E Diel, 1 Nëntor 2026

Kur poezia merr jetë prej pikturës

Libri “Fjala e Omerikëve” promovohet në GKA. Merr pjesë piktori Omer Kaleshi

Pikturat e tij kanë frymëzuar edhe poetët. Vargjet kanë ardhur në jetë prej veprës së Omer Kaleshit, piktorit shqiptar i cili jeton në Francë prej vitit 1965. pikërisht këto poezi, të autorëve të ndryshëm, shqiptarë, francezë, maqedonas e kosovarë, janë përmbledhur në një vëllim poetik i cili do të promovohet sot në mesditë në ambientet e Bibliotekës së Galerisë Kombëtare të Arteve. Në librin “Fjala e Omerikëve”, kështu titullohet antologjia e poezive kushtuar veprës së piktorit të madh, janë mbledhur 12 autorë, si Jacques Lacarrière, Laure Cambau, Özdemir Ince, Eftim Kletnikov, Ilhami Emin, Jordan Plevnes, Klime Korobar, Daim Iliazi, Ali Podrimja, Petraq Risto, Alket çani, Luan Rama, ndërsa lista plotësohet me tri ese të Gil Jouanard. Libri përmban edhe shumë riprodhime të pikturave të Kaleshit, të cilat qëndrojnë krahas shkrimeve që ato kanë frymëzuar. Përmbledhja e materialeve është bërë nga studiuesi Luan Rama, i cili shkruan në parathënie se ky libër është një kumt poetik për krijimtarinë shumëvjeçare të Omer Kaleshit, këtij piktori që me itinerarin e jetës së tij përfaqëson katër vende: Shqipërinë, Maqedoninë, Turqinë dhe Francën. Pikërisht, poetë nga të katër këto vende, duke shtuar dhe Kosovën, miq të piktorit dhe njohës të pikturës së tij, bashkojnë zërat e tyre në këtë ligjërim poetik, ku çdo poezi ballafaqohet me një tablo, me “kokat” e tij, me atë ç’ka përbën shpirtin e këtij artisti, sa ballkanas, aq edhe europian. Vetë piktori do të jetë i pranishëm në promovimin e këtij libri, së bashku me studiuesin Luan Rama dhe të tjerë personalitete.

#

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›