Njeriu që kurrë nuk hesht
Me kohë, Ali Aliu u bë lexuesi më i kërkuar nga shkrimtarët shqiptarë. Si i tillë, ai mbeti thuajse i vetmi që vizatoi “hartën etnike” të vlerave letrare shqiptare, njeriu që dy gjëra kurrë nuk i tradhtoi: kritikën letrare dhe idealet e veta atdhetare.
Dhe, prapë, çohet edhe ec më tej. Hapat e tij janë të lehta, sikur bëjnë kujdes të mos lëndojnë barin e njomë. Ashtu ecin njerëzit e vërtetë: plot kujdes që të mos i lëndojnë të tjerët, modestisht, duke mos i përmendur plagët e veta.
Në kohërat e pasluftës të gjithë duan të tregohen personazhe të rëndësishme, të zhvlerësojnë kundërshtarin e të mbivlerësojnë vetveten, duke shtyrë të tjerët që kapë objektivi i historisë. Ali Aliu ishte e mbeti nga ata të rrallët, që kurrë nuk i përdorin bërrylat.
Kim MEHMETI
Viteve të fundit, Ali Aliu thuajse i është dorëzuar zërit të vendlindjes: është kthyer të jetojë në Maqedoni. Por shumëçka nga qenia e tij ka mbetur përgjithmonë në Prishtinë e Tiranë. Ai i ngjan një nyje kohore dhe hapësinore ku janë ndërlidhur ngjarjet vendimtare të historisë së re të popullit shqiptar. Në atë nyje ka mbetur i shënuar kalendari i Kosovës, e cila eci rrugës e përgjakur, që nga vitet e pasluftës së Dytë Botërore e deri në fillimshekullin njëzet e një. Në gjurmët jetësore të Aliut ka mbetur i shënuar edhe diagrami i ngjarjeve shoqërore në Shqipëri, pas rënies së diktaturës së Enverit. Në ditarin e tij do të mbeten përshkrimet e viteve, gjatë të cilave ka qëndruar në Maqedoni, veçanërisht nga nëntëdhjeta e deri në ditët e sotme.
Mbase shumë pak vetë e dinë se Ali Aliu ka vite që plotëson ditarin e vet. Shënon ngjarjet e ditës, takimet me njerëzit dhe shqetësimet e veta. Ditarin e tij rrallëkush ka mundur ta shfletojë. Faqet e tij janë të mbushura me brenga për fatin e popullit, e përplot me dhembje. “Asnjëherë më parë nuk e kam ndier kaq fuqishëm refuzimin ndaj ekranit televiziv (TVM). Më pushton një si frikë e neveri kur përputhen akrepat mes 8-ës dhe 12-ës: pa u shqiptuar fjalia e parë, më vjen të shtyp sustën e kuqe. Frikë nga kumti tragjik, neveri nga gjithë ajo paturpësi në mashtrim dhe helm patologjik plot urrejtje ndaj shqiptarëve...”, shkruan Aliu më datë 23 mars 2001, i shqetësuar nga krismat e para që jehuan në fshatin Tanushë në afërsi të Shkupit. Ai e njeh mirë propagandën antishqiptare, e di se Shkupi ishte dhe mbeti filiali politik i Beogradit, vëllai më i dëgjueshëm i Serbisë, andaj edhe në ditarin e vet shpreh frikën se shqiptarët mund të manipulohen nga qarqet policore serbo-maqedonase.
* * *
Në ditarin e Ali Aliut ka përshkrime të shumë ngjarjeve, të cilat do të zënë vend në historinë më të re të popullit shqiptar. Të ofruara nga pena e tij, ato duken të mbështjella nga shqetësimi i njeriut, i cili e harron vetveten kur bëhet fjalë për fatin kolektiv. Harrimtar i tillë i vetvetes, Aliu ishte edhe në vitet e rinisë, i tillë do të mbetet deri në vitet e sotme, kur në ditarin e vet i shënon vitet e Maqedonisë së pas-Marrëveshjes së Ohrit, e cila duhej të shënonte kthesë vendimtare për këtë shtet dhe, përfundimisht, shoqërinë shqiptare ta barazonte me atë të etnitetit maqedonas. Duhej, por thuajse ka ndonjë “dreq” që gjithmonë gjërat i kthen mbrapsht! Thuajse vetëm sa t’ua humbë qetësinë atdhetarëve të llojit të Ali Aliut, i cili mund të durojë shumëçka, por jo edhe veprimet e dëmshme për shqiptarët kudo që janë. Dhe kur kjo ndodh, ai nuk hesht.
Nuk do të heshtë as në vitin 2006, kur pas zgjedhjeve parlamentare në të cilat Bashkimi Demokratik për Integrim do të fitojë shumicën e votave të shqiptarëve, pjesë e koalicionit qeveritar të udhëhequr nga VMRO-DPMNE-ja, do të bëhet Partia Demokratike Shqiptare, me katër deputetë më pak se BDI-ja. Me çka blloku politik antishqiptar i etnitetit maqedonas do të arrijë të realizojë ëndrrën e vet të kahmoçme: ta largojë nga pushteti partinë e udhëheqësit të dikurshëm të UÇK-së, atë të Ali Ahmetit. Me këtë akt degradues, shqiptarëve të Maqedonisë do t’u merret e drejta më e shenjtë – që vetë të zgjedhin përfaqësuesit e tyre në institucionet më të larta shtetërore. Duke mos mundur të heshtë ndaj kësaj padrejtësie, Ali Aliu do të reagojë si gjithmonë në raste të ngjashme. Ashtu reagon individi i përgjegjshëm që shumëçka mund ta durojë, por jo edhe atë kur shkelet mbi trupin kolektiv shqiptar. Ai reagon publikisht duke shtruar pyetje konkrete, të cilave askush nuk do t’u përgjigjet, por shumëkush do të mundohet ta njollosë dhe ta bëjë të heshtë këtë atdhetar, i cili kurrë nuk e heshti të vërtetën për veten dhe të tjerët. Pyetjeve që shtroi ai dhe disa miq të tij nuk iu përgjigjën as ata, të cilët që moti kishin shpallur “tradhtarë” dhe të “shitur” të gjithë shqiptarët e Maqedonisë që i kundërviheshin politikës së tyre. Krerët e PDSH-së kurrë nuk treguan se cili ishte ai “qëllim më i lartë kombëtar”, që i shtyu të shkelnin votën shqiptare, që i çoi të bëhen pjesë e qeverisë duke shkelur vullnetin e shumicës politike shqiptare. Ata, si dhe gjithë qarqet maqedonase që përkrahnin këtë “të drejtë demokratike” të mandatarit, në njëfarë mënyre arritën të rivendosnin mazhorizimin etnik, kundër të cilit u derdh gjak gjatë viteve 2001. Në emër të atij gjaku, nënshkruesit e një letre të hapur – drejtuar opinionit vendor e të huaj – në mesin e të cilëve dallohet zëri i Ali Aliut, pyesin: “Nëse partinë që do të shprehë vullnetin e tyre në shumicë në organet më të larta shtetërore do ta votojë populli maqedonas, përfshirë edhe qeverisjen me shtetin, atëherë pse votojnë shqiptarët? Cili është dallimi i qeverisë njëetnike dhe asaj që nuk përfill vullnetin e popullit shqiptar? Vallë, nuk do të thotë kjo mundësi që etnia maqedonase – nëpërmjet partisë së vet fituese – të bëjë rivlerësimin dhe korrigjimin e vullnetit politik të shqiptarëve? Cilët, vallë, përfaqësojnë qeveritarët shqiptarë të zgjedhur nga mandatarët e jo nga shumica e shqiptarëve, dhe cili është ndryshimi në mes të këtij përfaqësimi të shqiptarëve dhe atij të kohës së socializmit, kur mjaftonin disa “shqiptarë të ndershëm” që të përmbushej çelësi etnik? Si do të mbrohet vota e lirë e shqiptarëve nga mazhorizimi etnik, nëse mandatarit i mundësohet të përfshijë në koalicionin qeveritar cilëndo parti shqiptare, pa marrë parasysh mbështetjen që ajo ka te shqiptarët? A nuk do të thotë kjo mundësi që gjithmonë – me arsyetim të afërsisë ideologjike të partive – të anashkalohet subjekti më i fortë politik i shqiptarëve? Cili do të ishte interesi më i lartë qytetar e kolektiv, cila do të ishte e drejta më e shenjtë për shqiptarët e Maqedonisë, përpos që me votën e tyre të lirë të caktojnë përfaqësuesit e vet në organet më të larta shtetërore?”
* * *
Gjatë jetës së vet, Ali Aliu ka shtruar shumë pyetje, të cilave nuk u ishte përgjigjur askush. Por, për fat të tij, nuk i ka lënë pas vetes pa përgjigje pyetjet që i janë shtruar atij... Aliu i sotëm, që shëtit buzë Vardarit, nuk është më ai aktivisti i dikurshëm studentor, as gazetari i gazetës “Flaka e vëllazërimit”, por udhëtari që palodhshëm është ngjitur lartësive jetësore, ai që ka ecur nëpër jetë duke e ditur se vitet e jetës rrjedhin njësoj si ujërat e Vardarit. Pa mundur kurrë të kalojnë dy herë mbi të njëjtin gur, pa mundur për së dyti herë të përplasen mbi bregun ku një herë kanë kaluar. Ato vite jete të Aliut, mbetur diku thellë në të kaluarën, herë-herë rikthehen zhurmshëm e derdhen nëpër shtratin e kujtimeve. E kujtimeve nuk mund t’ua rregullosh shtratin, ashtu si kanë bërë me atë të Vardarit të sotëm, nga shëtisin të rinj e të moshuar, biçikletistë e këmbësorë, të vetmuarit dhe ata që s’kanë nevojë për bezdisjen e të tjerëve. Nuk është e mundur që shtratin ku rrjedhin kujtimet ta shtrosh me pllaka, por vetëm me ngjarjet që kanë ndodhur. Dhe ai shtrat nuk i ndan pjesët e jetës në lagje, siç ndodh me Vardarin, që ndan Shkupin në dy pjesë: në pjesën shqiptare dhe atë të etnitetit maqedonas. Lumit të kujtimeve nuk i nevojiten as ura, si ato mbi Vardarin, të cilat kanë gjithnjë e më pak kalimtarë. Pa kalimtarë ka mbetur edhe Ura e Gurit, simbol i kryeqendrës së Maqedonisë, fotografinë e së cilës e gjeni në të gjitha panoramat e qytetit, dhe në të gjitha kujtimet e atyre që kanë vizituar atë. Pas konfliktit të vitit 2001, kur shqiptarët e Maqedonisë morën armët në duar që të realizojnë atë për çka një dekadë të tërë i gënjyen partitë e tyre, Ura e Gurit ka mbetur edhe pa lypsarët e vegjël romë, të cilët dikur kërkonin lëmoshë në shqip e maqedonisht. Pas këtij konflikti, ata duhej të përcaktoheshin: duan lëmoshën shqiptare apo atë të etnitetit maqedonas?! Në bazë të këtij vendimi, të shtegtojnë nga ana veriore apo ajo jugore e Vardarit. Dhe të ëndërrojnë se një ditë urave të Vardarit do t’u kthehen kalimtarët nga ana e Shkupit të Vjetër, për të kaluar në pjesën maqedonase të kryeqendrës së Maqedonisë dhe anasjelltas. E derisa të jetësohet kjo ëndërr e tyre, edhe Maqedonia do të jetë ëndërr e mbetur pezull mbi kufirin që e ndan “të kaluarën e errët” të njëmendësisë së deridjeshme komuniste, me “demokracinë e sotme të ndritshme”, e cila filloi me pyllëzimin e shtetit me kryqe. Më të madhin e ngritën mbi Vodno, kryq që natën shfaqet rreptë i ndriçuar, me qindra llamba elektrike. Mbase që të gjithëve, që ngrenë kokën nga Vodnoja, t’u bëjnë me dije se Maqedonia edhe më tej mbetet një truall ku gërshetohen shumë ëndrra etnike, e ku dominojnë ato dy kolektivitete më të mëdha në numër: maqedonasve etnikë dhe e shqiptarëve. Dhe si e tillë, sajesa shtetërore e nacionalromantikëve të vonuar, Maqedonia herë të bëhet e afërt, herë e largët, njëlloj sikur sheh një pikturë ku janë gërshetuar imazhe që mbulojnë njëra-tjetrën.
Gërshetimi i ëndrrave etnike për ardhmërinë e Maqedonisë u bë më i dukshëm pas vitit të konfliktit ushtarak. Te shqiptarët u kthye ndjenja e atij që ka marrë fatin e vet në duar. Te maqedonasit u shfaq ndjenja e të lënduarit, ajo e zotërisë së trembur që ka mbajtur në pronësi edhe atë që nuk i takon. Atij i është kanosur me forcë ai, i cili deri dje nuk ka patur zgjidhje tjetër përpos të nënshtrohet e të heshtë. Këto dy ndjenja të dëmshme për një shtet multietnik, do të jenë shenja njohëse e viteve pas Marrëveshjes së Ohrit.
* * *
Kohërat e pasluftës u ngjajnë atyre pas përmbytjeve të mëdha, kur avullohet uji, por mbetet balta ngjitëse, nëpër të cilën është e vështirë të ecësh. Të tilla janë, përplot rrëmujë, të gjithë vrapojnë të kumtojnë diçka, të gjithë duan të tregohen personazhe të rëndësishme në ngjarjet vendimtare, të zhvlerësojnë kundërshtarin e të mbivlerësojnë vetveten, shtyhen mes veti që t’i kapë objektivi i historisë, ku mbetet i shënuar portreti grupor i fituesve. Ali Aliu ishte dhe mbeti nga ata të rrallët që kurrë nuk i ka përdorur bërrylat. Edhe sot, kur i rikujton këto ngjarje, ai nuk i referohet vetëm kujtesës, por edhe fletëve të ditarit të vet. “Duke u sjellë rrotull televizorit, m’u kujtua poezia e Agim Spahiut: “Ku të shkoj në nëntëmbëdhjetë”, shkruan Ali Aliu në ditarin e tij të ditës 23 mars 2001, duke bërë aluzion në lajmet qendrore përplot me ofendime ndaj shqiptarëve. Ditari i tij në të vërtetë është një nga gjurmët e shumta që mund t’u ndihmojë shkruesve të historisë, një nga burimet që mbushin lumin e të vërtetave për një popull e një hapësirë. Si të tilla, kujtimet e tij ofrojnë shumëçka për ata, që në të ardhmen do të merren me historinë më të re të Ballkanit e Maqedonisë. Veçanërisht për historianët që do të shkruajnë historinë e gjithë trojeve shqiptare. Në shënimet e Ali Aliut pasqyrohet edhe një Maqedoni e çuditshme, shtet të cilin maqedonasit etnikë thuajse e duan vetëm “për inat të shqiptarëve”, kurse këta të fundit “nuk e japin vetëm që të plasin maqedonasit”.
23 Qershor 2008