E Diel, 1 Nëntor 2026

Qendrimi i Vatikanit: Emigrantët, edhe kur janë të parregullt, kanë të drejta, që nuk mund t’ua shkelë askush

Shërbimi konkret ndaj emigrantëve e refugjatëve është prej vitesh në qendër të vëmendjes së Kishave në vendet e ndryshme të Azisë, parë si vende prej të cilave emigrojnë shumë njerëz, por edhe si vende drejt të cilave drejtohet vala e emigrantëve dhe e refugjatëve si nga brenda vendit, ashtu edhe nga jashtë. Rreth kësaj teme po flitet, duke filluar që sot në Bangkok, në një takim treditor organizuar nga Këshilli Papnor i baritorisë për emigrantët dhe endacakët, në bashkëpunim me Komisionin për lëvizjen e njerëzve të Konferencës Ipeshkvnore të Tailandës. Është në lojë jeta e miliona njerëzve që, së bashku me familjet, detyrohen të jetojnë jashtë vendit të tyre për shkak të konflikteve të armatosura, të problemeve ekonomike e politike, ose thjeshtë për të gjetur punë, në përpjekjen për të siguruar një ardhmëri më të mirë për fëmijët. Të shumta kanë qenë thirrjet e takimet organizuar nga Kishat e veçanta si dhe nga Federata e Konferencave ipeshkvnore të Azisë në favor të emigrantëve, të refugjatëve dhe të familjeve të tyre. Për këto përpjekje, në mikrofonin e Radio Vatikanit, shprehet sekretari i Këshillit Papnor për baritorinë e emigrantëve e të endacakëve, kryeipeshkvi Agostino Marketo: “Pas këtyre deklaratave shikojmë përpjekjen e vazhdueshme të kapelanëve e të veprimtarëve baritorë, që punojnë ndërmjet emigrantëve e refugjatëve, për t’iu përgjigjur nevojave të tyre shpirtërore e materiale, e edhe për të punuar për përparimin e tyre njerëzor, duke u kujtuar se janë bij të një Zoti, që është dashuri. Kishat aziatike, të cilave u përkasin emigratët dhe refugjatët, bashkëpunojnë ngushtë me Kishat ku jetojnë aktualisht, për t’u siguruar këtyre njerëzve jo vetëm ndihmë e mbrojtje, por edhe për t’u krijuar mundësinë të jenë protagonistë të ungjillëzimit. Para së gjithash duhet mbrojtur dinjiteti njerëzor i emigrantëve e i refugjatëve, të jashtëm e të brendshëm, për të siguruar të drejtat e tyre njerëzore. Kjo përfshin sigurimet shoqërore dhe ndihmën mjekësore për punëtorët emigrantë, si dhe mundësinë për të punuar, me qëllim që ata, të cilët kërkojnë strehim, të jenë në gjendje të mbajnë vetveten. Edhe emigracioni i parregullt lidhet me këto rrethana Si mund ta përcaktojmë kush ka të drejtë për ndihmë të veçantë, kur dynden valë emigrantësh, të persekutuar në vendet tyre, ose njerëzish që lëvizin për arsye më pak dramatike? Edhe kur njerëzit që banojnë në fshat zhvendosen në qytet ose përtej kufijve të vendit, shpesh herë kemi të bëjmë me një emigracion pa dokumente. Prirja për të braktisur fshatin e për t’u vendosur në qytete, po bëhet gjithnjë më e shqetësuese, duke krijuar një urbanizim të pakontrollueshëm, me një mori problemesh që e pasojnë. Pastaj vërehet edhe se emigracioni vijon të marrë fytyrë femërore. Emigrojnë gjithnjë më shumë vetëm gratë të cilat, duke punuar larg vendeve të tyre, bëhen burimi kryesor i të ardhurave për familjet e largëta. E nuk duhet harruar se fëmijët e burrat mbeten në vendin e origjinës. Gratë emigrante janë shumë më pak të mbrojtura, sesa burrat, posaçërisht kur punojnë në vende ku nuk njihen të drejtat e gruas. Emigrimi, si i burrave, ashtu edhe i grave, mund të ketë si pasojë dobësimin e lidhjeve familjare, shkeljen e besnikërisë bashkëshortote e zgjidhjen e martesave. Integrimi – jo asimilimi – është një problem tjetër i rëndësishëm. Obama e falënderon Benediktin XVI për mesazhin e urimeve/Kontakti i parë i drejtpërdrejtë i Barak Obamës me Benediktin XVI: dje presidenti i ri i SHBA pati një bisedë telefonike me Papën, të cilin e falënderoi për mesazhin e urimit dërguar të nesërmën e zgjedhjes së tij. Kujtojmë se Papa, përmes ambasadës së SHBA-së pranë Selisë së Shenjtë, i dërgoi një mesazh presidentit të zgjedhur, Barak Obama, në të cilin, duke e uruar atë e familjen e tij e duke e quajtur këtë zgjedhje ngjarje historike, e siguroi se i lutet Zotit ta ndihmojë në kryerjen e detyrave të larta në vend e në bashkësinë ndërkombëtare dhe ta bekojë atë e popullin amerikan, që së bashku me të gjithë njerëzit vullnetmirë, të mund të ndërtohet një botë me paqe, solidaritet e drejtësi. Benedikti XVI në audiencën e përgjithshme: “Eja Zot Jezus e ndërroji padrejtësitë”/Dje Ati i Shenjtë e përfundoi audiencën e përgjithshme me një lutje të improvizuar e të thellë, drejtuar Krishtit, që mundi vdekjen, duke iu lutur që të vijë përsëri në botën e shekullit 21-të e t’i ndryshojë të gjitha situatat, të cilat flasin për drama e padrejtësi: situatën në Darfur e në Veri të Kivusë, atë të indiferencës së njerëzve që e kanë harruar Krishtin e të atyre që nuk e njohin. Katekizmin e audiencës së përgjithshme, mbajtur në Sheshin e Shën Pjetrit, Ati i Shenjtë ia kushtoi përsëri mësimeve të Shën Palit Apostull, duke u ndaluar posaçërisht tek Parusia, apo ardhja e dytë e Krishtit. Nuk do të harrohet lehtë lutja përfundimtare e kësaj së mërkureje në Sheshin e Shën Pjetrit. Pasi shpjegoi thjeshtë atë, që Shën Pali shkroi në Letrat e tij për kthimin e lumnueshëm të Krishtit në mbarim të kohëve, Benedikti XVI ia hapi zemrën turmës që e ndiqte. Ardhja e dytë e Jezusit – tha Papa – i ngarkon me përgjegjësi të krishterët, të cilët duhet të punojnë e ta dëshmojë Ungjillin e tij në të sotmen e historisë. Por kjo – vijoi – nuk duhet t’i bëjë ta harrojnë dëshirën e zjarrtë karakteristike për fenë e krishterë, që shprehet në një lutje shumë të lashtë: “Maranà thà”, “Eja, Zot Jezus”. E kjo ‘Eja’ sot u bë një lutje sa e vetvetishme, aq edhe emocionante, që iu drejtua mbarë njerëzimit. Të krishterët nuk luten që të marrë fund bota, por mund të luten për ardhjen e Krishtit, në një botë ku ka padrejtësi e dhunë, ku ka refugjatë si ato të Darfurit, ku ka njerëz që drogohen, e të pasur që e harrojnë Zotin. Kështu u shpreh Papa në audiencën e përgjithshme, gjatë një reflektimi kushtuar jetës së pasosur, duke u nisur nga letrat e Shën Palit, posaçërisht nga Letrat drejtuar Selanikasve, Filipianëve e Korintianëve. “A mund të lutemi edhe ne me fjalët e lutjes së lashtë ‘Maranà thà”, “Eja, Zot Jezus”? i pyeti Papa 15 mijë besimtarët e mbledhur në Sheshin e Shën Pjetrit, e më pas vërejti: “Më duket se sot, në jetën tonë e në botën tonë, është vështirë të lutemi që të vijë fundi i kësaj bote, të vijë Jeruzalemi i ri, të vijë gjyqi i fundit e gjykatësi, Krishti. E mendoj sinqerisht se nuk e marrim guximin të lutemi kështu për disa arsye: gjithsesi, në mënyrë të drejtë e korrekte edhe ne mund të lutemi, ashtu si të krishterët e parë, e të themi: “Eja, Jezus!”, gjë që nuk do të thotë se duam të vijë fundi i botës, por se duam të marrë fund kjo botë e padrejtë, duam që të ndryshojë në themel e në të të mbretërojë drejtësia e paqja, pa dhunë e pa uri. Këtë dëshirojmë. Po si mund të arrihet e gjithë kjo, pa praninë e Krishtit? Pa praninë e Zotit – pohoi Papa Racinger, i cili e shtjelloi katekizmin lirisht, jashtë tekstit zyrtar – nuk mund të kemi kurrë një botë të re e të drejtë prandaj, në rrethanat e kohës sonë, edhe ne duhet të themi, e me urgjencë të madhe: “Eja, Zot! Eja në mënyrën tënde, në mënyrën që di Ti. Eja atje ku ka padrejtësi e dhunë. Eja në kampet e refugjatëve në Darfur, në Veri të Kivusë e në vise të tjera të botës. Eja atje ku sundon droga. Eja edhe ndërmjet të pasurve, që të kanë harruar, që jetojnë vetëm për vetveten. Eja atje ku je fare i panjohur. Eja e përtërije jetën tonë, zemrat tona! Eja në shpirtin tonë, që ne të bëhemi prania jote, drita jote. Në këtë kuptim lutemi me Shën Palin ‘maranà thà’, “Eja Zot Jezus”, e kërkojmë me gjithë zemër që Krishti të jetë vërtetë i pranishëm sot, që ta rinojë botën tonë!”. ...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›