Kur publiku qesh me krizën e ekzistencës së tij
“S’ka burrë që tradhton gruan time”, në premierën e tij shënoi sukses jo vetëm për mesazhin që përcjell, por dhe për ironinë dhe humorin e hollë me të cilat vihen në lojë
familjet e sotme shqiptare
Salla “Shekspir” u shkri nga të qeshurat dhe duartrokitjet pasditen e së djeshmes, të shkaktuara nga komedia “S’ka burrë që tradhton gruan time”, me regjisor Milto Kutali dhe në role të shkëlqyer Guri Koço, Armela Demaj dhe Florian Agalliu. Skenari i dy shkrimtarëve amerikanë Samuel Bobrick dhe Ron Clark ngërdhesh antropologjinë kulturore të njeriut bashkëkohor që është në krizë ekzistenciale si produkt i një realiteti kaotik. Një grua rreth të 40-ave, por që natyra e ka mbajtur me hatër, me karakter të lehtë dhe materialiste, tradhton të shoqin me dentistin e familjes. Duke dashur të divorcohet dhe të jetojë e lumtur historinë e saj të pasionit, thur me të dashurin e saj intrigën për të mbytur në vaskë bashkëshortin. Skenat janë sa komike po aq dhe dramatike. Subkoshienca e personazheve nuk fshihet në këtë komedi, por shfaqet aq hapur sa shkon paralel me të ndërgjegjshmen dhe ky konflikt të bën që të përjetosh të qeshurat me dramacitet. Dialogët dhe subjekti në vetvete prekin tokën e sotme në ujërat e së cilës, ujëra të pistë në fakt ku notojnë në përgjithësi me hipokrizi të ashtuquajturat familje, partnerët tradhtojnë secili për vete dhe nuk preferojnë divorcin. Duke iu rikthyer subjektit, gjithçka funksionon perfekt dhe bashkëshorti vjen atë ditë në hotelin ku e prisnin Marlen dhe i dashuri i saj dentist për ta vrarë. Pol, personazhi kryesor, ka bërë gjithçka për gruan e tij Arlen. Ai preferon të vetëflijohet për të dhe në vend që t’i japë divorcin i propozon: seancën e pajtimit. Pol është një personazh sa i dhimbsur aq naiv dhe që i përshtatet realitetit. Kanë kaluar gjashtë muaj. Arlen sërish në të njëjtin hotel ka vendosur të vrasë veten. Pol është i pari që mbërrin dhe zbulon sesi i iku atij ajo, Arlena është tradhtuar prej Michellit nga një tjetër grua. Burri i mbush mendjen gruas që nuk e ka parë prej gjashtë muajsh të mos e vrasë veten, por të vrasin të dashurin e saj. Michell pëson fatin e Polit, i intriguar për të ardhur në të njëjtin hotel dhe gjendet përpara grykës së pistoletës që vetë Arlena ia ka dhënë të shoqit. Pol do hakmarrje, pasi për të ajo që nuk falet është se: S’ka burrë që tradhton gruan time. Sigurisht Michell është dentist, por edhe dashnor tejet pasionant, një donzhuan që kapërcen çdo situatë. Përballë këtij njeriu Arlena mund të thotë vetëm: “nuk më bën zemra ta vras”. Pol propozon vetëvrasjen. Një hedhje e Michell nga dritarja... Dashnori gjithmonë ka fat. Nën dritare është një parmak. Kanë kaluar edhe gjashtë muaj të tjerë. Arlena pasi la Polin, ka lënë edhe Michellin. Dy burrat tashme në të njëjtin hall thurin intrigën në po të njëjtin hotel dhe përgatisin trekëmbëshin për gruan që i ka tradhtuar. Litari këputet në momentin final. Gjithçka përfundon si jo më mirë. Burri, gruaja, dashnori mbeten sërish miq të mirë. Duke u ndikuar edhe nga konstrukti i sallës, që nuk ka barriera mes saj dhe publikut, por mbi të gjitha nga dialogët e prekshëm të pjesës, publiku ishte pjesëmarrës në komedi, jo vetëm me duartrokitje të pakursyera, dhe me të qeshura ekzaltuese, por të tunduar edhe për shkëmbime batutash. Komedia u cilësua e suksesshme nga zv.ministrja e Kulturës, Suzana Turku, aktorët Birce Hasko dhe Luftar Pajo. Ky i fundit sugjeroi që pjesa të mos qëndronte në një hapësirë të ngushtë, vetëm në Tiranë, por si cilësisht e mirë të udhëtonte gjetkë. Pjesa e shkruar nga dy amerikanë i kalon kufijtë e identitetit gjeografik, pasi realisht familja e sotme po përjeton krizën e thellë të kohës ku jetojmë. Personazhi kryesor Pol, mësohet me tradhtinë e gruas, por hidhërohet për tradhtinë e radhës, derisa të mësohet edhe me atë. Gruaja që nuk di çfarë do, e pakënaqur seksualisht nga burri, por e keqardhur për të se i plotëson gjithçka materialisht, nuk plotësohet as me dashnorin e saj, pasi njeh profesorin e filozofisë me të cilin ndihet se çlirohet shpirtërisht dhe intelektualisht. Kjo tregon për krizën e ekzistencës së njeriut të sotëm, që nuk di çfarë do, ka humbur sistemin e vlerave dhe gabon në mënyrë të vazhdueshme. “Nuk ke faj e dashur, as unë nuk kam faj, asnjëri nuk ka faj. Kemi faj të gjithë”- përfundon pjesa me tekstin e personazhit kryesor.