LIRI DHE FRIKË
Entela Safeti KASI
Koncepti i lirise dhe realizimi i saj është tashmë ideja qëndrore dhe qëllimi final i shoqërive postkomuniste, te cilat kanë përjetuar kalimin nga shoqëri të izoluara dhe të mbyllura drejt shoqërive të hapura. Ashtu sikur letërsia e shkëlqyer është e lirë nga kompromiset e politikës dhe partitë politke, liria është ajo që na bën ne të rrokim këtë temë ekzistencialiste të njerëzimit.
Nëse ende vazhdojmë në gjurmët e “baballarëve” të letërsisë dhe të të shkruarit, duke eksploruar barrierat që ngrihen midis nesh, ndërkohë që rreth saj vërtiten temat e së shkuarës e të së tashmes, është pikërisht dëshira e papërfunduar dhe e pakufizuar për lirinë e individëve e të shoqërisë që na shtyn drejt mosarratisë prej saj. Asnjë njeri nuk mund të jetojë pa liri. Nëse njerëzit nuk janë të lirë, nuk mund të ketë asgjë tjetër që ta zvendësojë atë si shkëmbim.
Të gjithë shembujt që vijnë nga kohë të ndryshme, na rrëfejnë fuqinë dhe rëndësinë e lirisë. Nëse i referohemi botës së letësrisë nga kohët antike në ato moderne, lehëtsisht gjejmë shembuj të luftës së njerëzimit për liri. Nëse në kohët antike tema e lirisë shkonte paralel me luftën me perënditë, ishte pikërisht frika e humbjes së lirisë për shkak të kufizimeve, ndërkohë që ishte nevoja për iluminim( me flakën e Prometeut në errësirën e shoqërisë) ajo që solli heronjtë midis njerëzimit. Nuk ka njeri që jeton pa frikën e humbjes së lirisë, sepse e kundërta e saj, skllavëria, gjithmonë ka ekzistuar midis nesh.
Bota e ka jetuar skllavërinë, sepse liria gjithnjë ka patur përndjekësit dhe tiranët e saj. Ata kanë ardhur dhe e kanë shkuar si diktatorë. Diktatorët dhe diktaturat, pavarësisht nga ngjyrat dhe kahjet politike, kur kanë asgjësuar lirinë, kanë mbetur thjesht tirani. Nuk ka qënie humane të mos jetë frikësuar dhe terrorizuar pas humbjes së lirisë apo pas kërcënimit për humbjen e saj.
* * *
Të gjithë diktatorët e kanë ditur më së miri këtë fakt, dhe mjeti i tyre për pushtet absolut mbetet izolimi i individit prej lirisë dhe dhe ndëshkimi për ata, të cilët luftojnë ndërgjegjësimin e shoqërisë për rëndësinë e lirisë dhe lirinë.
Mençuria dhe zgjuarsia e përballimit të diktaturave ende mbetet sfida e çdo shoqërie te mbyllur, kudo qoftë ajo.
Letërsia, si ndërgjegjie e tronditur e njerëzimit, ka sjellë në skenë librat, kryeveprat dhe heronjtë, sepse nevoja për iluminim është shpresë për të krijuar një tjetër botë paralele, larg prej botës së ndërtuar nga duart e realiteteve të vështira të regjimeve politike dhe poltikave totalitare.
Shkrimtari nuk mund ta braktisë lirinë, sepse s’mund të ketë arrati nga liria në kuptin e saj themeltar. Është frika prej çdo pseudolirie të ofruar, e cila nuk është aspak liri, ajo që e bën shkrimtarin e vërtetë të përballet me shkatërruesit e lirisë.
Le t’i kthehemi përsëri botës së letërsisë së shkëlqyer. Ka mjaft shembuj librash të mrekullueshëm në çdo periudhë letrare. Letërsia është gjithmonë e lidhur ngushtë me periudhat historike, vendet dhe shkrimtarët që e kanë shkruar atë. Të gjitha rrymat kanë eksploruar temën e lirisë dhe të frikës. Qëllimi është i njëjtë, ndryshon produkti në varësi të parimeve estetike të secilës periudhë, por shkrimtarët kurrë nuk kanë hequr dorë prej lirisë, për aq sa individët dhe shoqëria në vetevete e kanë kërkuar gjithmonë lirinë.
* * *
Nëse shohim të sotmen, liria dhe frika janë në zemër të kohës moderne. Globalizimi, përveç prurjeve, na sjell ndër mend domosdoshmërine e krenarisë për çdo identitet shoqëror, respektin për të gjithë. Ky është dhe thelbi i diversitetit. Pas kësaj qëndron frika jonë për humbjen e lirisë, për aq sa liritë janë përshkruar dhe sigurohen nga kartat ndërkombëtare. Kjo ndodh ngaqë, afër dhe larg nesh, ka ende vende, popuj e shkrimtarë që jetojnë në frikë dhe jo në liri. Liria e fjalës duket si një luks për ata, përderisa përpjekjet nuk garantojnë jetën e tyre, fjalët mbeten të pashpresa për t’i mbrojtur ata. Jo vetëm shqiptarët, por as njerëzimi nuk duhet ta harrojë shembullin e genocidit serb në Kosovë.
Përvoja e së shkuarës nuk paska qëne e aftë të na mësojë se çfarë duhet të bëjmë si domosdoshmëri, për të ecur përpara pa përsëritur gabimet. Nëse e shkuara, që nga antikiteti në botën moderne, nuk na ka mësuar gjë, atëherë e ardhmja është e kërcënuar nga mungesa e zgjidhjeve të drejta për të gjithë. Kështu, frika për lirinë sa vjen dhe bëhet një tërmet poshtë vetkënaqësisë, ashpërsisë dhe dorëheqjes sonë.
* * *
Liria dhe frika janë hyjnore e njerëzore. Për njerëzit ateistë liria dhe frika janë njerëzore.
Vetëdija dhe intuita, metafizika dhe shkenca, letërsia dhe media, shkrimtarët dhe akademikët, gazetarët dhe analistët gjithmonë kanë qënë në skenën e një teatri, duke performuar dhe i treguar botës ne vetvete rezikun që i kanoset shoqërisë nga humbja e lirisë, teksa e gjithë bota e tronditur nga risku i humbjes së madhe, po kërcënohet të mbërrijë kufijtë e një shoqërie të kriminalizuar. Rrallë, madje shumë rrallë, politikanët dhe qeveritë kanë treguar vëmendjen ndaj këtij rreziku të përgjithshëm.
Ndërsa bota sot përballet me krizat globale për energji, ushqim dhe karburante, ndërsa individët përballen me këto kriza gjithashtu, shoqëria e të sotmes vazhdon përballjen me humbjen e lirive dhe të drejtave të njeriut. Nëse shkrimtarët mbeten ndërgjegjia e tronditur e njerëzimit dhe shoqërisë, politikanëve u kërkohen rrugët e zgjidhjes për mjaft probleme madhore, që kërcënojnë njerëzimin. Dhe të gjithë jemi në një mendje: tashmë, politikanë duhet të mendojnë dhe të veprojnë si burra shtetesh.
-----------------------------
Shënim: Autorja e mbajti këtë fjalë në Ohër, në konferencën e 11-të të International Pen, 6 qershor 2008
23 Qershor 2008