Kur ka të drejtë Berisha?
TIRANE - Që vendi është në gjendje stanjacioni politik, këtë nuk duhet të jesh një vëzhgues i thellë për ta kuptuar. Është kjo e shoqëruar edhe me krizën ekonomike, për të cilën nuk duhet të jesh ekonomist për ta perceptuar. Ka një pështjellim moral, ku vlerat bazike që rregullojnë një shoqëri, kanë shtatëdhjetë vjet që marrin goditje nga të gjitha anët, duke mos qenë një pikë referimi dhe ndihmese në kohët e trazuara që kalojmë. Dhe kështu mund të vazhdohet me rreshta të tërë, duke përmendur plagët tona, që herë na i ka bërë koha, dhe herë ia kemi kallur vetes, të cilat nuk na lënë të rimëkëmbemi dhe të ecim përpara si njerëz normalë. Por, nëse do përpiqemi që gjithsecili të japë një ndihmesë të pakët, duke vendosur një tullë të vogël të paemër në ngritjen e një ngrehine normale ku të jetojmë, të udhëhequr nga njerëz të zakonshëm dhe aspak heronj apo gjeni, ka ardhur koha të bisedojmë për ligjet që kemi, ato që janë zhbërë, dhe ato që duhen bërë. Është nevoja të diskutojmë, pasi bota ku duam të shkojmë udhëhiqet nga ligjet dhe jo nga vullnetet e individëve të fortë; demokracia është një rend i pranueshëm, jo për shkak të vullnetit të njerëzve që qëndrojnë në krye të piramidës, por të individëve që përbëjnë bazën, dhe kanë vendosur një sistem rregullash ku asnjëri nuk përjashtohet; si aspirantë për të qenë pjesë e kombeve të qytetëruar, duhet të flasim, pasi një ndër gjërat pak të sigurta të ditëve të sotme, është që me kështu, nuk kemi gjë në vijë.
Për të vënë gishtin në plagë, mahisja e situatës, edhe ashtu të vështirë të rregullave të lojës, fillon me ndryshimet kushtetuese. Për këtë janë dakord të gjithë, si ata që e kundërshtonin në atë kohë, po ashtu dhe mbrojtësit e flaktë të modifikimit. Shkaqet nisnin që nga dëshira e mirë për të ndryshuar një shoqëri që dukej e karfosur në vend, deri tek zjarri i servilit që t’i hynte sa më shumë në sy për mirë shefit partiak. Autorët rreshtoheshin që nga dinakët e jurisprudencës, e deri tek elifimatrakët e kësaj shkence. Sot, rezultati, është që, shqiptarët, mund të votojnë një herë në katër vjet, për monarkun që do t’i qeverisë dhe quhet kryeministër. Kjo nuk do kishte asgjë të keqe në një shoqëri normale, pasi edhe amerikanët, një herë në katër vjet votojnë për një monark të quajtur president. Por shqiptarët, me kulturë demokratike thekshëm më të mangët se ajo amerikane, nuk kanë as institucionet, as elitat, as grupet e fuqishme që balancojnë pushtetet. Atëherë, meqenëse jemi një popull që demokracinë nuk e ka vokacion të brendshëm të tij, siç anglezët, amerikanët, francezët e pak kombe të tjerë, ku baza i imponohet superstrukturës qeverisëse, lind e nevojshme ndjekja e rrugës, që demokracia të vijë nga elitat sunduese, siç gjermanët, italianët, dhe për të ardhur në Ballkan serbët e grekët, me shtesën e nevojshme, që meqenëse elitat tona nuk janë të ndriçuara, të vendosen rregulla loje të qarta, që mundësojnë ushtrimin dhe mësimin e praktikës demokratike. Dhe kjo fillon së pari me praktikimin e ushtrimit bazë të kësaj loje të re, aq pak të njohur nga shqiptarët: votimi.
Nëse do bënim një sforco të vogël, dhe të shohim sa funksionale është demokracia shqiptare, do vërenim se sot, shqiptarët votojnë për një satrap të vogël lokal, i cili quhet kryetar komune apo bashkie, i cili në mandatin e tij, mund të bëjë namin, dhe megjithatë, mund të rizgjidhet, pasi është në gjendje të bëjë tarafin e tij. Herën e dytë, mund të votojnë për kryeministrin, dhe këtu menyja afron vetëm dy persona, të cilët siç kanë ardhur punët, mund të emërojnë në listat e tyre gjithfarë kaqolësh, për të siguruar një mbretërim qoftë të qeverisë, qoftë të ngastrës partiake, pa u shqetësuar, deri sa Zoti t’iu japë ymër e inat. Në këto kushte, lind nevoja e balancimit të kësaj oligarkie partiake nëpërmjet ndryshimit të rregullave të lojës, dhe konkretisht dy kryesoreve: Së pari, ndryshimit të sistemit zgjedhor, nga ai aktuali, në atë proporcional në rang vendi, me lista të hapura, që do të thotë se rritet gama e përzgjedhjes së individëve, bazuar në vlerat e tyre; kufizohet arbitrariteti i kryetarëve të partisë në hartimin e listës, pasi votuesi do ketë peshën e tij për të caktuar kandidatin që do shkojë në parlament; rritet ngjyrimi i parlamentit, edhe me parti më të vogla, që pasqyrojnë më besnikërisht gjendjen e elektoratit në bazë. Për ata që duan të bëjnë moralistin, dhe pretendojnë se partitë e vogla janë pazarxhesha të pamorale, mjaft të kujtojnë se edhe partitë e mëdha kanë pasur mungesa abisore morali, dhe nëse ka fajtorë të krijimit të kësaj kulture allishverishi në këta njëzet vjet, fajtore janë kryesisht ato. Nëse ka një kulturë klientelizmi që është rrënjosur, këtë e kanë shpikur dinozaurët që mbretërojnë, dhe jo milingonat që mbijetojnë, ndaj dhe rruga më e mirë e korrigjimit, nuk është asgjësimi i kundërshtarit, por përsosja e kulturës politike.
Korrigjimi i dytë i nevojshëm, është statusi dhe mënyra e zgjedhjes së presidentit. Institucioni aktual i presidencës, është katandisur në një rol protokollar, dhe i janë hequr shumë atribute që duhet të ketë një institucion i tillë. Duket si një post, i krijuar për të shënuar emrin në enciklopedi, dhe hiç më shumë. Por, këta dy vjet treguan se është i nevojshëm, si një pol fuqie, i cili në mos është në gjendje të balancojë pushtetet e tjera, të paktën është në gjendje të amortizojë forcën goditëse të gabimit. Nga ndryshimet kushtetuese, ato për presidentin, ishin padyshim më të ligat, pasi ata që i bënë, menduan zbehjen e fuqisë së tij, dhe gjithashtu, nga mënyra e zgjedhjes, lejonte katapultimin e tipave kamikazë të shefit partiak në këtë post. Por u harrua, se presidenti, përveç anës morale si përfaqësues i unitetit të popullit dhe shtetit, ka edhe atributet praktike si anëtar i këshillit të lartë të drejtësisë, komandant i forcave të armatosura, dhe të tjera, që paralelisht me zbehjen e postit, bien edhe uljen e nivelit të përfaqësimit të këtyre sektorëve jetikë të një shteti.
Në këto kushte, lind nevoja e riformatimit të këtij posti, si në kompetenca, ashtu edhe në mënyrën e zgjedhjes, dhe këtu rrugët e mbetura, janë pak. Ekzistojnë tri rrugë të tilla. Nëpërmjet një shumice të gjerë në parlament, siç ishte rasti ynë i parandryshimeve me 3/5 e deputetëve, i cili nuk mund të kthehet më, jo vetëm për shkak të aksiomës së vjetër, se “në politikë, uji nuk kalon dy herë nëpër të njëjtat brigje”, por edhe sepse është e pamoralshme që të rrëzosh një qeveri e cila, mirë apo keq, e ka marrë mandatin e saj të qeverisë vendin, dhe jo të rrëzohet me artifice ligjore. Edhe rasti më i keq, siç jemi sot, kur qeverisja aktuale, nuk është në gjendje të prodhojë asnjë ide apo progres, duke u kthyer në kosto për vendin, nuk është e drejtë të rrëzohej me shkakun e zgjedhjes së presidentit, për të cilin nuk është votuar, dhe nuk ka pse të përgjigjet për diçka që nuk bën pjesë në programin e saj. Ndaj interlokutorët e Berishës, nuk kanë pse kërkojnë që ky t’iu japë armën me të cilën do ta vrasin, pasi ose është infantilizëm politik i tyre, ose po shpenzojnë në tym energjitë partiake, të elektoratit që i mbështet dhe ndërkombëtarëve që i asistojnë. Rasti i dytë, siç është ai i zgjedhjes së presidentit herën e tretë të votimit, me 71 vota, një surrogato e mënyrës italiane të votimit, rezultoi për shumë faktor, me një dobësim moral të presidentit, dhe këtu jemi dëshmitarë të gjithë. Presidenti aktual, megjithëse një ish vartës i Berishës, është përpjekur për një farë pavarësie. Gjithashtu, sistemi i shkuar, e detyronte forcën politike propozuese, mos paraqiste një kandidaturë çfarëdo. Me sistemin aktual, mund të jemi dëshmitarë të një presidence karikaturiale të tipit “zagarë sulmi”. Ndaj lind nevoja e aplikimit të rrugës së tretë, e cila është ajo e zgjedhjes nga populli. Lind nevoja e aplikimit të kësaj rruge, jo vetëm për shkak se është e vetmja që ka mbetur pa u provuar; jo për krahasimin semplist se e kanë të gjitha shtetet e rajonit, me të cilat kemi një të kaluar të përbashkët totalitariste; dhe jo për arsyetimin moralist se një rrugë e tillë, pavarësisht kompetencave, do t’i japë një suport moral më të besueshëm presidentit të ardhshëm, pasi vjen nga vota popullore, dhe në rastin e një kandidati të përkrahur nga partitë, do ta detyrojë forcën politike të vendosi një individ përfaqësues dhe jo të përulur në të ardhmen; dhe jo se kujtimi i kronikave të kohës, do na japë pamje që të dy liderët aktualë partiakë, pasi hoqën picirin për të zgjedhur Bamir Topin, premtuan se presidenti i ardhshëm, do zgjidhej nga populli. Por kjo rrugë duhet ndjekur, pasi rrit edhe në frekuencë kohore, ushtrimin aq të nevojshëm të shqiptarëve, për të praktikuar demokracinë, siç është votimi. Gjithashtu, kjo rrugë do komplikonte kontrollin e pushtetit vetëm nga një qendër e vetme, aq e përhapur në trevën shqiptare, dhe do rriste larmishmërinë e qendrave të vendim marrjes, një kriter tjetër për aplikimin e sistemit demokratik. Se cilat do jenë procedurat që do arrihet në këtë marrëveshje, kjo është kompetencë e forcave politike. Por një gjë tashmë po bëhet e qartë, se demokracia, është një sistem i cili nuk funksionon në bazë të thjeshtimit të rregullave dhe reduktimit të qendrave vendim marrëse. Përkundrazi, një shumim i tyre rrit garancitë e mbijetesës së diversitetit. Kush është pro shpërndarjes së pushteteve, është pro këtij sistemi. Përndryshe, nuk janë gjë tjetër veçse satrapë të veckël, apo aspirantë për të tillë, të cilët duan të hipin në shalën që iu kanë vënë shqiptarëve në kurriz..
(GSH/BalkanWeb)