E Shtunë, 31 Tetor 2026

Një shtrat për mbretëreshën



Altin HAXHINASTO

Na pati jetuar një herë, në kohë që s’mbahen mend, një bijë mbreti në moshë të re, që e pëlqente kaq fort nurin e saj, saqë s’e ndante prej duarve një pasqyrë të madhe me bisht të gjatë. Vajzës i patën dhuruar tri kupa të qelqta, njëra e mbushur me lëngun e bukurisë, e dyta me lëngun e mençurisë, ndërsa e treta me lëngun e kujtesës. Çdo mëngjes ajo duhej t’u merrte erë kupave, secilës nga një herë e kështu mund të rrinte e bukur si gonxhja e lules, e mençur si pleqtë e urtë dhe kurrë s’do harronte se çfarë ishte e mira dhe e keqja. Njerëzia rrallë e tek shkonin për t’i kërkuar ndonjë këshillë të mençur e, ca më pak, ta pyesnin se si ta ndanin vesin nga virtyti. Veçse i madh e i vogël, para bukurisë së saj, shitoheshin si prej shikimit të orëve e rrinin vuv, pa gojë e pa mend. Kur agu i një dite e zgjoi, vajza pati gjykuar se bukuria i kishte vyer më shumë se gjithçka tjetër, ndaj atë mëngjes nuk thithi aromë nga kupa e mençurisë dhe e kujtesës, por veç nga kupa e bukurisë. Në të dalë të ditës, kur dielli pati mbledhur rrezet e qe shtrirë për të pushuar, muzgu i pati hyrë vajzës ndër krye e ajo s’pati ditur nga të sillej. Qe rrëzuar mbi peshtahun, ku mbante kupat. Nga krisma e xhamit pati kuptuar se pasqyra i qe thyer. Më tej, pati humbur në një natë të thellë. Kur dielli ia pati hapur sytë, veten e gjeti cullak, krejt të vetme, larg viseve që njihte. Pasqyra qe qullur, kishte humbur formën e qe bërë një liqen i bardhë, ndërsa bishti i qe bërë lumë. Kurse kupat nuk gjendeshin kurrkund. Lëngu i tyre kishte humbur në ujërat e thella. Me kokën e zgjatur, qe parë në pasqyrimin e tyre dhe qe ngushëlluar, ngase bukuria i kish mbetur ndër faqe e buzë. Sytë kishin ruajtur formën, por kishin marrë një dritë të zbrazur, si prej çmendurie. Kohë më pas, në qoshe të atij liqeni, njerëzia ishin ngulur e kishin ndërtuar një qytet. Edhe vajza, me kohë, pati pjellë e qe shtuar me gjinde dhe dukej se i gjithë qyteti mbante fytyrën e saj.

II. Fatkobi i qytetit

Qytetin e kishin pagëzuar me emrin Qoshar, domethënë: qyteti i ngritur në qoshe. Kronikanë të kohës, të ardhur prej kushedi çfarë zonash të largëta, të pamësuar me gjuhën e vendit, herë e emërtonin me emrin që e thërrisnin vendasit e, herë të tjera, fjalën qoshe e ngatërronin me sinonimin skutë. Njerëzia i druheshin liqenit si mortjes dhe rrinin skutave të steresë. Ata që guxonin të futeshin e të stërpikeshin në ujërat e tij, binin në jerm e flisnin përçart, më shpesh me të vdekurit e tyre se me të gjallët. Fati u pritej si me thikë. Më pas, mbylleshin në biruca, ku kurrkush s’ua dëgjonte ligjërimin. I vetmi vendali i lagur, që i shpëtoi vuvosjes, i quajtur Dementrius, mori arratinë ndër vise të largëta. Thonë se arriti në oborrin e një mbreti të madh, të quajtur Filip, ku e mbajtën si këshilltar të mençur e të nderuar. Andej nga shkoi, historitë që u tregonte të gjallëve i bënë këngë. Atë vetë s’e lejuan të kthehej nga iku, por këngët u ranë në vesh dhe u pëlqyen fort prej qosharëve a skutarëve, madje disa prej tyre dëgjohen andejpari edhe sot. Këngët janë si toka, ku ruhen të fosilizuara copëza të legjendës së humbur.

III. Koleksionisti

Një burrë i bredhur, që kishte për zemër të mblidhte e të ruante gjithçka i thonte mendja, bimë e shtazë, gjallina e coftina, vlerurina e hedhurina, por më shumë se gjithçka i binte mbrapa rrëfenjave të rreshme e të vërtetave të fshehura, pati shkelur në qytetin që dikur e quanin Qoshar. Sipas gjasave, ai ishte një pinjoll i largët i ikanakut të hershëm Demetrius, prej të cilit kishte marrë jo vetëm emrin, por edhe ngucjen për të prekur e shijuar të pamundurën. Kish dëgjuar për bukurinë e vashave të atij vendi dhe njohja me njërën prej tyre e bëri të kthehej andej nga kish ardhur, me më të bukurën trofe të koleksionit të tij: nusen e ardhshme. Vasha, sipas traditës së të parëve, e pati këshilluar mos të hynte ujërave të liqenit për t’iu ruajtur një mallkimi të lashtë, për të cilin as ajo e as të tjerët nuk dinin shumë dhe ai, për t’ia bërë qejfin asaj bukurie, i pati premtuar se kurrsesi s’do afrohej andej. “Mbretëresha ime, fjalët e tua janë ligj për mua, shërbëtorin tënd. Nuk do i afrohem kurrë atyre ujërave dhe do të jem deri në fund shërbëtor i bukurisë tënde!”, i pati bërë ai një premtim, gjysmën e parë të të cilit e shkeli pa u errur dita, ndërsa gjysmën tjetër e mbajti deri në terr të jetës.

IV. Rrëfimi i xhakonit të çmendur

“Ati ynë, që je në qiell, shenjtnue kjoftë emni yt! Ardhtë mbretnija jote! U bâftë vullnesa e jote, si në qiell, ashtu edhe në dhé! Bukën tonë të përditshme epna ne sot; e na i fal ne fajet e mëkatet tona, si i falim ne fajtorët tanë; e mos na lên me ra në të keq, por largona prej gjithë s’keq! Ashtu kjoftë!
Më fal, o zot, se kam mëkatnue! Kam shkelë urdhnesën e të shenjtës kishës sonë e kam pranue rrëfim prej robit tand, pa kenë i shuguruem meshtar. Mëkatnori më pati rrëfye se kishte zanë të shoqen tuj kurvnue e s’kishte pasë forcë me e lanë a me e ndëshkue, si të pabesë. Kishte jetue me brengë në zemër e atë dert s’ia lante as lutja e as pendimi. Por ma e zeza kje se mue, pas kësaj, më pati zanë tundimi me e pa atë grue, që burri s’mujti me ia prishë kunorën. Kaq fort më pati pushtue lakmia e dëshiri i kurmit, sa e theva betimin e rrëfimit e atë grue e shtina në dorë nën kërcënimin e marres faqe botës. Ajo farë bukurie m’u dorëzue lehtazi, a thue se veç priste që një dorë mashkulli me ra mbi të. Më fal, o Zot, se kam harbue me gruen e huej e s’mujta me u nda prej saj derikur, në marrí të vet, ajo femën s’më bani mâ për burrë e sy meje kurvnoi me tjetër kënd.
Të lutem, o Zot, edhe për të mjerin mëkatnor, që s’gjeti tjetër rrugë me shpëtue prej hidhnimit që i shtinte e shoqja, veçse tuj e pre fillin e jetës në lëngatë të shpirtit të vrenosun.
Pendohem, o Zoti em! Po më vjen keq me gjithë zemër për tana mëkatet vdekatare që kam ba, jo vetëm pse me to kam bjerrë parrizin e kam meritue ferrin, por ma fort pse t’kam fye ty, o e Mira e pambarueme, që kaq fort më ke dashtë.
Mëshirë, o Zot! Më fal, o Zot! Po t’jap fjalën se me ndihmën tande s’kam me t’fye mâ kurrë!
Ashtu kjoftë!”

V. Dasma e dytë në kapelën e qimiterit

“Trembëdhjetë vjet do kalojnë. Më pas edhe trembëdhjetë muaj e trembëdhjetë ditë. Pas kësaj, sapo të kenë humbur trembëdhjetë orët e para, ty kanë për të të ngritur së vdekuri e do të të bashkojnë në shtratin e amshimit me fatin tënd të parë, me gruan që lidhe kurorë në gjallje, ndave shtrat dhe e shtove me fëmijë.”
Ishte mendimi i parë që i erdhi ndër mend, sapo hapi sytë atë mëngjes të vranët. Gjumi i qe trembur prej zhurmës që bënin ca dhëmbë metalikë, teksa kafshonin me tehun e mprehtë dheun diku afër. Sot është dita, tha me vete xhakoni, duke u munduar të sillte ndër mend se kush ia kishte fatthënë atë kobzí për të ndjerin Demetrius, që dergjej në qoshen perëndimore të varrezave. Qela ku strehohej kishte një dritare të vogël sa një frëngji, që shihte shí mbi varrin e tij. Zgjati kokën jashtë, por në atë mugëtirë s’mundi të shquante gjë. Prej kohësh, në atë qimiter s’kish mbetur asnjë pëllëmbë tokë e lirë për të shtuar varre, ndërkohë që njerëzia s’reshtnin së ngulmuari t’i shtinin të vdekurit e tyre pranë me të afërmit e shkuar andejbote më parë. Ku dreqin po gërmojnë?, tha gati me zë. Veshi veladonin dhe u çapit nëpër rruginën e ngushtë shtruar me zhurishte, që e njihte përmendësh edhe në errësirë. Së largu shqoi dy silueta, që ulnin e ngrinin kazmat zhurmëtare, duke shkulur me çdo të rënë nga një copë dheu të murrët.
Punëtorët lanë veglat trembshëm me ta parë t’u avitej, thua se kishin parë ndonjë shpirt të arratisur që ecte andejpari. Kur e njohën, u ulën mbi mermerin e varreve përbri asaj grope të gërmuar e ndezën të dy nga një cigare.
“Herët qenke çuar, uratë!”, i foli më plaku. Pa i kthyer përgjigje, xhakoni zgjati kokën për të parë më mirë, por s’dalloi tjetër veç një thesi shajaku dhe baltës. “Ç'e keni atë?”, skërmiti fjalët përhumbshëm. “Ky këtu? Hm, ky është kostumi i dhëndrit”, zgërdhiu dhëmbët punëtori më i ri. Xhakoni hapi sytë i çmeritur, sikur ai ndriçim që i rridhte së brendshmi, po ia digjte qepallat. “Prifti na urdhëroi ta hapnim këtë varr. - tha plaku me një ton shfajësimi. - Thesi është për eshtrat e këtij të shkretit brenda. Na thanë se këtu do të fusnin të shoqen, që varroset sot. Do i fusin në një vend. Prifti... prifti na urdhëroi që dje.”
Xhakoni hodhi edhe një herë vështrimin vjedhurazi tek ai thes i lëbyrtë, i lënë pa kujdes buzë grumbullit të baltës, u ktheu krahët e iku pa folur drejt qelës. Ai djalë i ri, që në jetën e vet s’kish ditur të bënte gjë tjetër më të mirë veçse të mihte varre, sapo i kish zbuluar një të vërtetë, që s’i kishte shkuar kurrë ndër mend më parë: ritet e vdekjes dhe ritet e martesës paskëshin një ngjashmëri të frikshme. Në atë qimiter, ku shumë prej varreve ishin katakombe familjare, kjo gjë bëhej edhe më e kuptueshme. Kapela, apo kisha e vorreve, siç e quanin vendasit, ishte vendi ku kryheshin shërbesat e përcjelljes, njësoj si altari, ku celebrohej lidhja e kurorës. Të sapomartuarit vishnin rroba të reja, të përshtatshme për ditën e shënuar, njësoj si të ndjerët, që visheshin prej të gjallëve, në mos me rroba të reja, së paku me ato që kishin më të mirat. Madje kishte dëgjuar se shumëkënd e kishin përcjellë edhe me kostumet e dhëndërisë, të nxjerrë prej kushedi ç'sëndukë të harruar. Nusja e dhëndri pastroheshin e zbukuroheshin si dinin më mirë, njësoj si... Boll! Boll! - briti e kapi kokën me duar, për t’i përzënë ato mendime.
Prifti s’i kish thënë asgjë për ceremoninë e asaj dite. Ai ishte meshtari që kish dëgjuar rrëfimin e tij vite më parë, kishte parë përdëllimin e pendimin e xhakonit dhe, ndonëse me fjalë i kish thënë “Zoti të faltë!”, nuk ia kishte harruar mëkatet e së shkuarës. Madje, vetë priftit i kishin çuar në vesh fjalë se xhakoni rrinte ditë e orë të tëra tek një varr në qoshen e qimiterit, që s’ishte i kujt tjetër veçse i burrit brinar, me gruan e të cilit dikur...; ndizte një qiri dhe mërmëriste me vete, nën zë, fjalë që askush s’i kuptonte. Flitej se një herë e kishin parë të hovte përpjetë, si i pickuar prej gjarprit dhe, duke ngritur zërin e duke zgjatur gishtin drejt dheut, kishte thënë: “Jo, këtë mos ma kërko!”.
E kish ndjekur ceremoninë e asaj mesdite i fshehur pas qiparisave, duke parë me radhë përcjellësit mortorë, për të kuptuar se kush mund të ishin familjarët e kush sehirxhinjtë. Fytyrat e tyre i dukej se kishin një ngazëllim të fshehur, që herë e më herë bulonte në buzëqeshje të pakuptimta. Kur varrmihësit kishin zbritur në gropë arkivolin e, më pas, kishin vendosur mbi të thesin me eshtrat e zhveshura të të shoqit, i qe dukur se pati ndier tek ata njerëz gulçe e shfrime lehtësimi, që i mbysnin me zor nën shamitë e hundëve. Por, më fort se gazmendi i përcjellësve, e kish tronditur zhurma e thatë që bënë eshtrat, kur i kishin lëshuar mbi dërrasën e lëmuar të arkivolit. Ishte një zhurmë e gjatë, e vazhdueshme, e dhimbshme. Ai grumbull i kalçifikuar, i ndryrë brenda një thesi, s’i bindej parimeve të rëndesës e të inercisë. Pati numëruar trembëdhjetë të rrahura zemre, derisa zhurma qe shuar.

VI. Koleksioni i zhveshur

Trembëdhjetë ditë pasi lopata e fundit kishte hedhur baltë mbi prehëzën ku shtriheshin burrë e grua, në të rënë të muzgut, atëherë kur njerëzia, që i druheshin hijeve të qimiterit, ishin larguar për t’u rikthyer në një tjetër agim, xhakoni kish rrëshqitur pa u ndier buzë asaj gunge dheu e tek kryet e varrit kishte ndezur dy qirinj. Më pas, i bërë i tëri vesh, ishte gjunjëzuar përtokë dhe kishte pritur me sytë e rrëzuar. Ndonëse i përkulur, kish parë se si një frymë ere kishte shuar flakën e mekur të njërit qiri, ndërkohë që tjetrit i kishte dhënë hov.
“Erdhe?” “Këtu jam.” “Të ndjeva. Dheu më është bërë i rëndë e çdo hap frymori sikur m’i shkërmoq eshtrat.” “Po ajo, na dëgjon?” “Jo. Mbretëresha nuk i ka futur kurrë këmbët në ujërat e liqenit.” “Domethënë je i qetë.” “S’thashë se jam i qetë. Ajo s’mund të flasë me ty, por me mua s’ka pushuar së llapuri qysh kur ka hyrë këtu.” “Edhe... çfarë të thotë?” “Tregon për të gjallë, që i ka njohur asaj ane. Kujtove se shpëtove prej meje, - më tha sa iu rehatua shtati, - por ja ku të zura përsëri!” “Me emra?” “Me dhëmbë. Dhëmbët i flasin. Fjalët më kafshojnë.” “Nuk ka prehje andej matanë?” “Më dëgjo, xhakon! Dua të të rrëfej...” “Jo! Jo! Ti s’mund të rrëfehesh më tek unë!”
“Më dëgjo mirë, se tani s’bën mëkat! Ky është rrëfimi im i fundit, ndonëse s’jam më vdekatar i asaj bote. Pas kësaj do tretem në fatin tim. Kur isha atje lart e zemrën ma vreroste ligështia e mendjes dhe ligësia e shpirtit të sime shoqeje, teksa shihja sesi ma ndynte shtratin me fëlliqësitë e trupit, që s’e kishte për zor të m’i bënte faqazi, pata gjykuar se s’më mbetej tjetër veçse të ikja, të harrohesha asaj bote e kësisoj ta varrosja të keqen e dertin tim bashkë me kurmin e bashkë me turpin. U gabova. U gabova rëndë. Gjithë këto vjet s’m’u hapën as portat e ferrit, as të parajsës. Isha i dënuar të rrija në dimensionin e tretë të ekzistencës, kurm i vdekur që s’e pranon as mortja, si ndëshkim për ngurrimin e zgjidhjeve në gjallje.”
“Mbajtja me kurorë e gruas besëthyer është mëkat, si gjithë të tjerët. Përse s’të pranoi as Ferri?”
“Me sa duket, paska edhe ndëshkim më të rëndë se flakët e squfurit. Asaj bote, i mbetur në marrëzinë e bashkëshortes, që e kujtoja si sëmundje që duhej kuruar, nuk pata sy për të parë e mend për të kuptuar se ajo ligështi s’do mbetej vetëm midis nesh. Shartesat e njerëzve, si të gjithë hibridet, bartin cilësi të të dy prindërve, të cilat shfaqen më tej, brez pas brezi. Unë veç kur dola kësaj ane e kuptova se si mund të këputet ky zinxhir gjenetik i tipareve dhe i thelbit. Zgjidhja qëndron tek zgjedhja. Duhet të zgjedhësh të ngjashmin. Më tej, i zgjedhuri duhet ruajtur si bima, që kultivohet me kujdes, për të mos u përçudnuar prej tokës, klimës a keqtrajtimit. Natyra e bën vetë seleksionimin. Gabimi i zgjedhjes e pazotësia e zgjidhjes më hodhën në zgrip të mosqenies, me brengë për veten e dhimbje për ata që lashë pas.”
“E ke fjalën për fëmijët?” “Ah, si s’u këput aty zinxhiri!” “Pse, deri ku shkon?” “Të shtatë rrathët e Ferrit do t’i shkelja, veç mos të zgjatej në shtatë breza!” “Ti flet për ligështi mendjeje a ligësi shpirti?” “Rrënjët e ushqejnë bimën. Ligësia e shpirtit e ushqen ligështinë e mendjes.” “S’mund të priten?” “I dobëti s’mund të bëjë zgjidhje. Në qoftë me fat, mund t’i bien shorte të mira.”
“Shorte apo zgjedhje?” “Nuk quhet i dobët kush s’pret shortin dhe bën vetë zgjedhje të mira.” “Çfarë do bëhet me ty më tej?” “Heshtja.” “Po uji i liqenit? Ti je lagur prej tij.” “Ka mbetur vetëm kujtesa. Ti e di se ç'duhet të bësh pas kësaj.”
“Jam nën betimin e rrëfimit.”
“Rrëfimin e mortit s’e ndryn betimi. Njerëzia ka nevojë të kujtojë. Kujtesa është shërimi.”

VII. Nga kronikat, që i shpëtojnë vëmendjes:

“... në ujërat e liqenit të Qosharit u gjet trupi i pajetë i një kleriku, i zhdukur prej trembëdhjetë ditësh nga... “

23 Qershor 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›