E Diel, 1 Nëntor 2026

Mitologjia e pushtetit . Diktatura si dëshirë dhe marrëzi në tregimet dhe novelat e Ismail Kadaresë

Gazeta prestigjoze zvicerane, “Neue Zürcher Zeitung”, boton një vlerësim-kritikë mbi botimin më të fundit të veprës së shkrimtarit të madh shqiptar në gjuhën gjermane Nga të gjitha vendet e Europës Lindore, të cilat pas vitit 1945 përjetuan komunizmin në formën e diktaturës njëpartiake dhe të kultit të individit, mbikqyrjes së jetës private dhe të spastrimeve, korrupsionit dhe varfërimit, Shqipëria sigurisht se përjetoi plagët më të rënda shpirtërore. Vendi i vogël malor në jug të Adriatikut e pagoi shumë hidhur rrugën e tij të veçantë “popullore kineze” pasi diktatori Enver Hoxha flirtoi fillimisht me Jugosllavinë e më pas u hodh në krahët e Bashkimit Sovjetik, ai zgjodhi të ecte në gjurmët e Maos, duke përshkuar udhët e Revolucionit Kulturor Kinez – dhe me këtë hap nisi vënien në jetë të një spiraleje të rrënimit shumëplanësh që e çoi vendin e vogël në vetizolim dhe vetmohim. Rreth 600.000 bunkerë ngriti Enver Hoxha në mbarë Shqipërinë, për t’ i bërë ballë ndonjë sulmi sovjetik. Ata kanë mbetur aty si një monument i një çmendurie që e bëri vendin të izolohej për vite të tëra nga bota e jashtme në mënyrë hermetike. 1989 ishte viti kur u duk se kjo kreaturë amorfe po hapej – dhe me sytë e shqyer nga habia për atë që po shihnin, shqiptarët u dërdhën nëpër botë, dhe bota gjithashtu fërkoi me forcë sytë: Vizioni i tmerrit i H. G. Ëell, ..tashmë ishte një aktualitet real europian. Dritare drejt të vërtetës Shumë pak kishte nga ajo që vendit, tashmë të mbërthyer nga kthetrat e pushtetit, mund t’i sillte pakëz frymëmarrje – arti rrëfimtar i Ismail Kadaresë i përkiste në një masë të madhe kësaj përpjekjeje që përmendëm. Ajo çka për gjithnjë mund ta kritikosh autorin e lindur në vitin 1936 është se ai shpesh rezulton të ketë qenë i afërt me regjimin dhe tjetra është se pas ardhjes së demokracisë, tek ai u ndje një farë humbje e madhështisë. Kadare qysh prej mesit të viteve ‘ 60 vërtitej mes përshtatjes me regjimin dhe rezistencës ndaj tij, në përpjekje për të mbajtur hapur një dritare me botën e jashtme, gjë e cila i siguroi atij një famë të shpejtë jashtë vendit e që i krijoi kështu mundësi e një lloj paprekshmërie brenda. Me gjeste sovrane, Kadare ka përshkruar në shumë nga romanet e tij vuajtjet e Shqipërisë nën pushtimin fashist italian, duke sjellë përveç tyre edhe një lëndë historiko-mitologjike si një pjesë të strategjisë së tij për t`i vënë përballë regjimit një pasqyrë në distancë. Vetëm në vitet ‘ 90 ai guxoi më në fund që të përballej në mënyrë frontale me horrorin e regjimit të Hoxhës. Ndërsa Shtëpia Botuese “Ammann” vendosi të nxirrte në dritë “Novela dhe tregime”, lexuesi habitet se çfarë force të paparë poetike dhe çfarë pasurie lënde të pashtershme formash mbart ky autor. 12 pjesë fatkeqësisht të pakomentuara editoriale, të lidhura me historinë, përbëjnë koleksionin shembullor të një tregimtari, i cili i tregon shpesh popujt e ballkanit në këmbimet e tyre multikulturore, të përfshirë rëndom në trazira e çmendurira politike, por edhe realitetin e hidhur të real-socializmit. Në kombinacione gjithnjë e më interesante, na shpërfaqet panorama e nënshtrimit por edhe e heshtjes, vetmisë dhe melankolisë. Kadare përpiqet që brenda veprës së tij të mbartë një linjë të vazhdueshme ironie që përshkon tragjikomeditë e tij dhe absurdin e theatrum mundi, duke i shndërruar shumicën e teksteve të tij në kryevepra. Me dy pjesëza të shkëlqyera të groteskut mitologjik, të mohimit të gjendjes së të dëshiruarit dhe të “konkurrencës së bukurisë” ndër burra ndaj të dëshiruarit, hapet cikli i këtij vëllimi. Kur një vezir i madh - për arsye të afrimit me Europën - në emër të përparimit ndalon me dekret ushtrimin publik të profesionit të mallkuesit, ... del më se e qartë, sesa për të ardhur keq dhe se sa larg Shqipëria me gjithë dëshirën e mirë, ishte nga standardet e Europës moderne. Dhe kur thashethemi i një konkursi bukurie i zhvilluar në provincë bën të bien këmbanat e alarmit në qendrën e pushtetit, tregon më së miri frikën e një pushteti i cili mund të mbijetonte vetëm në sajë të urrejtjes: fituesi është një i përjashtuar dhe shumë i shëmtuar për të qenë i besueshëm. Por e gjithë çështja nis të marrë një kthesë tragji-komike, kur ky i fundit bie në dukje viktimë e një vrasjeje të motivuar nga shkaqe homoerotike, e që së fundmi shfaqet në sipërfaqe si një akt gjakmarrjeje. Tregimi i shfaqur në perspektivën e brendshme dhe atë të jashtme në mënyrë të dyjëzuar, “Muri i madh” është një parabolë për paranojën kineze dhe verbërinë ideologjike të regjimit të Hoxhës, “në mes të një oqeani gënjeshtrash të jesh pronar mbi të vërtetën”. Ashtu sikurse rojtari i Murit me emrin Zhong i frikësohet boshllëkut të shkretëtirës, edhe nomadi Kutluk i frikësohet dekadencës së qyteteve përtej Murit. Të dy mendojnë se po ruhen nga armiqtë përtej Murit, ndërkohë që në të vërtetë ata janë vetë pjesë e një prove qëndrese të njëanshme - me një indiferencë demonstrative - që i bën të dyja palët të jenë të lidhura bashkë. Ngritja dhe mbajtja në këmbë e këtij Muri, për këtë arsye nuk do të thotë luftë, por paqe. Dhe sigurisht se dëshira e rojeve mbetet e paplotësuar..... “Lëshimet në çështjet e tranzicionit” kërkohen në fillim nga një Jezu Krisht dhe më pas refuzohen. “Ikja e Shtërgut” trajton simbiozën e pashërueshme të letërsisë dhe diktaturës, “historia e Lidhjes së Shkrimtarëve shqiptarë në pasqyrën e një gruaje” tregon sërish intelektualët në atë gjendje të bindjes ekstreme kundrejt regjimit. Nëpërmjet projektit të pastrimit të trurit të vetëdekurajimit, tradhëtisë dhe syrgjynosjes, ata i fshihen kështu një pengese - plotësisht në kontradiktë me prostitutën diskrete Margarita, e cila shkon drejt vdekjes. “Vajza e Agamemnonit” projekton panoramën e brendshme të nomenklaturës komuniste, parë dhe rrëfyer në optikën e një dramatiku të ri kritik, i cili ndahet nga shoqja e vet, bija e një funksionari të lartë partiak, në tribunën e nderit të paradës së 1 majit. Çmimi i përkatësisë në pushtet i kthyer pothuajse në një mit me viktimizimin e Ifigjenisë, në këtë rast shfaqet më se i pastër dhe merr të drejtën të çertifikohet në aspektin fenomenologjik. Paturpësia, varfëria në ndjenja dhe vetmia, skicojnë njerëzit e rinj të partisë. Ajo çfarë i mban të bashkuar shpirtrat e tyre të vdekur, është faji i tyre i përbashëkt. Ismail Kadare e paraqet diktaturën si dikush që e ka me vete gjithmonë të drejtën të kërkojë vdekjen e gjithkujt. E nga kjo janë tepër të rrezikuar madje edhe vetë ata, “dora e pushtetit” dhe shpata e tij, siç është rasti i guvernatorit të provincës, i korruptuar dhe maniak seksual, i rrëfyer tek “Ndarja nga e keqja”. Fushata e terrorit e cila ndërmerret nga Sulltani në novelën “Fermani i verbërisë” i cili u dekretua ndaj njerëzve me shikim “të shtrembër”, atakon si ofiqarë të lartë ashtu edhe qytetarin më të fundit. Ajo çka nga njëra anë na paraqitet si një dashuri me nota erotike, në anën tjetër na shfaqet qartazi si frikë dhe faj, të cilët po e brejnë sistemin, pavarësisht nga fakti nëse dikush është viktimë dhe tjetri xhelat. Por edhe vetë pushtetari vërtitet në boshllëk ashtusikurse dëshmohet tek “Vjedhja e gjumit mbretëror”. Kur sulltanit të ri i bëhet me dije se dosja e ëndrrave të gjyshit të tij është vjedhur, ai akoma nuk arrin të marrë me mend se kjo ka vulosur tashmë rrëzimin e tij. Pasi “gjumi është si gjaku”. “Në të gjenden të gjitha” dhe me zhdukjen në dukje të monopolit të diturisë mbi të fshehtat, themelet e tiranisë bien. “Arkaikja dhe absurdi” Mbreslënëse është pasuria e imazheve dhe e ideve në të gjitha këto tregime dhe pjesëza letrare dhe gjeniale skenaret e format rrëfimtare. Nëpërmjet formave të mbuluara me një vello realizmi, të mbarsura me avuj që vijnë nga historia, parabola mitologjike, Kadare arrin ta sjellë “tmerrin shqiptar”, në kohët e sotme, ta aktualizojë, gjë që e bën lexuesin t`i mbahet fryma. I gjendur mes joshjes dhe tmerrit të të huajës dhe besueshmërisë, ai humbet në një “muzeum të paturpësisë që fle këmbëzbathur”. Aty ku arkaikja dhe absurditeti i japin hov rrëfimit, përftohet nëpërmjet vështrimit të hollë, precizioni dhe ironia. Përcjellja në gjermanisht realizuar nga Joachim Roehm, ka arritur ta sjellë më së miri këtë “shaka” rrëfimtare që lëshon shkëndija në një mënyrë shumë elastike. Nga totaliteti i pushtetit njeriu shndërrohet në një dru të thërmueshëm dhe të përkulshëm. Shqipëria e Ismail Kadaresë mund të haset ngado dhe që nuk fle vetëm në të shkuarën. Kush dëshiron të dijë të vërtetën e vërtetë mbi komunizmin, nuk e heq dot nga dora këtë autor. Marrë nga “Neue Zürcher Zeitung” Kopje në gjermanisht e veprës së Kadaresë: Vjedhja e gjumit mbretëror. Novela dhe dhe tregime. Përkthyer në gjermanisht nga Joachim Röhm. Botim i Shtëpisë Botuese “Ammann” në Cyrih-Zvicër, 2008. ...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›