E Shtunë, 31 Tetor 2026

Nga plazhi nudo, Rama tenton të nxisë sherret në Bulqizë

21-08-2011 / Gazeta 55

Edhe sevdanë për minatorët, Edi Rama e ka dërguar në formën e letrës së hapur, ku bën thirrje për “situatë revolucionare” e trazira, ndërkohë që s’e ka ndalur fushatën kundër investitorëve të huaj, që operojnë në vendin tonë

Prapë, në rend të parë të ditës ka dalë opozita-gollomesh. Është kjo opozita version blogu, version e-maili, version thashetheme elektronik që po jetëson Edi Rama, qëkur i ka nisur muaji i lakuriqësisë, qëkur ka zënë fill gushti. Pasi fyeu publikisht OSBE-në, duke i pjerdhur dokumentin e zgjedhjeve të 8 majit, nudisti i politikës shqiptare po tenton këtë javë të provojë edhe miniaturën e revolucionit me korrespondencë. Ndoshta nën shembullin e Leninit më 1917 në Finlandë, Edi Rama po mendon në këto ditë 40 gradëshe, se ndoshta në Bulqizë po i ndrit fati. Pasi s’e mori dot bashkinë, megjithë paratë e mëdha që hodhi, me anë të një letre, drejtuar dje gazetës së “vëllamit” Kokëdhima, Edvini i bënte thirrje qytetit të njëjtësohej me minatorët, e që të dyja palët së bashku të mos linin gur pa lëvizur, që të shkatërronin koncesionin e minierës e të nisnin prej andej jetësimin e një “situate revolucionare”, që duket se atij do t’i voliste shumë nga shtatori e më tutje. Nga plazhi nudo, Edi Rama s’e ka për gjë të nxisë publikisht sherret në Bulqizë, duke mos u shqetësuar as për jetën e minatorëve, as për jetën e bulqizakëve, as për jetën e efektivave të forcave speciale, e së fundi, as për investimet e kompanisë austriake.
Halli i Edi Ramës është një i vetëm, ai i krijimit të vatrave periferike të trazirave, njëlloj si në Londër a Birmingam, me anë të të cilave, do të “çelnikoset” edhe “kursi i ri” politik. E për këtë, ai s’ngurron ta thotë hapur se në Bulqizë duhet ndalur me çdo kusht kompromisi e se qyteti duhet të mbërrijë në kolaps, pasi veç kështu mund të dalë mbi ujë, një opozitë e shkatërruar në dy beteja të përgjithshme elektorale, si fronti i karavidheve që ai udhëheq. “Unë s’kam mësime e as këshilla për t’u dhënë bulqizakëve, minatorët grevistë dhe familjarët e tyre e kanë gjetur rrugën për ta luftuar të keqen që u ka hyrë në trup e në shtëpi, i mbështes megjithë shpirt në revoltën e tyre, por që ajo rrugë ta nxjerrë të keqen jashtë minierave dhe Bulqizën jashtë rrezes mjeruese të sundimit të së keqes, qyteti dhe minatorët duhet të bëhen një, - thotë Edvini në letrën e tij gollomesh. - Përndryshe asgjë s’e shpëton atë qytet, që të gjithin, as njerëzit e tij të nëntokës e as ata që mbijetojnë mes varfërisë mbi tokë, nga rrënimi mbytës që do t’i sjellë babëzia skllavëruese”.
Evokimi i trazirave vjen në të njëjtën linjë me apelin e Ditzi (Sulë) Bushatit që Evropa të mos i japë Shqipërisë statusin e vendit kandidat. Krejt kjo përpjekje është një platformë gushti, si një provë-gjeneralë për opozitën e muajit shtator, një opozitë që për kurs të ri politik do të ketë trazirat atje ku krijohet “situata revolucionare” dhe bllokadë nëpër institucionet ku kjo opozitë ka përfaqësim.
I vetmi lajm i mirë i këtij “aborti” politik gushti është se kjo opozitë-gollomesh s’po ka jehonë as brenda gardhit majtist e as tek numri më i lartë i grupeve të interesit. Fakti se si kamikaz i gushtit është gjetur Kol Nikolli tregon qartë se ç’perspektivë do të ketë kjo politikë lakuriqësie e skafellash mafioze.

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›