitorja e maqedonasve ishte pikërisht Marrëveshja e Ohrit, në sajë të së cilës ky shtet shpëtoi nga shpërbërja përfundimtare, dramatike dhe e turpshme. Kjo, pra, ishte qasja ime ndaj Librit të fluturave gjatë leximit të dytë.
Marrëveshja e Ohrit do të mbetet si një rast-shkollë në analet e Diplomacisë botërore për shumë arsye. Po përmend disa prej këtyre arsyeve, që më duken më kryesoret: nisma për të çelur bisedime për paqen nuk u ndë

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›