E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kur nga Kacelët doli piktori

Ishte dhjetë vjeç kur për herë të parë mësoi të bëjë një portret. Në fillim shekullin XX, për familjen e Kacelëve nuk qe vetëm privilegj të diturit, por dalja e një dore si e Sadik Kacelit, do ta bënte pjesë të historisë së arteve pamore shqiptare. Një hapësirë artistike kjo e mjaftueshme për t’i hyrë një monografie, ashtu siç ka bërë studiuesja Eli Xoxa, që pritet të botojë monografinë “Kaceli 1914-2000”. Ky botim do të shoqërohet edhe me një ekspozitë me punime grafike të piktorit që përfshijnë periudhën e mësipërme. Në Galerinë Kombëtare të Arteve në bashkëpunim me Art Galeri “Kaceli”, ekspozita vjen përfaqësuese me një simbolizëm jetësor për piktorin Kaceli. Bëhet fjalë jo vetëm për një veprimtari artistike, por dhe fakte jetësore. Peizazhet, kompozimet, portret janë gjinitë më të lëvruara të piktorit Kaceli që flasin për një dinamikë të brendshme estetike që padyshim do të jenë përfshirë në monografinë e piktorit. Rrëfimet mbi familjen, tregtinë dhe pasionin e pikturës, Tirana e viteve ‘20 bëjnë pjesë në hapësirën manjetike të familjes së Kacelëve. Një reflektim kontekstual rrjedh mbi vetëdijen e Kacelit piktor. E kishte tërhequr Matiss, donte botën e pafundme që i frymëzonte deliret e tij, fantazinë, imagjinatën dhe syresh botën reale, si një perceptim plot ndërgjegje. Me këtë pasaportë vetëdijeje për pikturën Sadik Kaceli i ri, do të ëndërronte, duke konkurruar e fituar në mes 450 studentëve. Në monografi ky është një nga faktet dritëhedhëse për të kuptuar se çfarë po lindte. Parisi i ndryshoi jetën, Pikaso i shtyu hovet, ndërsa kryeqyteti shqiptar, Tirana ia nguli vëmendjen për gjithë jetën. Prej vitit 1939 piktori zgjodhi didaktikën, si mësues vizatimi. Në vitin 1984 bëhet piktor i merituar, në vitin 1994 i jepet titulli “Piktor i popullit”. A i mjaftuan këto për karrierën e tij dhe humnerat e paparashikuara në të ri? Për herë të parë në një monografi vijnë detaje e rrëfenja për familjen e Kacelëve, ndërsa hapësira artistike ka inspiruar jo pak, piktorin Kacelin e sotëm plak, duke na dhënë një atmosferë jo të zakontë nga gjysma e shekullit XX e deri sot.

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›