Kur shkelet Kushtetuta?!
“Prokuroria ka shkelur Kushtetutën”. Ky ishte në thelb konstatimi i Gjykatës së Lartë në vendimin e saj për çështjen e rrugës Durrës–Kukës-Prishtinë. Kjo ishte një përgjigje e pritshme ndaj këtij procesi hetimor nga më të dyshimtit dhe më të debatuarit, që përfundoi nga një hetim i pretenduar krimi, në një krim të rëndë siç është “shkelja e Kushtetutës”. Duket qartë se në fund të procesit, rëndësia nuk qëndron te lirimi nga akuzat të “të pandehurve” por tek vepra penale (shkelja e Kushtetutës) e konsumuar nga një institucion që paguhet me taksat e shqiptarëve për zbatimin e Kushtetutës dhe krejt ligjeve të këtij vendi. Ndodhemi përpara një krimi institucional, efektet e të cilit i kalojnë shumë përmasat që synonte procesi gjyqësor në fjalë, pasi përbëjnë vetëm precedentin e shkeljes së ligjeve që garantojnë të drejtat e njeriut dhe krejt sistemin ligjor mbi të cilin është ngritur e funksionon shteti ligjor dhe demokracia. Mendoj se momenti në fjalë duhet të jetë kryefjala e debatit politik dhe institucional dhe precedenti me rrugën Durrës-Kukës- Prishtinë mund të shërbejë si mundësi e verifikimit të shkeljes së Kushtetutës edhe në raste të tjera nga institucioni i akuzës shqiptare. Politika shqiptare, institucionet shtetërore, mediat, shoqëritë civile etj., e kanë pasuar temën kryesore të debatit shkeljen e Kushtetutës në këto katër vite të qeverisjes se djathtë, madje është krijuar edhe një komitet me njerëz publike për “mbrojtjen e Kushtetutës”. Por deri tani nuk ka pasuar ndonjë rast ligjërisht të vërtetuar të “shkeljes së Kushtetutës”, gjë që e ka orientuar debatin tek aludime apo dyshime për veprime të tilla. Por vjen momenti kur autoriteti më i lartë i drejtësisë ligjëron një veprim të tillë, palët në debat heshtin dhe vetë “debati” i deritanishëm dëshmon se ka pasur si qëllim jo mbrojtjen e Kushtetutës, ligjit dhe demokracisë, por luftën politike. Gjithsesi, me gjithë mekjen apo stepjen e institucioneve, mediave dhe shoqërisë civile, jemi përballë një fakti, anashkalimi i të cilit është teorikisht dhe praktikisht i pamundur. Çfarë ndodh me institucionet, zyrtarët dhe njerëzit që shkelin Kushtetutën?! A ka vetë Kushtetuta, ligji themeltar i shtetit shqiptar, një dispozitë apo një përgjigje ligjore për një situatë të tillë?! Kjo është pyetja që lind vetvetiu pas konstatimit nga Gjykata e Lartë e konsumimit nga prokuroria të një krim të tille. Fakti që institucioni i akuzës guxoi të shkelë Kushtetutën në një proces në qendër të vëmendjes së mediave dhe krejt opinionit publik, e bën urgjent e serioz reagimin e institucioneve të tjera të shtetit dhe të opinionit publik. Mendoni faktin se kur një vepër e tillë guxohet të konsumohet në dëm të personave që kanë mundësi të konsiderueshme mbrojtjeje, siç është ministri Basha, ç’mund të bëhet ndaj njerëzve që nuk kanë mundësinë e mbrojtjes ligjore , politike e midiatike apo kulturën e duhur juridike për të kuptuar shkeljen e të drejtave të tyre kushtetuese? Sa fatkeq rrinë me vite të tëra në paraburgime, procese hetimore e gjyqësore përtej afateve kohor të parashikuara me ligj?! Sa të tjerë akuzohen e burgosen padrejtësisht!? Kohë me parë ministri i Drejtësisë, Alibeaj, bëri publik faktin se një person vazhdonte të mbahej në burg padrejtësisht prej disa muajsh vetëm pse prokurori nuk i kishte komunikuar ndërprerjen e hetimit ndaj tij. Nuk di nëse pati ndonjë reagim zyrtar ndaj denoncimit të ministrit, por kam të gjithë që drejtën të besoj se shkelja e Kushtetutës dhe të drejtave të njeriut është një praktikë pune e akuzës shqiptare, e ndoshta dhe e institucioneve të tjera të shtetit shqiptar. Si përfundim, mendoj se toleromi i një situate të tillë përbën një kërcënim serioz për shtetin ligjor, demokracinë dhe në mënyrë specifike respektimin e të drejtave themelore të njeriut. Natyrisht që reagimi i parë pritet nga institucionet që e kanë detyrë kushtetuese mbrojtjen e Kushtetutës. Mirëpo ky moment nuk mund të ngelet dot as jashtë vëmendjes së politikës, mediave dhe opinionit publik. Ky moment pritet të jetë natyrisht një shqetësim edhe për përfaqësitë e institucioneve ndërkombëtare dhe vendeve partnere që duhet të aplikojnë standarde të njëjta, qëndrimi për rastin konkret si ato që artikuluan për shkeljet e Kushtetutës kur prekën interesat e autorëve të krimeve të diktaturës komuniste( ligji i lustracionit). Më e pakta që duhet ta bëjnë publikisht, është distancimi i tyre nga këto praktika antikushtetuese të prokurorisë që mund të jenë inkurajuar ndoshta edhe nga “keqkuptimi” i deklaratave mbështetëse të përfaqësuesve ndërkombëtarë. Gjithsesi, përgjegjësia politike e ligjore për situatën dhe zgjidhjen e saj mbetet tek krerët e institucioneve të shtetit shqiptar.