E Shtunë, 31 Tetor 2026

"Calciopoli, një mashtrim, fitoret tona e vërtetuan

TIRANE-Masimo Morati ka mbrojtur Interin pas humbjes 3-1 në Udine, ndërsa ka lëshuar akuza të forta ndaj Luçiano Moxhit. Ai i është rikthyer edhe njëherë Calciopolit, skandalit të futbollit italian. "Fakti që Interi ka fituar shumë pas Calciopolit tregon se gjithçka ndodhte ishte një mashtrim i vërtetë", ka deklaruar kreu i klubit zikaltër ditën e djeshme. Gjatë një seminari me gazetarët sportivë të mbajtur dje në Coverçiano, Morati ka folur për atë që konsiderohet si periudha më e errët e futbollit italian. "Ishte frustruese të dëgjoje se unë shpenzoja dhe nuk fitoja, - deklaroi presidenti i Interit. - Calciopoli ishte një gjë vërtet vulgare dhe një vjedhje ekonomike. A kam menduar ndonjëherë të marr Luçiano Moxhin tek Interi? Nuk më pëlqen të bëj përgënjeshtroj, por kurrë nuk e kam çuar nëpër mend një gjë të tillë", shtoi Morati.
Humbja në Udine
Humbja me Udinezen duket se nuk e ka shqetësuar shumë presidentin e Interit, që ishte e para me Leonardon në pankinë. "Mund të ndodhë, ndoshta skuadra ishte pak e lodhur. Por, Udineze ka luajtur shumë mirë dhe këtë duhet ta pranojmë. E nisëm ndeshjen shumë mirë, skuadra pati përshtypjen se e kishte ndeshjen në dorë pas golit, por duke parë mënyrën sesi luajti Udineze ishte e vështirë për çdo skuadër", tha Morati. Por, kampionati është ende i hapur sipas kreut të Interit. "Do ishte shqetësuese nëse lojtarët do të mendonin të braktisnin luftën për titull pas vetëm një humbjeje", tha ai. Duke parë problemet e Militos, Interi në këto momente duket se ka nevojë të futet në merkato për të gjetur një sulmues të ri. "Ka kohë që po shohim për një tjetër sulmues, - pranoi Masimo Morati. - Amauri sidoqoftë nuk është në shitje dhe nuk është një lojtar që na intereson. Interi nuk ka nevojë për ndryshime, por vetëm për të shtuar diçka për t'i dhënë qetësi grupit, pasi kampionati me 20 skuadra është shumë i gjatë".
Murinjo
Një tjetër temë e preferuar e Moratit mbetet ajo e trajnerëve. Zhoze Murinjo edhe pse u largua në fund të sezonit të shkuar, gëzon ende simpatinë e presidentit të Interit. "Murinjo është trajneri më i madh që kam patur. Punon shumë dhe e do futbollin, por më vjen keq që në Itali nuk pati shumë mirënjohje. Këto elozhe nuk janë një indikacion për rikthimin e tij, pasi tani kam Leonardon, që e vlerësoj shumë", u shpreh Morati. Ndërkaq, kreu i Interit foli edhe për deklaratat e Samuel Eto, sipas të cilit futbollistët kishin përgjegjësi në largimin e Benitez: "Futbollistët janë njerëz seriozë dhe kjo më kënaq, por nuk do të thotë se vendimin nuk e mora unë". Në fund, një koment për Berluskonin: "Herën e parë e kam takuar në një restorant dhe më tha se po humbiste shumë para për futbollin. Më vonë, e kuptova se ato shifra ekzistonin vërtet. Berluskoni i ka dhënë shumë futbollit, e ngriti Milanin në nivelet më të larta".

(d.b/GSH/BalkanWeb)

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›