Kur korbi kënaqet me bukurinë e zogjve të vet!
Përçartjet e Edit s’kanë të mbaruar
Që Edi Rama dërgon gjithandej emisarët e vet që ta pranojnë për të folur kodra pas bregut për lavdinë vetjake, kjo kuptohet nga një shkrim që ai ka bërë dhe është botuar në njërën nga të përditshmet tona, më 26.05.2012. Mjafton të shohim dialogët: -“Ej do të vish në tubim të dëgjosh këtë tipin, Edi Ramën, duke folur?”-“Edi kë?!”-“Edi Rama është lideri i opozitës shqiptare”-“Oh vërtet…”-“Është socialist!”-“Ahh po, sa ekzaltuese!”.
Që këtu fillojnë broçkullat. Ekzaltuese, se je socialist? Socialiste është edhe Miriana Markoviçi, kryetarja e PS-së serbe. Socialist ka pas qenë edhe burri i saj, Sllobodan Millosheviçi. Po ashtu edhe Dik Marti, miku i serbëve dhe armiku i shqiptarëve. Miku i socialistëve dhe bashkëpunëtori i krimeve ndaj shqiptarëve të pafajshëm në Tivar ka qenë Ramiz Alia. Prandaj na qenka ekzaltuese se , që do të zbavisë dëgjuesit me kumbulla të papjekura, na qenka socialist?
Titulli i shkrimit me të cilin po merremi, natyrisht që ka UN-in brenda: Unë dua të bëj ndryshime si kryeministër! Por ja që drejtuesi i një emisioni e ngacmoi paksa, në egocentrizmin e megalomanit: -Po sikur mos të bëhesh? – Do të bëhem” – Po të mos bëhesh? – Do të bëhem – Po të mos bëhesh?-Do të bëhem! Na kujtohet një këngë e kënduar nga Fred Buskalione: Vengo anch’io –No, tu no! e përsëritur disa herë. Dhe përfundimi “Përse jo? Sepse jo!”. Kjo përsëritje monotone, ka një synim: Të sugjestionojë njerëzit për një “të vërtetë absolute”! Enver Hoxha, duke klithur ditë-natë, nga mëngjesi në darkë, se jemi vendi më i lumtur në botë, disa trushkulurve iu ishte mbushur mendja se ishim vërtet të tillë, paçka se ishim me tallona dhe gdhiheshim në radhë për të marrë (apo për të mos marrë) pak qumësht për fëmijën. Edvini e ka gati përgjigjen, -édhe se Blendit i bishtnoi,- në një rast të tillë, me atë shabllonin e përhershëm: “M’i vodhën votat!”. Ai nuk është në gjendje të japë asnjë argument. Thotë se 20.000 komisionerë të tij janë tradhtarë (thuaj se s’i ngjan Enverit!), por nuk është në gjendje të identifikojë asnjërin prej tyre. Thotë se 70 mijë karta biometrike janë të falsifikuara, por nuk i përmendet asnjërit emri! Thotë se dy veta u blenë nga Berisha për të rritur numrat e zgjedhjes së presidentit, por emrat e tyre mbeten anonimë. Është bërë i pabesueshëm. E përmendëm titulli i shkrimit të tij për atë tubimin me pjesëmarrës “socialistët” që ekzaltohen nga prania e një socialisti. Atje u thotë dëgjuesve, disa nga të cilët kanë vajtur për gallatë: ,Jam dhe politikan në një kohë kur ky profesion ngjan si dy pika uji me atë të një shitësi makinash të përdorura”. Ne, shqiptarëve, na ka thënë se s’është politikan!”. Ia ka marrë mendjen mbiemri “I ekzaltuar”. Ungjilli ka një shprehje: “Të ekzaltuarit do të shndërrohen në të përvuajtur. Të përvuajturit do të shndërrohen në të ekzaltuar”. Por atij, E. Ramës, i mungon tërësisht modestia. Dhe sikur ka vajtur atje për qyfyre! Ja ç’thotë vetë: “Po të isha Barack Obama, ju do të ishit të ekzaltuar apo jo? Hë pra, pranojeni. Ai është karizmatik. Do të kishit qenë të ekzaltuar edhe po të isha Angela Merkel. Ajo mund të mos ketë karizmën e Obamës . Ju do të ishit të ekzaltuar edhe për François Holland, sepse ai është njeriu i momentit”. Pa shihni me cilët e gënjen mendja të bëjë krahasime! Mos qethet me gërshërët e shelegëve?
Krahasimet vijojnë: “A shihni ndonjëherë futboll dhe mendoni, për shembull, sa ndryshe do të kishte (qenë) Lionel Messi dhe jeta e Lionel Messit sikur të ishte nga Luksemburgu e jo nga Argjentina?” . Paska vajtur për të zbavitur njerëzit? Kohën e sotme e quan kohën e cinizmit! Përcaktime të një të çekuilibruari! Ja, konkretisht: “Po gjithsesi mund të ishte edhe më keq… Unë mund të kisha qenë lideri i PASOK-ut. Por shpresoj që ajo që kam për të thënë t’ ia vlejë të dëgjohen, sepse në këtë kohë cinizmi dua të flas në mbrojtje të politikës”. Le të shohim disa nga karagjozllëqet e tjera: “Në jetën time të mëparshme isha artist” (mund të thoshte edhe se i ç’niveli ishte si i tillë! Në dhomën me qira të martesës, tregon në atë “Kurbanin” e shthurur, se nuk u gjet dot një pikturë e tij, për atë dhomën e “fukarait”, por një pikturë e një autori tjetër...). Pastaj vazhdon se nuk ka vajtur atje “thjesht për të bërë fushatë për partinë time” por edhe për sfidën e... ngjyrave “për të rikthyer shpresën që kishte humbur në qytetin e tij!” Ja si e ka kthyer këtë shpresë: “Ishte një formë e aksionit politik në kushtet kur buxheti i qytetit që kisha në dispozicion pasi u zgjodha shkonte deri në zero pikë diçka”. Kjo puna e ngjyrave na kushtoi shtrenjtë sepse u bë me ndihmën e firmave të huaja, a thuajse na mungonin bojaxhinjtë dhe bojërat. Gazetat u tallën trishtueshëm për shpenzimet e panevojshme. Një arkitekt i përmendur, urbanist dhe artist i vërtetë (jo si Edi), poet dhe përkthyes i talentuar i poezisë gjermane, P. Kolevica, ka pas shkruar që në atë kohë një artikull të bujshëm, i skandalizuar për ngjyrosjen e shëmtuar të Edit, me blunë e errët dhe me shëmtira estetike si “Pallati me shigjeta”!. “Kur ne ngjyrosëm godinën e parë, duke hedhur një portokalli rrezatuese mbi grinë e zymtë të një fasade të njërës prej rrugëve hyrëse në Tiranë, ndodhi diçka e paimagjinueshme. Pati një bllokim trafiku dhe u mblodh një turmë njerëzish a thua se ishte vendngjarja e një aksidenti spektakolar apo kishin parë papritur ndonjë yll të muzikës pop”. [Ku është, në të vërtetë, ky vend, se po na habit me sensacionet e tij!] “Zyrtari francez i Bashkimit Europian, që ishte përgjegjës për fondet, nxitoi të bllokonte lyerjen. M’u hakërrye se do të bllokonte financimin. “Po pse?” e pyeta unë. Pastaj, pasi futet në dialogë të pabesueshëm, vazhdon: “Nëse ju nuk do të na lini të vazhdojmë punën, unë do të bëj një konferencë për shtyp, këtu, në këtë moment dhe në këtë rrugë, e do t’u them njerëzve që më dukeni si censorët e epokës së Realizmit Socialist.”. Tani po na tregon edhe “antikomunizmin” e tij fiktiv të kohës së “Refleksioneve”, ndonëse përfundoi në atë PS, me organin e saj të pandryshueshëm ZP, të cilin e kishte pagëzuar me “Zuska Plakë”. E tani kjo zuskë është propagandistja e çmendurive të një njeriu që gënjen e përgënjeshtrohet nga kolonel Mit’hat Avari, i cili bëri, me mjetet e tij në dispozicion, pastrimin e Parkut Rinia. Në vend që të hidhet në gënjeshtra e mashtrime të tjera, - siç është mbushur libri i lajthitjeve “Kurbani”, do të bënte mirë ta replikonte kolonelin, i cili ia tha në sy të katër të vërtetat!
Preferoi të rrinte squk, si në rastin e sajesave spektakolare për atë shpifjen me atë muhabetin e Griseëldës, një sajesë që poshtëronte shqiptarët. Por Edvini s’e ka për pesë këtë poshtërim të vendit të tij, përderisa autorin e fabulës makabre, E. Velinë, e gradoi në Asamblenë Kombëtare të PS-së. Pohoi, pra, se është bashkautori i asaj shpifjeje monstruoze, që tmerroi Tania Fajonin dhe klithi, pa dashur: “Kanibalë paskan qenë shqiptarët?”
Pa na ngul këmbë për atë punën e ngjyresave, - vetëm nga ana e fasadave!- dhe na e bën tërkuzë, sikur kjo bojatisja e tij, na paska zgjuar krenarinë e njerëzve! “ Kur u shfaqën ngjyrat, një frymë ndryshimi filloi të ndryshonte shpirtin e njerëzve”. Më tej, duke i rënë cules në një vrimë, na flet edhe për “sondazhin më mahnitës të jetës së tij” (cituar), duke nxjerrë përqindjet e vetëpërgatitura dhe pyetjen e një Narcizi të dalë boje: - “A doni që ta ndërpresim apo ta vazhdojmë?”. Dhe efektet e këtyre ngjyrosjeve si ato të Arlekinit të Kolodit, dhanë produktet e tyre çudibërëse: “Filluan njerëzit të mos hidhnin mbeturinat në rrugë”(!) (kur flitej dita-ditës për ekologjinë përtokë dhe për kalimin me shaminë hundëve para kazaneve të plehrave, pa kapakë! “Dhe bukuria po funksiononte”, - kënaqet i vetëpërkëdheluri, me bojaxhillëkun e tij! Dëgjoni çudirat e bojatisjeve: “Ne e vumë re ndryshimin. Për shembull, njerëzit filluan të hidhnin më pak mbeturina në rrugë (!). Më kujtohet një ditë, duke kaluar në një rrugë të sapongjyrosur pashë një dyqanxhi që bashkë me gruan po vendosnin një fasadë xhami në dyqanin e tyre. Qepenat e vjetër i kishin hedhur në vendndodhjen e mbeturinave. - “Pse i hodhe qepenat?” e pyeta. -“Sepse rruga është e sigurtë tani,” m’u përgjigj. -“Më e sigurt? Pse? Kanë vendosur më shumë policë?”-“Jo mor vëlla, çfarë policësh, po shikoje vetë. Ka ngjyra, ndriçim, trotuar i ri pa gropa. Është e bukur. Është e sigurt. Dhe me tërë mend ishte bukuria që u jepte njerëzve ndjesinë se ishin të mbrojtur, madje edhe nga keqbërësit. E nuk ishte aspak një ndjesi e gabuar: Kriminaliteti u ul (!).
Askujt s’i kishte vajtur në mendje sesi E.Rama e kishte ulur kriminalitetin me anë të ngjyrave të fasadave!