Frederick Turner mahnitet me Kosovën
I nominuar për çmimin Nobel për letërsi në vitet 2003, 2004 dhe 2007, shkrimtari amerikan, i lindur në Angli, Frederick Turner është një nga emrat më të njohur të letërsisë amerikane. Autor i mbi tridhjetë librave, shumica të përkthyer në shumë gjuhë të botës, Turner konsiderohet si themelues i një shkolle kritike letrare të quajtur klasicizëm natyral. Për lexuesit shqiptarë, ai është bërë i njohur që në vitin 2006 kur iu botua libri “Në Shpellën e Platonit”, një përmbledhje e poemave të përkthyera nga Gjekë Marinaj. Së fundmi, po nga i njëjti përkthyes, është botuar libri ‘Vendi i pazbuluar: sonatat e një shtegtari’, i cili u promovua në Klinë, ku të pranishëm qenë edhe autori Turner dhe përkthyesi Marinaj. Me këtë rast, u prezantua edhe libri tjetër i bashkautorëve Turner dhe Marinaj me titull “Sung across the shoulder: Heroic poetry of Illyria” (Kënduar majëkrahut: Poezi heroike iliriane), libër ky me këngë heroike të mbledhura nga vet autorët dhe i botuar vetëm në gjuhën angleze.
Turner e falënderoi Drejtorinë për Kulturë të Kuvendit Komunal të Klinës si dhe Klubin Letrar ‘Vorea Ujko’ për organizimin e këtij takimi letrar dhe për mikpritjen që iu bë atij. Këngët me çifteli nuk munguan e po ashtu as dhuratat për mysafirët.
Në intervistën për Express, Turner tregoi se pse ka ardhur në Klinë e jo në Prishtinë, pastaj foli për klasicizmin natyral, shkollë kjo kritike letrare e themeluar nga ai si dhe tregoi se kur ka dëgjuar për herë të parë për Kosovën.
“Gjithmonë kam dashur të vij në Kosovë dhe të shoh se sa i bukur është ky peizazh, prandaj edhe e shoh se pse njerëzit kanë luftuar për këtë vend”, tha, mes tjerash, Turner për Express.
Pse vendoset ta promovoni librin tuaj në Klinë e jo në Prishtinë?
Turner: Kjo është pyetje për Gjekë Marinajn, i cili e kupton vendin më mirë, por edhe unë ia kam bërë të njëjtën pyetje dhe ai më ka thënë se Klina është një qendër letrare. Ai më ka thënë se është sikurse San Francisco që është në Amerikë. Qendër letrare e kulturës letrare kosovare dhe mendoj se kjo ka qenë arsyeja.
Çka ju frymëzon më shumë?
Turner: Fillimisht ka qenë gjithmonë mrekullia e natyrës dhe mrekullia e vetëdijes sonë njerëzore që e përjeton këtë natyrë. Kanë qenë këto dy gjëra.
Në kritikë jeni i njohur si themelues i shkollës kritike letrare të quajtur klasicizëm natyral. A mund të na e shpjegoni pak më tepër këtë shkollë?
Turner: Ekziston një traditë e gjatë në Europë dhe në disa kultura tjera ideja e klasikes, e formës së përsosur tradicionale të artit apo letërsisë. Mund të flasim për arkitekturën klasike, letërsinë klasike, formën klasike. Argumenti im është se klasikja nuk i takon vetëm një kulture sikurse Europa, apo një pjesë të Europës si Greqia, Roma, Franca apo Anglia. Vie nga raca njerëzore dhe si tërësi i takon asaj. Ajo çfarë kam hulumtuar është ideja se estetika themelore dhe nevojat dhe shijet letrare vijnë nga natyra e jonë biologjike dhe nga mënyra se si truri ynë është i organizuar dhe nga evolucioni, ndoshta 200 mijë vite të evolucionit njerëzor në të cilin homo sapiensi ka zhvilluar gjuhën, kulturën dhe ne ia kemi dalë si specie dhe sa më shumë që mund t’u kthehemi burimeve themelore të artit aq më i mirë do të jetë arti.
Ju mund të thoni se historia e artit dhe letërsisë është histori e përsëritjeve të suksesshme ndaj bagazhit të madh qendror të njerëzimit, nga i cili janë të degëzuara të gjitha kulturat e ndryshme.
Kur keni dëgjuar për herë të parë për Kosovën?
Turner: Natyrisht njerëzit kanë dëgjuar për Kosovën në lajme për një arsye apo ndonjë arsye tjetër, si për shembull lufta e kështu më radhë. Para kësaj, unë kam mësuar për Kosovën nga Beteja e Kosovës, nga tradita epike që ka ekzistuar nga të gjitha anët lidhur me këtë betejë. Ishte shkruar nga Alfred Lord dhe Millman Parry, të cilët kanë shkruar për lahutarët dhe poezinë epike gojore të Ballkanit dhe në këtë pikë kam qenë kurioz dhe gjithmonë kam dashur të vij në Kosovë dhe të shoh se sa i bukur është ky peizazh, prandaj edhe e shoh se pse njerëzit kanë luftuar për këtë vend.
Do të thotë se keni dëgjuar për Kosovën përpara se të ndodhë lufta?
Turner: Po, natyrisht.
Cilat janë përshtypjet tuaja nga kjo vizitë?
Turner: Kemi ardhur nëpërmjet maleve nga Podgorica dhe të zbresësh teposhtë nga ai shpat i mrekullueshëm dhe të shohësh tokën e Kosovës të shtrirë prapa pyjeve ishte një prej përvojave më të mira që kam pasur në jetë. Ky vend i gjelbëruar, kaq pjellor, kaq i bukur, me shtëpitë ngjyrë terakote, me fushat me bimë të mrekullueshme, bagëtia dhe pasuria e vendit më dukeshin sikur ëndërr që e kisha parë më herët dhe në fakt ma rikujtoi pjesën qendrore të Peloponezit në Greqi, që quhet Arkadia dhe Arkadia gjithmonë ka qenë një ide imja, një tokë e bukur.
Çfarë mund të na thoni rreth letërsisë shqiptare? Sa është e njohur në SHBA dhe sa e njihni ju këtë letërsi?
Turner: Jo edhe aq shumë. Derisa jam rritur nuk ka pasur ndonjë libër të përkthyer në anglisht. Vërtet kam mësuar rreth letërsisë shqiptare përmes Gjekë Marinajt dhe është një eksplorim që do ta vazhdoj edhe më tutje. Kam lexuar disa prej poetëve shqiptarë. Mendoj se Gjeka ka bërë një punë shumë të mirë me përkthimet e tij. Mendoj se është një thesar i tërë i poezisë shqiptare që ka nevojë të përkthehet. Kam parë disa përkthime të këqija të poezisë shqiptare dhe kjo është për të të ardhur keq.
Kam lexuar në biografinë tuaj se keni ushtruar karate. A vazhdoni ende ta praktikoni?
Turner: Oh, po. Shumë madje. Po plakëm paksa dhe i kam ndërprerë garat para tri katër viteve. Por ende punoj me njerëzit në klubin tonë, të cilët marrin pjesë në gara. Ata janë të rinj, të shpejtë dhe të fuqishëm, por unë jam i vjetër dhe tinëzar dhe mashtrues, kështu që mund t’i ndihmoj ata për t’u përgatitur.
Ka thashetheme se sot, më 21 maj, do të ndodhë fundi i botës? Çfarë mund të na thoni për këtë?
Turner: Do të thosha se për të gjithë ne secila ditë është fundi i botës. Bimë në gjumë në mbrëmje dhe të nesërmen në mëngjes kur zgjohemi kemi trupa tjerë. Kemi iluzionin se jemi personi i njëjtë, por në fakt ky moment zhduket, në momentin kur po flas tani dhe edhe ky moment sapo u zhduk. Ne jemi në fund të botës dhe tani jemi në fund të botës dhe tani jemi në fund të botës. Kjo ndodh gjatë gjithë kohës.