E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kur shpluhurosen fotografitë shekullore të qytetit të gurtë

Tashmë ekspozimi i fotografive me moshë rreth 100-vjeçare të qytetit të Gjirokastrës është kthyer në iniciativë, e cila po tërheq gjithmonë e më shumë të apasionuarit pas këtyre lloj fotografish të vjetra. Pas çeljes së disa ekspozitave me fotot relikte, me moshë njëshekullore të Gjirokastrës, tashmë imazhet e vjetra të qytetit të gurtë të stampuara në celuloid po zënë gjithmonë e më shumë vend edhe si suvenire në tregun turistik. Në Pazarin karakteristik të Gjirokastrës të zë syri disa miniekspozita me këto lloj fotografish, të cilat, të vendosura në hyrje të shitoreve të gurta, po tërheqin vëmendjen e vizitorëve vendës dhe të huaj. I riu Dritan Kardhashi, administrator i një pike interneti në Pazarin e gurtë, është një prej atyre dhjetëra të apasionuarve pas fotografive të vjetra të qytetit të Gjirokastrës. Madje, në hyrje të pikës së internetit që administron, ai ka vendosur edhe një tavolinë në të cilën të zë syri me dhjetëra imazhe nga e kaluara e qytetit të Gjirokastrës. “Në rrugën e kalldrëmtë përpara pikës së internetit kalojnë me dhjetëra grupe turistike, kështu që unë vendosa që biznesit tim t’i shtoj edhe fotografitë e vjetra të Gjirokastrës, të cilat po kërkohen gjithmonë e më shumë nga vizitorët”, thotë Dritani. Janë të shumta fotografitë të cilat ai i ka mbledhur nga arkivat e familjeve të vjetra gjirokastrite dhe që pasqyrojnë pamje të ndryshme të qytetit, kryesisht në fillim të shekullit të kaluar. “Më shumë sesa biznes, mbledhjen e fotografive të vjetra unë e shikoj më shumë si kënaqësi, ndërkohë që vazhdoj gjithmonë e më shumë të kërkoj fotografi të tilla”, shpjegon Dritani. Për pedagogun Teodor Bilushi, i cili ka qenë edhe iniciator i çeljes së disa ekspozitave me fotot relikte të Gjirokastrës, tashmë publikimi i këtyre lloj fotosh po tërheq të apasionuar të shumtë, kryesisht të rinj. “Nëpërmjet këtyre fotove Gjirokastra e fillimshekullit të kaluar na shfaqet qartësisht një qytet sa autentik, me banesat dhe lagjet karakteristike aq dhe në zhvillim dhe me diversitet sipas rrymave dhe influencave arktitektonike europiane.”, thotë pedagogu Teodor Bilushi. Për të fotografitë njëshekullore, krahas vlerave artistike ato mbartin mbi të gjitha vlera arkivore dhe dokumentare në lidhje me zhvillimet historike, sociale, ekonomike etj. të qytetit të gurtë në vitet e para të shekullit të kaluar. Madje iniciativa të tilla kanë nxitur edhe vetë banorët e Gjirokastrës që të nxjerrin nga arkivat fotot e tyre të vjetra familjare, si dhe ti restaurojnë ato. Fotografi Dhosi Margariti thotë se vitet e fundit sa vijnë dhe rriten kërkesat nga banorët për restaurimin e fotografive të vjetra që ata kanë në arkivat e tyre familjare. Në këtë drejtim ai përmend rastin e familjes Bogai, nga zona e Lunxhërisë, pjesëtarë të së cilës kërkuan restaurimin e një fotografie me moshë 100-vjeçare. “Fotografia në të cilën paraqitej djali i familjes Bogai dhe nusja e tij, të veshur me kostume tradicionale të zonës së Lunxhërisë ishte shumë e dëmtuar kështu që m’u desh të punoja disa muaj për ta restauruar”, thotë fotografi Dhosi Margariti. Për të restaurimi i kësaj fotografie të vjetër ishte një kënaqësi e veçantë, pasi me plot durim, mes të tjerash, ai arriti t’i japë edhe pamjen origjinale veshjeve tradicionale të zonës së Lunxhërisë, me të cilat ishte veshur çifii i familjes Bogai, përpara gati 100 vitesh. “Mendoj se kjo foto paraqet edhe vlera të veçanta për etnografinë, pasi jep imazhin origjinal të veshjeve tradicionale të Lunxhërisë në fillim të shekullit të kaluar”, thotë fotografi Margariti.

Bledar Shehu

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›