E Diel, 1 Nëntor 2026

Berisha: Kontrata jonë me qeveritë vendore është; ata projektet - ne financimet

Kryeministri Berisha mori pjesë sot në ceremoninë e inaugurimit të përfundimit të punimeve të argjinaturës së lumit Shkumbin, në Komunën Labinot-Fushë, investim me vlerë 30 milion lekë.
Duke përshëndetur banorët e kësaj komune, Kryeministri Berisha u shpreh se qeveria është e vendosur të investojë për të disiplinuar prurjet nga burimet e ndryshme ujore të Elbasanit, me qëllim shmangien e përmbytjeve në zonat e banuara dhe në zonat bujqësore.
“Kjo argjinaturë e shpëton Elbasanin nga përmbytja. Kjo zonë dhe Elbasani në tërësi rrethohen nga burime ujore që kërcënojnë jo pak dhe jo rrallë me përmbytje. Përroi i Zaranikës nga njëra anë dhe lumi Shkumbin nga ana tjetër. Ne jemi të vendosur të investojmë për disiplinimin maksimal të prurjeve të tyre, në mënyrë që të mos përmbyten zonat e populluara dhe zonat bujqësore”, u shpreh Kryeministri.
Më tej, Kryeministri Berisha siguroi kryetarin e Komunës Labinot-Fushë se qeveria do të mbështesë të gjitha projektet për ndërtimin e infrastrukturës në këtë komunë.
“Qeveria do të mbështesë të gjitha projektet për ndërtimin e infrastrukturës jo vetëm në këtë komunë, por në të gjithë qarkun e Elbasanit dhe në çdo qark të vendit. Kontrata jonë me qeveritë vendore është; ata projektet, ne financimet për shkolla, kanalizime dhe rrugë”, u shpreh Kryeministri Berisha.
Kryeministri shoqërohej nga ministri i Arsimit z. Fatos Beja, ministri i Jashtëm z. Lulzim Basha, deputeti i zonës z.Aurel Bylykbashi, përfaqësues të pushtetit vendor, etj.
...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›