Shembja e Murit të vizave, çertifikimi i madh i qeverisjes
Në një bilanc vjetor për vitin kalendarik, kryeministri Berisha e ka cilësuar shembjen e murit të vizave, si arritjen më të madhe historike në rrafshin e lirive dhe të drejtave njerëzore. 2011-a do rezervojë sërish rritjen më të lartë ekonomike, ndërkohë që refuzohet në mënyrë të prerë rrëshqitja e vendit drejt një përplasjeje të paprinciptë me bojkotuesit e opozitës
Në pritjen e organizuar dje me përfaqësuesit e medias, kryeministri i vendit Sali Berisha zhvilloi analizën e punës së qeverisë gjatë vitit që po lëmë pas. Gjatë rezymesë së zhvilluar para gazetarëve të medias së shkruar dhe asaj televizive, shefi i ekzekutivit analizoi arritjet e qeverisë në disa prej sektorëve më jetikë të vendit, ndonëse ajo që meriton një vëmendje të caktuar, është arritja historike, liberalizimi i vizave dhe rifitimi i dinjitetit të qytetarëve shqiptarë. Heqjen e vizave shefi i qeverisë e ka cilësuar si arritjen më të madhe të këtij viti, ndërkohë që ka akuzuar opozitën se u përpoq të bllokonte me çdo kusht lëvizjen e lirë të shqiptarëve. “Viti 2010 është viti në të cilin qytetarët shqiptarë, falë reformave të thella dhe të gjithanshme, shënuan arritjen e dytë më të madhe, në rrafshin e lirive dhe të drejtave njerëzore e dinjitetit qytetar pas rënies së perdes së hekurt: Lëvizjen e lirë në Evropë! Pasi ne e nisëm rrugën e Evropës si më të panjohurit, si njerëzit që jetuam në një bunker harrese, si një vend në të cilin vlerat e qytetërimit perëndimor shkelmoheshin në batërdira ideologjike, të panjohura për kontinentin, heqja e vizave për ne ishte më e vështira”- tha Berisha. Duke pohuar më tej, se qëllimi i gjithë aksioneve të opozitës gjatë këtij viti ka qenë ai i bllokimit të liberalizimit të vizave, sepse ai do të përbënte sukses për Sali Berishën dhe dështim për të. “Për të bllokuar vizat, u ndërmor greva qesharake e urisë dhe u bojkotua parlamenti”, shtoi ai. Kreu i qeverisë tha ndër të tjera se reformat mbeten kryefjala dhe prioriteti i punës së saj. Duke folur konkretisht për arritjet e vitit 2010, Berisha tha se liritë fetare dhe ato të medias, kanë njohur arritje të mëdha këtë vit. Kryeministri Berisha theksoi me vija të trasha se heqja e vizave, u arrit si rezultat e zgjedhjeve të lira e te ndershme, duke u zbatuar reformat, miratuar e gjithë paketa e ligjeve për këtë proces, ku opozita nuk votoi, por i paditi në Gjykatën Kushtetuese. “Viti 2010 është viti në të cilën qytetarët shqiptare, falë reformave të thella e të gjithanshme, shënuam arritjen më të madhe në rrafshin e lirive e të drejtave njerëzore e dinjitetit qytetar pas rënies së perdes së hekurt, lëvizjen e lirë në Europë. Kjo është arritja më e merituar në rrafshin e lirive e të drejtave të njeriut e cila ka qenë ndër më të vështirat dhe më e vështira se çdo shqiptar”- theksoi kryeministri. Duke e cilësuar si viti më i suksesshëm në rrafshin e demokracisë, Berisha u ndal në arsyet pse ishte e vështirë heqja e vizave. “Si një popull, mesazhet drejt Europës ishin ndër më të cenuarit, ku vlerat shkelmoheshin në fusha ideologjike të panjohura për komunitetin për BE-në. Heqja e vizave për shqiptaret ishte më i vështirë, mbasi në vitin ’90-të ishte vendi i vetëm ne Europë ku të rinjtë e të rejat ekzekutoheshin, edhe atëherë kur ishte shfuqizuar ligji për tradhtinë ndaj atdheut. Sepse krimi i organizuar dhe mafia në Shqipëri dhe Europë u bënë më famëzezat. U bënë objekt të mijëra artikujve dhe librave të autorëve evropianë. Ishte e pamundur sepse në 8 vite në pushtet, pararendesit tanë nuk lëshuan dot një letërnjoftim elektronik, një pasaportë biometrike. Ishte më e vështirë sepse në këtë Shqipëri, si në asnjë shoqëri, opozita u angazhua me të gjithë potencialin politik për të bllokuar një interes që ishte jetik, për liritë dhe dinjitetin e shqiptarëve”- deklaroi kryeministri, duke përshkruar rrugën e gjatë dhe të vështirë të Shqipërisë dhe shqiptarëve në kërkim të identitetit të tyre të vërtetë. Kreu i qeverisë u shpreh se viti 2010 shënoi hapa të rëndësishme përpara në procesin e integrimit të Shqipërisë në Bashkimin Evropian dhe sipas tij KE do të kishte dhënë vlerësim maksimal nëse opozita nuk do të kishte mbajtur qëndrime destruktive. “Ky vit shënoi hapa të rëndësishme përpara në procesin e integrimit të Shqipërisë në BE. Administrata shqiptare mori pyetësorin dhe u paraqit me dinjitet të plotë me librin e të vërtetave shqiptare prej 3853 faqesh që u dorëzuan në datën 16 prill në KE. Komisioni Europian shprehu vlerësim për të gjitha arritjet, natyrisht për shkak të situatës e krijuar nga qëndrimi destruktiv i opozitës nuk pati mundësi të vendosë për të dhënë statusin e kandidatit”- tha Berisha. Kryeministri Berisha ndër të tjera shprehu vlerësimin më të madh ndaj mediave për denoncimet që bëjnë ndaj korrupsionit. “Shqipëria vazhdon të mbetet i vetmi vend ku administrata nuk regjistron asnjë padi civile apo penale ndaj mediave”- deklaroi kryeministri. Kryeministri foli dhe për investimet në infrastrukturë, duke deklaruar se për vitin e ardhshëm ato do të njohin një dimension të ri me nisjen e punimeve për autostradën Tiranë-Elbasan, përfundimin e punimeve të rrugës së “Arbërit” si dhe çuarjen përpara të aksit të “Boshtit të Jugut”. Më tej, Berisha theksoi se rrogat dhe pensionet kanë patur rritjen me të madhe, në një kohë ku qeveritë, vendet e Be-së dhe rajonit, të cilët ngrinë deri në 20%. “Kjo qeveri realizoi arritjen me të madhe. Me gjithë këto arritje, aparati shtetëror rëndon mbi taksapaguesit shqiptar me 6%, kundrejt 15% që rendin vendet e tjera”- tha Berisha. Kryeministri, në konferencën e fund vitit deklaroi se Shqipëria ka arritur më tej një sukses të madh, Shqipërinë dixhitale. “Kemi instaluar internet falas për qytetarët shqiptare”. “Jo vetëm kaq, një sukses të jashtëzakonshëm, tha Berisha, përbën dhe arsimi dhe rritja e cilësisë”. “Arsimi ka njohur zhvillimet pozitive. Kemi shënuar % më të lartë në Europë dhe në botë të kalimit të nxënësve të kalimit nga klasat e nënta në shkollat e mesme. Këto katër vite ishin vendimtare. 91% e nxënësve janë ulur në bankat e shkollave të mesme, pasi kaluan klasën 9-vjeçare. 70% e studentëve të cilët kanë mbaruar maturën shtetërore janë drejtuar drejt universiteteve”- shtoi më tej kryeministri Sali Berisha, në konferencën e fundit të shtypit për vitin 2010-të.
...Ekonomia shqiptare do vazhdojë të jetë më e larta në rajon dhe Evropë
Duke nisur nga reformat e gjithanshme të qeverisë në sektorët ekonomikë dhe financiarë, kryeministri Sali Berisha deklaroi se edhe për vitin e ardhshëm, Shqipëria do ketë rritjen më të madhe ekonomike në rajon dhe Evropë. Shefi i ekzekutivit tha se optimizmi i këtij parashikimi lidhet me indikatorët frytdhënës siç janë eksportet dhe lehtësitë e veçanta në zhvillimin e biznesit. “Kjo ekonomi ka pasur një rritje rekord në eksportet e saj me 54% rritje nga të cilat 7% janë energji, 17% minerale, 51% janë manifakturë, produkte bujqësore. Investimet e huaja janë rritur me 8 herë krahasuar me vitin 2005. Investimet publike janë më të larta, me 8% GDP në infrastrukturë. Të ardhurat njohën rritje të ndjeshme, 95% e planit ose 8.5% më shumë se vitin e kaluar”- u shpreh Berisha. Shefi i ekzekutivit deklaroi se viti i ardhshëm do jetë një vit plot suksese në rrafshin ekonomik, për të kaluar objektivin e rritjes dyshifrore.
Pyetja ime lidhet me eksperiencën. ju keni këndvështrimin tuaj natyrisht, ju jeni një politikan me eksperiencë shumë të madhe. Duke parë situatën aktuale gjendja duket e pashpresë. Unë pyes politikanin Berisha që ka kaluar mjaft kompromise dhe situata të ndryshme. Në këtë rast janë ezaurura të gjitha rrugët për zgjidhjen e ngërçit politik apo politikani Sali Berisha shikon në një spirale mbi të cilën mund të puntohet?
Absolutisht. Unë mendoj se opozita ka të gjitha shanset për të përfituar. Nuk kam asnjë tendencë për ti kufizuar asnjë të drejtë, por një gjë, politikani Sali Berisha nuk mund të udhëheqë kurrë opozitën. Meqë iu referove eksperiencës, unë kam, ju jeni 20 vjet së bashku me mua. Ju nuk mund të tregoni kurrë njëherë se kam ndërhyrë në problemet e një force politike në këtë vend. Kam ndërhyrë vetëm njëherë në jetën time, e kam thënë në një forcë politike diku tjetër, por që ishte një rast tragjik dhe nuk ndërhyj kurrë më. Është parim i pandryshueshëm i imi. Unë opozitën e respektoj, por nuk mundem që ta udhëheq. I përket asaj, ato marrëveshje që kemi bërë bashkë t’i respektojë. I dëgjoj vazhdimisht, sulmojnë gjykatën se u mohoi të drejtën e rinumërimit të komisionarëve, lavdëroi gjykatën se iu dha mandatin në Ruzhdie. E njëjta gjykatë të njëjtët gjykatës. Nuk ka asgjë më qesharake se kjo. Pse një rast e pranon dhe një rast tjetër e hedh poshtë? Pra unë dhash këtë shembull. Ajo që më mbetet mua, më mbetet ta respektoj plotësisht këtë unë jam i vendosur, e konsideroj vlerë të madhe, pushtet moral, por ndërkohë jeta rrjedh. Të gjitha këto dhe thashë vetëm një pjesë janë zhvillime jashtë kutie. Unë ia kisha bërë të qartë zotërisë se unë kam axhendën time. Do të punojmë bashkë le të punojë, me kënaqësi, por nëse nuk do, nuk je në axhendë. Unë ndjek axhendën time. Unë jam përgjegjës për aq sa jam. Kurrë nuk mendoj se mund të bëhem përgjegjës për gjithcka, se s’arrij dot, fatmirësisht. Në variantin e parë shkruajtën hetim pa kufizime, jo mor zotëri një njeri i lirë nuk e shkruan dot këtë. Njeriu i lirë nuk shkruan dot kurrë hetim pa kufizime. Sepse e di që çdo institucion ka kufizimet e tij në një shtet ligjor. Sepse pushtetet janë të ndara, kështu është. Por janë shqiptarët që do thonë fjalën dhe ne duhet të kemi durim t’i dëgjojmë ata sepse çfarë ndodh në politikë, absolutisht ndodh një fenomen mahnitës, në periudha të tëra t’i udhëheq, ti përcakton, por ka periudha që të udhëheqin, dhe duhet ta kuptosh këtë lloj fenomeni se kjo është absolutisht e vërtetë. Të udhëheqin ata që udhëheq t’i dhe duhet të kesh besim në udhëheqjen e tyre dhe unë kam besim në zgjedhjet e qytetarëve shqiptarë në mënyrë demokratike. Unë kam durim, por më parë preferoj një zgjidhje demokratike nga qytetarët shqiptarë sesa një dhunim të asaj që përbën mekanizmin kryesor të lirive të tyre, të votës së lirë. Sepse ja ku jeni ju gazetarë të pavarur të një spektri shumë të gjerë, por nuk ekziston në arkivat tuaja as edhe një raport i vetëm se në këto zgjedhje u manipulua me numërimin e votave. Dhe ju jeni ata që keni luajtur një rol kryesor në arritjen e kësaj gjëje, duke denoncuar sa herë ndodhin. Pra kjo është situata. Ndaj dhe unë kam besim se shqiptarët mençurisht do të udhëheqin dhe do ta zgjidhin. Unë do vazhdoj axhendën time, i hapur, i respektushëm ndaj opozitës pa asnjë lloj hezitimi.
Komisioni hetimor, Berisha: Kërkesa e opozitës, paburrëri, Edi Rama s’do hetimin e zgjedhjeve
Pak orë pas rrëzimit të komisionit hetimor për zgjedhjet në Parlament, kryeministri Berisha deklarohet i vendosur për dialog me opozitën, por pa shkelur kushtetutën dhe ligjet e vendit. Gjatë fjalës së tij në takimin tradicional me gazetarë e drejtues të mediave ku ka bërë bilancin e qeverisjes për vitin 2010, Berisha tha se përpjekjet për gjetjen e kompromisit do të vijojnë. “Qeveria mbajti të hapur në mënyrë konstante dyert e saj të dialogut me opozitën. Të gatshëm për çdo kompromis, po absolutisht jo me votën tuaj. Nuk ka asgjë më të paqytetëruar, nuk ka asgjë më anakronike se të kërkosh hetim pa fakte, nuk ka asgjë më të paburrëri se sa të zëvendësosh fjalën hetim me fjalën kontroll. Opozita nuk e do komisionin, absolutisht zoti Rama nuk e do komisionin”- deklaroi kryeministri Berisha. Kuvendi rrëzoi të hënën në mesnatë me shumicë votash, projektvendimin e Partisë Socialiste për ngritjen e komisionit hetimor për hetimin e zgjedhjeve të 28 qershorit. Në seancën parlamentare e cila zgjati deri në mesnatë deputetët rrëzuan me 69 vota kundër, 56 vota ‘pro’ dhe një abstenim projektvendimin e PS-së për ngritjen e komisionit hetimor. Seanca e Kuvendit u shoqërua me debate dhe shkëmbim debatesh dhe akuzash mes kryeministrit Berisha dhe deputetëve të opozitës. Gjithashtu në seancën plenare të së hënës u miratua me 70 vota ‘pro’ dhe 9 kundër rezoluta alternative e Partisë Demokratike për progres raportin e Bashkimin Europian.