Migjeni, ringjallet dhe kryqëzohet, në teatrin “Migjeni”
Megjithëse me vonesë, por gjithsesi qyteti i lindjes së poetit dhe prozatorit poetik modern edhe në ditët e sotme, Millosh Gjergj Nikolla, ka bërë të mundur shfaqjen e një drame poetike mbi autorin e madh. Premiera është dhënë me një pjesëmarrje të madhe të publikut gjithmonë të interesuar shkodran. Ka qenë një angazhim i drejtuesit të teatrit “Migjeni”, zotit Edmond Angoni dhe me regji të Bruno Shllakut, që ka bërë të mundur edhe vënien në skenë të një premiere e cila për nga materiali që përmbledh është e bollshme, por për nga trajtimi dhe sjellja tematike në vitin 2011 nuk është aspak e lehtë. Aktori dhe regjisori që ka vënë në skenë një shfaqje të tillë e ka quajtur “Të lindet njeriu” dhe normalisht që ideja përçuese është vargu si poetik dhe në prozë që ka Migjeni. Shllaku është munduar të sjellë diçka ndryshe nga herët e tjera te Migjeni, diçka me narracion poetik dhe ideor, dhe e ka arritur në sajë të efekteve, modelit tregimtar dhe sugjestionues në skenë, të shumë momenteve njerëzore që marrin pjesë. Ai e risjell Migjenin, që në fakt interpretohet besnikërisht si figurë dhe plastikë nga aktori Ergys Bamçi, duke i shtuar edhe momentin e sotëm të habisë relative për aktualitetin, dhe vuajtjes në një “kryqëzim” që nuk është kaq shumë i djeshëm, sesa pikërisht i sotëm. Loja e aktorëve është kryesisht me treshen tepër deklamative në interpretim, si Bruno Shllaku, Rajmonda Marko dhe Paskualina Shllaku dhe thuhet deklamative, sepse drama, në fakt, ka pasazhe të poezisë së fortë migjeniane. Po t’i shtosh kësaj tresheje edhe artisten e madhe Tinka Kurti, loja në madhësinë e saj është pothuaj perfekte. Megjithatë, modernia dhe risia në këtë shfaqje, ishin të rinjtë e shumtë që merrnin pjesë. Millosh Gjergj Nikolla është “ringjallur” në teatrin “Migjeni”, por edhe është gati i kryqëzuar në formë.