Pakti PD-PS, rriten gjobat për makinat. Deri në 40 mijë lekë për tejkalim shpejtësie
Gati miratimi i ndryshimeve në Kodin Rrugor në Parlament, sanksione deri në 40 mijë lekë për tejkalim shpejtësie.
Nis shqyrtimi i ndryshimeve në Komisionin e Ligjeve, deputetët e PS sdalin kundër.
Parlamenti do të miratojë javën e ardhshme ndryshimet në Kodin Rrugor, sipas të cilave, katërfishohen gjobat për drejtuesit e automjeteve që shkelin rregullat e qarkullimit. Në mbledhjen e djeshme të Komisionit të Ligjeve nisi shqyrtimi i ligjit të miratuar në qeveri në korrik të vitit të kaluar, i cili prek nenet e Kodit që i referohen tejkalimit të shpejtësisë, respektimit të tabela dhe dhënies së makinës në gjendje të dehur. Sipas këtyre ndryshimeve, të gjithë drejtuesit e mjeteve që kalojnë me jo më shumë se 10 km shpejtësinë përtej normës së lejuar, gjobiten me 2 mijë deri në 8 mijë lekë, ndërkohë që në ligjin aktual kjo gjobë është nga 500 deri në 2 mijë lekë. Në të njëjtën kohë, cilido që tejkalon kufijtë e shpejtësisë me më shumë se 20 km/orë, ndëshkohet me masë administrative, me gjobë nga 10 mijë deri në 40 mijë lekë. Si pasojë e kësaj shkeljeje merret masa administrative plotësuese me pezullimin e leje-drejtimit nga një deri në tre muaj. Sipas ligjit të vitit 1998, kjo gjobë ishte 2500 lekë deri në 10 mijë lekë. Përfaqësuesit e Policisë së Shtetit, të pranishëm në mbledhjen e djeshme të Komisionit, sollën disa shifra të numrit të aksidenteve rrugore në vend si pasojë e mosrespektimit të rregullave të qarkullimit. Sipas përfaqësuesit të Policisë Rrugore, Qamil Sadikaj, gjatë këtij viti kanë humbur jetën 269 qytetarë për shkak të aksidenteve automobilistike. Ai tha se 27% e këtyre aksidenteve fatale janë për shkak të tejkalimit të shpejtësisë dhe 24% e tyre për shkak se drejtuesit e mjeteve nuk kanë patentë. Në të njëjtën kohë ai bëri të ditur se në 10-mujorin e këtij viti janë vendosur rreth 483 mijë gjoba në të gjithë vendin, si dhe janë arkëtuar 383 milionë lekë.
Olldashi
Në mbledhjen e djeshme të Komisionit ishte i pranishëm edhe ministri i Transporteve, Sokol Olldashi, i cili u pyet nga deputetët e opozitës nëse institucioni që ai drejton po përgatit ende amendime të Kodit Rrugor. Sipas Olldashit, ndryshimi i vetëm që po përgatitet është ai që zëvendëson termin Drejtoria e Përgjithshme e Rrugëve me Autoriteti përgjegjës për rrjetin rrugor shtetëror. Nënkryetari socialist i Komisionit të Ligjeve, Fatmir Xhafa, tha se Kodi ka nevojë për ndryshime të mëdha edhe për shkak të numrit të lartë të aksidenteve. Për ne është e rëndësishme që Ministria ka një grup amendamentesh. Ajo që duam të dimë është fakti që këto do të bëhen pjesë e këtij procesi? Në mënyrë që Kuvendi të mos investohet edhe njëherë tjetër për këtë problem. Unë dhe kolegët mendojmë se Kodi Rrugor nuk ka nevojë vetëm për ndryshime teknike, por ka nevojë për ndryshime substanciale, për shkak se transporti rrugor është një gjë dinamike dhe së dyti, për shkak të problematikës që ka pasur këto vite lidhur me aksidentet, u shpreh Xhafa. Në përgjigje të deklaratës së deputetit të opozitës, Olldashi theksoi se jam dakord me atë që thotë Xhafa, që duke qenë se dinamika e transportit është e tillë që evoluon me ditë, herë pas here kemi nevojën që të rishikojmë të gjithë legjislacionin, jo thjesht Kodin Rrugor. Në këtë pikëpamje, do të ishte e udhës që në fillim të këtij procesi që ky komision ka ndërmarrë ne të shohim mundësinë që në të ardhmen një sërë kodesh ti kualifikojmë si ligje. Kjo do të vlente për Kodin Rrugor, Ajror, Detar. Në praktikën e vendeve të BE-së, shumica i kanë këto si ligje të thjeshta.
8 mije leke
Sipas ndryshimeve të propozuara në Kodin Rrugor, nëse një
drejtues automjeti tejkalon jo më shumë se 10 km shpejtësinë mbi normën e lejuar, gjobitet me 2-8 mijë lekë. Deri tani gjoba për këtë shkelje ishte nga 500 deri në 2 mijë lekë
383 milione leke
Përfaqësuesit e Policisë bënë të ditur dje në Komision se deri tani janë arkëtuar si të ardhura nga gjobat 383 milionë lekë. Në të gjithë vendin, nga 1 janari deri tani, janë vendosur 483 mijë gjoba për shkelje të normave të lejuara
Debati në Komision
Ilir Rusmali: Ministria e Transporteve do të na shpjegojë për punën që po bën ky dikaster për ndryshimin e Kodit Rrugor.
Sokol Olldashi: Kemi të bëjmë vetëm me një ndryshim teknik. Parlamenti ka miratuar Ligjin e Autoritetit Rrugor Shqiptar dhe i vetmi ndryshim që nuk ka qenë në paketën e ndryshimeve të Kodit që ju keni përpara, është që në të gjitha dispozitat e Kodit ku përmendet Drejtoria e Përgjithshme e Rrugëve të ndryshohet emërtimi sipas propozimit që ne kemi bërë në Autoriteti përgjegjës për rrjetin rrugor shtetëror. Nuk bëhet fjalë për një paketë ndryshimesh.
Fatmir Xhafaj: Për ne është e rëndësishme që Ministria ka një grup amendamentesh. Ajo që duam të dimë është fakti që këto do të bëhen pjesë e këtij procesi? Në mënyrë që Kuvendi të mos investohet edhe njëherë tjetër për këtë problem. Unë dhe kolegët mendojmë se Kodi Rrugor nuk ka nevojë vetëm për ndryshime teknike, por ka nevojë për ndryshime substanciale, për shkak se transporti rrugor është një gjë dinamike dhe së dyti, për shkak të problematikës që ka pasur këto vite lidhur me aksidentet.
Sokol Olldashi: Jam dakord me atë që thotë Xhafa, që duke qenë se dinamika e transportit është e tillë që evoluon me ditë, herë pas here kemi nevojën që të rishikojmë të gjithë legjislacionin, jo thjesht Kodin Rrugor. Në këtë pikëpamje, do të ishte e udhës që në fillim të këtij procesi që ky komision ka ndërmarrë ne të shohim mundësinë që në të ardhmen një sërë kodesh ti kualifikojmë si ligje. Kjo do të vlente për Kodin Rrugor, Ajror, Detar. Në praktikën e vendeve të BE-së, shumica i kanë këto si ligje të thjeshta.
Sajmir Tahiri: Sa prej aksidenteve fatale janë shkaqe që ju përmendni në relacion? Nga 1 janari deri sot, sa janë ngjarjet me pasoja fatale dhe sa janë prej shkaqeve që keni renditur si amendamente në Kod?
Qamil Sadikaj (përfaqësues i Policisë së Shtetit): Aksidentet me pasoja fatale, që kanë ardhur si rezultat i mosrespektimit të normave të shpejtësisë, është 27% e numrit total. Fenomen i dukshëm për të cilin kemi kërkuar ndërhyrje është përdorimi i mjeteve pa u pajisur drejtuesit me dëshmi aftësie dhe këtu është 24.3% e rasteve që janë me pasoja fatale.
Sajmir Tahiri: Sa është totali i aksidenteve me pasojë humbjen e jetës nga 1 janari deri më sot?
Qamil Sadijak: 269 persona.
Sajmir Tahiri: Sa është totali i masave administrative të marra këtë vit, e përkthyer kjo edhe me totalin e arkëtimit? Sa gjoba dhe sa lekë janë mbledhur?
Qamil Sadikaj: Gjithsej gjatë periudhës 10-mujore janë 482 920 mijë.
Sajmir Tahiri: Sa lekë janë këto?
Qamil Sadikaj: Janë 383 615 571 lekë. Këto janë me të reja.
Ulja e numrit të aksidenteve
Propozimet që bëhen për ashpërsimin e masave administrative me gjobë për këto kundërvajtje administrative, që përbëjnë një burim të shtuar rreziku për aksidentet, nisur edhe nga përvoja e vendeve të BE-së, të cilat i kanë ashpërsuar tepër, do të ndikojnë në rritjen e parametrave të sigurisë rrugore, parandalimin e ngjarjeve aksidentale dhe uljen e viktimave në trafik, thuhet në relacionin e projektligjit. ADI SHKEMBI