Egjipti kundërshton ndërhyrjen e huaj në Siri

Morsi me këtë deklaratë i ka treguar Perëndimit se Egjipti mbetet një “lojtar” i rëndësishëm në Lindjen e Mesme. Po ashtu, ai ka habitur edhe një pjesë të botës myslimane, pasi partia nga vjen, Vëllazëria Myslimane, është e afërt me Këshillin Kombëtar të Sirisë, që udhëhiqet nga opozita siriane, e cila po përpiqet të largojë nga pushteti presidentin Bashar al-Assad.
“Të gjithë duhet të kuptojnë se me luftë nuk arrihet deri te stabiliteti, sepse paqja mund të arrihet vetëm duke u bazuar në themelet e së drejtës për të gjithë. Egjipti kurrë nuk do të merr pjesë në ndonjë sulm ndaj një pale dhe asnjëherë nuk do të pranojë kërcënimet që do t’i bëhen sigurisë në rajon”, ka thënë Morsi duke komentuar situatën në Siri, ku që fillimi i trazirave para 18 muajve janë vrarë më shumë se 20 mijë sirianë.