E Shtunë, 31 Tetor 2026

Si ta bëjmë botën një vend më të mirë

Në këtë vepër të tij filozofike Amartya Sen parashtron idenë se dhuna vrastare që karakterizon sot shoqërinë tonë ka si shkak po aq çoroditjen që përjetojmë sa dhe urrejtjen. Duke sfiduar ndarjen e thjeshtëzuar të njerëzimit sipas racave, feve apo klasave sociale, Sen-i na sjell vizionin frymëzues të një bote e cila mund të dalë nga spiralja e brutalitetit dhe dhunës, për t’u orientuar drejt paqes. “Me prozën e tij mjeshtërore, erudicionin e natyrshëm dhe ironinë e tij, Amartya Sen-i është sot një ndër të paktët intelektualë në botë, tek i cili mund të mbështetesh për t’i dhënë kuptim çoroditjes sonë ekzistenciale.”- kështu është shprehur Nadine Gordimer, fituese e çmimit ‘Nobel’ për letërsinë, më 1991.

“Identiteti dhe dhuna” është një përgjigje e mrekullueshme dhe e begatë ndaj teorive të keqorientuara të “përplasjes së qytetërimeve”- shprehet një nga ekonomistët më të njohur amerikanë Jeffrey Sachs. Ndërsa një tjetër fitues i çmimit ‘Nobel’ për ekonominë në vitin 2001, George Akerlof, shprehet për veprën e kolegut të tij se “Amartya Sen i sjell brezit tonë një vizion të ri dhe modern, sesi mund të arrihet paqja”. Libri i Amartya Sen, fituesit të çmimit ‘Nobel’ për ekonominë në vitin 1998, është botimi më i ri i Institutit Shqiptar të Medias. Sen është në profesion ekonomist, por specializimi i tij në shkencat sociale nuk është aspak rastësi. Në fakt, ai si asnjë tjetër tregoi se ishte i aftë të çonte përpara një debat kompleks mbi shkencat sociale. ‘Nobel’ në ekonomi, rektor në Kolegjin Trinity në Kembrixh, dhe profesor i Ekonomisë dhe Filozofisë Morale në Harvard Sen, është autor i një sërë studimesh mbi ekonominë dhe zhvillimin, mbi filozofinë morale dhe politike.

Kush është Amartya Sen

Amartya Sen është lindur në Bengala, Indi, në vitin 1933. Ai është ekonomist indian, fitues i çmimit ‘Nobel’ për Ekonominë në vitin 1998, aktualisht profesor në Universitetin e Harvardit, SHBA. Në vitin 2010, Time Magazine e shpalli Amartya Sen-in si një ndër 100 personalitetet më me ndikim të kohës sonë. Autor i shumë librave që janë përkthyer në mbarë botën. Profesori Sen ka një sërë çmimesh ‘Honoris Causa’. Librat e tij janë përkthyer në disa gjuhë të botës.

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›