E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kur neofitët diskreditojnë vetveten

29-12-2010 / Nga Kostaq Xoxa

Me fjalën neofit dëshirojmë të paraqesim njërin prej tyre, që jo vetëm ia kanë dredhur partisë së tyre, jo vetëm kanë përfituar nga partia që iu dha tituj të pamerituar, por edhe arrijnë të kalojnë në një skaj diametralisht të kundërt. Pasi kishin kaluar nga një grupim politik në tjetrin, tani nuk kuptojnë se janë në rol të anarkistit, nën sqetullën e Edi Ramës.
Fizionomia e këtyre  lloj politikanëve del e plotë vetëm me krahasimin se ç’thoshin dikur, e ç’thonë sot. Për më tepër: si veprojnë sot.
Një intervistë e pak më shumë se 5 vite e shtatë muaj më parë, të datës 8 maj 2006, përmbante një okielo interesante: “Do të kontribuoj realisht për të mundur punizmin në Shqipëri”. Pas një komenti të shkurtër dhjetë rreshtash të kolonës, fillojnë pyetjet. Në këtë koment thuhet se i intervistuari sqaron pozicionin e tij politik në atë që ai e quan “betejë për të mundur punizmin” Shqetësimi i të intervistuarit shfaqet që në fillim të shtyllës së parë, i revoltuar dhe kritik për ecurinë e punizmit, me fjalë që tregojnë edhe njëfarë megalomanie. Frazat që do të citohen si përgjigje të pyetjeve që i bëhen nga intervistuesi, të krijojnë përshtypjen se kemi të bëjmë me një person që ka pasur “marrëdhënie të privilegjuara me kryetarin Berisha” (sipas pyetësit). I vihej në dukje se tanimë po fillonte t’i kundërvihej personit që e kishte kandiduar për deputet (përndryshe do të kishte mbetur një incognito), ndërsa tani kishte nxjerrë pallën kundër monizmit. Këtu është kuintesenca e deputetit të bujshëm, me mëtime sipërane ndaj këllqeve të tij të brishta por, megjithatë,  si individualist që mund të bënte atë që s’e bënin dot kolegët e tij!
Kjo fjala e tij “punizëm” kërkon një sqarim të detyrueshëm në mos për tjetër, për përsëritjen kaq të shpeshtë në këtë intervistë. Duket se ky devocion për zhdukjen e punizmit ishte i lidhur drejtpërdrejt me karrierën e tij. Karrierën e tij politike e quan “të zhveshur nga çdo lloj modestie”, jashtë çdo etike, duke u ankuar ndaj disa njerëzve “që nuk e dinë fare rolin e tij vetjak të ardhjes në pushtet të opozitës” (2005). Kuptohet se fraza pasuese është edhe më e hapur: “Politikanë modest në politikë  nuk ka, kur është fjala për karrierë”. Do të ishte naivitet, sipas kundërshtarit të rreptë të punizmit. Me shprehje të tilla duket se e përfytyron mjedisin politik sikur të jemi në një xhungël.
Citojmë ende: “Asnjë lloj punizmi nuk e ka më mundësinë që të dëmtojë karrierën time; këtë gjë më mirë se kushdo e dinë kundërshtarët e mi të majtë dhe punistë”.
Po ç’janë këta punistë që po na dalin hap pas hapi në këtë intervistë? Ç’është punizmi, që është bërë lajtmotivi i këtyre shtyllave të gazetës? Mbase duhet edhe një shpjegim, për disa nga ata lexues të thjeshtë, që nuk e paskan shumë të qartë, por që e dëgjojnë të përsëritur më shumë se në një mori artikuj gazetash. Punistët përbëjnë një neologjizëm të pas ndërrimit të sistemeve me rrënjë punën, në kuptim të PPSH-së, që ndërroi qyrkun për të vazhduar më e kamufluar ideologjinë e diktaturës, nën velin propagandistik të një partie të re, “të rinovuar”. Fjala “rinovim”  u bë një slogan i përditshëm, derisa e ndjente nevojën e një përforcimi si një parti “europianiste!”, paçka se me mendësinë e diktaturës, fillimisht të fshehur, gjysmë të fshehur më vonë dhe tani, haptazi fare.
R.Alia u skualifikua si propagandist i së keqes dhe nuk u zgjodh as deputet. Por propaganda e tij, e Nexhmijes dhe e ithtarëve të diktaturës mbeti e lulëzuar në faqet e gazetave majtiste luksoze dhe e medieve të fuqishme në bollëkun financiar. Këta janë në përfytyrimin e S. Ngjelës, - të të vetëquajturit karrierist apo arrivist, më saktësisht, - këta janë ata që në një paragraf më sipër quhen nga Taku si “kundërshtarët” e tij të majtë?
Disa vite më parë, S.Ngj, shkruante në intervistën me okielon sipas së cilës do të bënte kërdinë ndaj punizmit: “Gjithçka ecën në favorin tim (megalomania është pjesë e pandashme e arrivizmit të tij). Ka ardhur koha që kapitalizmi ta mundë përfundimisht punizmin. Fryma moniste kërkon të na prishë sërish sistemin për të na rrëzuar por, këtë herë, nuk do të lejohet. Për këtë të jeni të sigurt”. Flet si Zeusi në majë të Olimpit, me rrufetë gati për t’i lëshuar përkundrejt kundërshtarit majtist”! Meqë politika, sipas tij, pranon karrierizmin ekstrem, megalomaninë, brutalitetin...(të gjitha këto aspak në kuptimin përkeqësues), a mos pranon edhe mungesën e sinqeritetit? Sepse ai tani kërkon të rrëzojë bash atë forcë politike që e kishte mandatar si deputet. Madje ta rrëzojë në mënyrë qartësisht brutale, i renditur tashmë në krah të forcave populise, - të korruptuara nga paratë e taksapaguesve, që shpërndahen nga F. Xibri, me borderó, -  në mënyrë thuajse të hapur, i rreshtuar në ambiciet puniste të Edi Ramës...
Citojmë sërish nga kjo intervistë: “Unë gjithmonë kam qenë me një program: Kushtetutë, parlamentarizëm dhe treg të lirë”. Në cilin paragraf të kushtetutës e ka parë Ngjela rrëzimin e qeverisë, për interesa vetjake të Ramës, me anë të rrëmujaxhinjve të rrugës, ku nuk mungojnë mëkatarët enveristë dhe të pasuruarit sa hap e mbyll sytë nga kryengritësit me parime bolshevike dhe antikombëtare të ’97-s? Apo bëmat e anarkizmit të këtij revolucioni “të vonuar” (me flamuj të huaj) i lau e i shpëlau me ujë të bekuar Komisioni famëkeq Ngjela?
Kështu ky i vetëquajtur “kundërshtar i paepur” i punizmit dhe ky ithtar fiktiv i kushtetueshmërisë, na u bë si një aliazh i pazbërthyeshëm, i mbrujtur me forcat më të errëta puniste dhe predikon, me profecitë e një Kasandre të çoroditur, marrjen e pushtetit me dhunë, brenda dy ditëve! E kaloi edhe Leninin. Sepse ky nuk e rrëzoi dot me dhunë social-revolucionarin Kerenski, brenda dy ditëve! Tani Taku na bën “causa comune” me fëmijët e punistëve si Ditmir Bushatin, që akuzohet nga demokratintegralistët jo se është i biri i Sulejmanit, por si ekzemplari që pohon se e paska për nder që është i biri i përgatitësit të listave të ndëshkim-internimeve!
Dhe tani ky anarkist, me emrin S. Ngjela, kërkon të jetë i besueshëm në frazën e fundit që po citojmë prej tij, ndërmjet të tjerave, që do ta zgjatnin së tepërmi këtë shkrim: “Qytetërim perëndimor do të thotë demokraci liberale, do të thotë kushtetueshmëri dhe parlamentarizëm!”...
A mund të imagjinohen këto fjalë të bukura në gojën e një anarkisti?.

...

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›