Lajthitje ballkanike në Tiranë
Mes rrëmujës së përgjithshme të zgjedhjeve lokale, vështirë ta ketë pasur njeri mendjen se çbënte ministri bullgar i Financave, Simeon Djankov, në Tiranë ditën e hënë, 8 maj 2011. Fatmirësisht, këtë e sqaron agjencia bullgare e lajmeve Sofia News Agency, në lajminpër takimin e tij me anëtarë të Bashkësia historike minoritare bullgare në Shqipëri.
Edhe lajmi të forcon përshtypjen se asnjë qeveritar shqiptar nuk ia ka pasur ngenë Djankovit, ndërkohë që ky, duke i parë shqiptarët të kthyer me kurriz dhe të përkulur mbi kutitë e votimit për të… numëruar votat, e ka gjetur të arsyeshme ta ndiejë veten si në shtëpinë e vet dhe të mirëpresë përfaqësuesit e bullgarëve etnikë në Ambasadën Bullgare në Tiranë. Normal, do të thoshte shumëkush, me një shprehje… që është bërë mjaft e modës në kushtet e mungesës së plotë të normalitetit. Megjithatë, lajmi i Agjencisë Bullgare përmend, ndër të tjera, se llogaritet që në Shqipëri jetojnë nga disa mijëra, deri në disa dhjetëra mijëra bullgarë etnikë nga komunitete historike, duke përfshirë këtu bullgarë të krishterë ortodoksë dhe myslimanë, kryesisht në bashkësitë e Golo Bardo-s (Gollobordës) dhe Mala Prespa-s (Prespës së Vogël), në Shqipërinë Lindore dhe Juglindore.
Nuk di të them se çkupton zoti Djankov me termin bashkësi historike. Historikisht, shqiptarët dhe bullgarët kanë pasur disa pika takimi. E para ka qenë në formën e një periudhe të gjatë, mjaft të errët historikisht, pushtimi i trojeve shqiptare nga një shtet dikur i fuqishëm bullgar. Kjo duhet të ketë ndodhur diku nga thellësitë e Mesjetës, atëherë kur se merrte vesh i pari të dytin, para se otomanët të mbërrinin në Ballkan.
Pika e dytë e takimit midis është të jetuarit e të dy popujve të pushtuar nën të njëjtin shtet, atë otoman. Kjo periudhë është disi më e qartë, të paktën në kuptimin që në atë kohë popullsitë e gadishullit u bënë çorbë dhe u ngatërruan keq me njëra-tjetrën.
Pika e tretë është tepër e diskutueshme. Bullgarë e shqiptarë jetojnë në hapësirën ballkanike dhe mund të pretendohet se takohen gjeografikisht vetëm nën shtetin maqedonas. Nëse bullgarët arrijnë ta provojnë se maqedonasit janë bullgarë, atëherë mund të pranohet se shqiptarët e Maqedonisë jetojnë në një shtet me bullgarët e Maqedonisë (ata që më së shumti e quajnë veten maqedonas të Maqedonisë).
Por ky sështë aspak problem që bullgarët dhe ministrat e tyre të Financave mund ta zgjidhin me shqiptarët, ose me Shqipërinë, ose në Tiranë. Ky është problem që duhet zgjidhur midis Sofjes dhe Shkupit. Porsa Shkupi ta pranojë që në Maqedoni jetojnë bullgarë dhe jo maqedonas, edhe ne shqiptarët mund ta marrim në konsideratë këtë lloj realiteti.
Ndërkohë, pa e zgjidhur këtë punë me Maqedoninë, Djankov ska përse thotë në mes të Tiranës që fshatrat me popullsi që ne i dimë për maqedonase (në Prespën e Vogël dhe Gollobordë), janë fshatra me komunitete bullgare. Edhe drejtuesit e shtetit shqiptar nuk kanë përse rrinë si të hutuar para kutive të votimit dhe të lënë tu kalojnë mes shalëve deklarata të tilla.
Problemi tjetër me deklaratën e Djankovit dhe lajmin e Sofia News Agency janë shifrat e çuditshme të llogaritjes së bullgarëve (maqedonasve) në Shqipëri: nga disa mijëra deri në disa dhjetëra mijëra. E shprehur më qesim, më pa përgjegjësi, nuk ka ku bëhet. Çfarë mund ta ketë penguar të thotë nga disa dhjetëra mijëra, në disa qindra mijëra? Ose, nga disa qindra mijëra, në disa qindra milionë?
Një budallallëk i tillë, ose një mungesë e tillë përgjegjësia profesionale (qoftë për politikanin, qoftë për gazetarin), nuk do të ishte aspak shqetësuese po të mos përbënte normë në Ballkan. Kjo logjikë llogaritjeje (që ska asnjë lidhje me faktet, me të vërtetën), përdoret nga shovinistët në Greqi, në Serbi, në Rumani, në Maqedoni, në Bullgari. Fatkeqësisht, ajo po ka filluar të pëlqehet edhe nga shovinistët në Shqipëri.
Është logjika bjeri ti biem. Ti jep ca shifra me hamendje, unë jap ca shifra të tjera me hamendje. Të dalë ku të dalë. Aq e fortë është kjo prirje, saqë sot në Shqipëri po fiton terren në mënyrë të frikshme një lloj lëvizjeje haxhiqamilase kundër regjistrimit dhe numërimit të popullsisë. E drejtuar nga interesa të dyshimta, e mbështetur te histeria e tifozllëkut të stadiumeve të futbollit dhe masiviteti i peticioneve të nënshkruara nga turma që se kanë idenë çbëjnë, ajo është praktikisht një lëvizje kundër arsyes, kundër fakteve, kundër së vërtetës. Parulla e saj kryesore është: Ti themi ndal numërimit!
Me çfarë logjike mund ti shërbesh kombit duke i thënë ndal numërimit? Si mund ta hedhësh poshtë pretendimin absurd të Djankovit për praninë e nga disa mijëra deri në disa dhjetëra mijëra bullgarëve në territorin e Republikës së Shqipërisë, po nuk i numërove bullgarët e Shqipërisë dhe ti tregosh numrin e saktë? Si mund ti hedhësh poshtë pretendimet për praninë e 300 000 grekëve në Shqipëri po nuk i numërove grekët që jetojnë në Shqipëri dhe të thuash: Ja, kaq janë?
Nëse ne do të vazhdojmë me kokëfortësi të mbetemi një komb që sdimë dhe sduam të numërojmë (as votat, as popullsinë), ata që kemi përreth do të vazhdojnë të na ngjeshin çfarëdolloj numrash që tiu dojë qejfi. Pikërisht këtë bëri Djankovi ditën e hënë në Tiranë, teksa shtetarët, politikanët, gazetarët dhe gjithë shqiptarët i kishin kthyer atij të prapmen, ashtu të përkulur mbi kutitë e votimit, duke u zënë me njëri-tjetrin ngaqë snumëronin dot votat.
