E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kur jeta të nisë të marrë vlerë

Vetëm atëherë kur jeta e një njeriu tek ne të nisë të marrë vlerën absolute që meriton,ne shqiptarët do të nisim të dallojmë të vërtetën nga gënjeshtra. Ose, më mirë, do të mundohemi, do të përqendrohemi e do të logjikojmë përballë fakteve sipas rëndësisë reale të tyre. Në demonstratën e 21 janarit, të gjithë pamë disa bashkatdhetarët tanë që nuk na përfaqësonin me ata shkopinj e gurë kundër policëve. Në ato portrete, që në pjesën e parë të protestës mishëruan dhunën, fotografohej ajo pjesë e Shqipërisë që ne e kemi lënë dhe duam ta lëmë mbrapa. Ajo pjesë e jona, që e kemi parë në '97, në '98 e që i kemi servirur shëmtuar botës. Por logjika jonë nuk duhet të mbetet aty, siç duket se ka ngecur. Logjika e askujt, opozitar, pushtetar, apolitik.
Për të ilustruar hutimin, ndrojtjen, fshehjen e të vërtetës dhe manipulimin me atë që ndodhi me 21 janar, do të sjell shembullin e plagosjes së një gazetari. Nuk ka media në botë që do të fshihte plagosjen e një reporteri në krye të detyrës. E pra, tek ne ndodhi dhe vazhdon të ndodhë. Reporteri i një media pro-qeveritare në Tiranë u plagos me plumb në dorë ndërsa raportonte, në vendndodhjen e caktuar për median. Reporteri heshti e vazhdon të heshtë. Media pro-qeveritare heshti dhe vazhdon të heshtë për gazetarin e vet të plagosur. Lajmi u dha nga "News24" dhe nga gazeta të tjera, siç duhej të ndodhte. Gazetari i plagosur është jashtë rrezikut, por për këtë e ndihmoi vetëm Fati. Mes kolegësh, në kryeqytet, komentohet se po të ishte vrarë, me siguri, pronari i tij, i devotshëm ndaj qeverisë, do t'i kishte fshehur trupin. Dhe çështja kalon si me të qeshur.
Po kështu kalon në plan të dytë dhe çështja e vrasjes së 3 protestuesve në demonstratën e thirrur nga opozita, edhe pse kujtoj, pas fjalimit të kryeministrit Berisha në Kuvend, shumë u prononcuan dhe nga shoqëria civile se duhej të protestonin me datë 21 kundër korrupsionit dhe dhunës verbale të kryeministrit. Në videon e dhënë nga "News24" dhe në atë të transmetuar vetëm një herë nga TV pro-qeveritar (nuk e di nëse dhe TV e tjera e kishin filmuar, e kanë menduar të fshehin çfarë kanë filmuar), plumbat e qëlluar nga brenda Kryeministrisë mund të kishin kapur këdo jashtë kangjellave. Plumbat, që u qëlluan dhe u transmetuan live në ekrane, nuk vranë ata demonstrues me shkopinj në radhët e para. Qëlluan njërin protestues që po shihte ç'ndodhte e dy të tjerë në mes të bulevardit, njëri madje, ngjitur me vendin ku ishin gazetarët. Ata nuk po sulmonin institucionet. Po protestonin. Tre viktimat, Ziver Veizi, Faik Myrtaj, Hekuran Deda u vranë, siç mund të ishte vrarë kushdo. Në mes të turmës. Kjo e vërtetë kaq e madhe dhe e pakundërshtueshme, duket se nuk hyn fare në logjikën e kryeministrit në radhë të parë. I cili, si kryeministër i gjithë shqiptarëve e ka për detyrë të mbrojë jetën e qytetarëve, ta njohë dhe ta vlerësojë atë si prioritet absolut. Por çfarë bën? U jep shpërblim atyre që gabuan dhe u jep imunitet të paligjshëm përgjegjësve të vrasjeve. As emrat nuk ua përmend viktimave, sikur të mos ishin shqiptarë, sikur të mos ishin njerëz, sikur të mos vlenin më shumë se një xham i thyer. Ose të paktën nuk ua përmendi deri në orën 21.00, kur doli në Kuvend e foli për ta dhe familjet e të vrarëve sikur dikush t'i kishte thënë: "Çfarë po bën Sali, thuaj një fjalë për ata tre shqiptarë që u vranë. Pastaj, për të bërë, bëj si di ti".
(BalkanWeb)

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›