E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kur situata bëhet serioze

Nga Majlinda Bushja

Asnjëherë nuk e vë në pikëpyetje mençurinë e shqiptarëve. Këtë e kemi vërtetuar me arritjet tona në botë, në konkurset ndërkombëtare, (rasti i Miss Shqipërisë Denisa Kola në Miss World në Kinë në vitin 2003, e cila fitoj çmimin Miss Inteligjenca), duke zënë vende nderi përkrahë shteteve më të zhvilluara të Evropës e më gjerë në shumë fusha. Kemi shkëlqyer në universitetet më në zë të botës duke marrë me vete dije që nuk i kanë shërbyer vetëm vetvetes, por dhe komunitetit përreth, kemi kuptuar kush ishim dhe kush jemi, e se cila ishte Evropa në të vërtetë, të cilën nuk mundëm ta shëtisnim për dekada me radhë. Shkëmbyem kultura, morëm prej andej dhe dhamë, kjo ndodhi edhe për shkak të globalizmit. Filluam ta shihnim jetën ndryshe nisur nga një këndvështrim i ri, për gjithçka, në të gjitha fushat e jetës. Në të njëjtën kohë u përballëm edhe me padijen tonë për shkak se shumë gjera si dinim siç ishin, apo sistemi komunist na i kishte mësuar ndryshe. Njohëm të vërtetën mbi shumë enigma të së shkuarës.
Kontrasti mes të vërtetave që njihnim dhe mësuam, bëri të përshtateshim me vështirësi, por tek e fundit të ndryshonim pozitivisht.
Nuk e them për moral, por vetëm nga rëndësia që kanë të drejtat dhe liritë themelore të njeriut. Është ende herët të themi se njohim gjithçka për të mbrojtur vetveten pa e dëmtuar atë, pa dëmtuar të tjerët, për të njohur të drejtat që kushtetuta ka rezervuar e vazhdon të rezervojë në çdo kohë.
Pa filozofuar jam e mendimit se të mos dish të drejtat e tua do të thotë të mos mbrosh vetveten në mënyrë dinjitoze. Të mos dish do të thotë që të mos gjesh mundësi të kërkosh të drejtën tënde, për ta fituar atë. E pse ndodh kjo, për shumë arsye, njëra prej të cilëve është indiferentizmi për të ditur më shumë.
Nëse do ti referohesha dhunës në familje do të thoja se shumë gra nuk arrijnë të mbrojnë vetveten, sepse nuk i njohin të drejtat që ju kanë dhënë ligji. Nëse arsyet pse ndodh kjo kanë rëndësi, ato sfumohen e nuk gjejnë justifikim nëse të mposhtin për një kohë relativisht të gjatë. Këtë situatë e gjejmë në zonat rurale, por edhe urbane pse jo. Ndërkohë që ne zgjohemi si shoqëri vetëm atëherë kur situata është bërë alarmante, por duke rënë përsëri në amullin e përditshme të halleve tona. A nuk shkakton kjo sorollatje pa fund, stres e lodhje të panevojshme, më shumë kthim pas në shumë aspekte? Të njëjtën situatë mund ta ndeshim kudo në punë, në shkollë, në spitale, e në të gjitha skutat ku gjallon jeta. Pasiviteti ynë për të njohur më shumë të drejtat tona na kthen pas në kohë, por koha nuk mund ta ndreq më të shkuarën e saj.
Asnjëherë nuk do të heq dorë nga ideja se ajo që na bën të mos ecim përpara nuk është verbëria e syve, por e mendjes, prandaj padija për të njohur të drejtat tona ka si rezultante të saj vetëm nënshtrimin. Sa herë kemi thënë me vete duke buzëqeshur se kjo gjë duhet kështu, ndërkohë që ne lodheshim se e dinim ndryshe.
Ishte trishtues së fundi raporti i Bankës Botërore sipas të cilit 57% e adoleshentëve shqiptar janë analfabet. Në raport me shtetet e tjera të Ballkanit, Shqipëria mbante një rekord negativ. Meqenëse e ardhmja e çdo kombi është rinia, kjo shifër vërtet të tremb.
Ndërkohë që, padija sjell pranë dhe fanatizmin, të cilin kur e bëjmë të vetin kthejmë në kohë pas jo vetëm vetveten, por edhe ata që kemi përreth, varet nga pushteti që kemi në familje apo shoqëri. Padija përveçse na dëmton ne si individë, lëshon rrënjët e saj edhe tek njerëzit që kemi pranë. Më kujton historinë e vreshtit me greminë kjo. Askujt sdo ti pëlqente veçanërisht sot kur ne çdo ditë kthjellohemi për të drejtat që na takojnë, por ende smjafton. Gjithmonë kam qenë e idesë se sa më shumë takojmë njerëz të panjohur aq më shumë mësojmë se jemi të paditur. Bota është një univers ku mungesa e dëshirës për ta njohur atë, na penalizon me mosinformimin e nevojshëm për ta bërë jetën tonë më të mirë. Ne e kemi fituar lirinë e vërtetë tashmë vonë në demokraci, ndaj dhe rendja për ta kapur botën e zhvilluar na bën të ngutemi, duke harruar se të drejtat tona ne mund ti fitojmë vetëm kur e dimë se ligjet na i kanë dhënë ato. Nuk e di pse më bluan dyshimi i kahershëm, për shumë nga ne që nëse do të njihnim të gjitha të drejtat tona ashtu siç duhet do ta kishim jetën tonë më të lehtë në shumë aspekte. Të them të vërtetën kam përçmim për paditurin sepse e shoh që gabojmë shpesh për faj të saj. Ajo në çdo kohë ushqehet me indiferentizmin tonë, ndaj kjo e bën të jetë gjallë në çdo kohë. Strehën e gjen tek vullnetdobëtit të cilët preferojnë të ecin nga rruga më e shkurtër, por që i çon më gjatë. Dhe kur pranohet kështu, vazhdohet gjatë me hijen e saj nga pas. E dhimbshme padija, sepse si çdo e keqe fitohet lehtë.
Ndodh që padija e tjetrit na bën të qeshim, por ka dhe të tjerë që qeshin nga padija. Është e provuar tashmë se padija bën ti nënshtrohemi tjetrit pa qenë e nevojshme, e herë të kuptojmë të drejtat, si detyra e të mos jemi në gjendje ti ndajmë ato. E kësaj situate gjithmonë i shkon përshtat shprehja e popullit, sipas kokës, vihet festja.
Nëse në fëmijëri do ti flakim librat, kur të rritemi shoqëria do të na flak ne, apo do të na lerë në ndonjë cep të saj si njerëz të pagdhendur. Ndaj heshtja svlen kur bëhet fjalë për të ardhmen e tyre, kur dëgjojmë se ka shumë fëmijë që nuk kanë mundur dot të kryejnë as arsimin 9-vjeçar. Vazhdimisht flitet se komuniteti rom është më i diskriminuar, e po të njëjtën gjë pohoi dhe raporti më i fundit i Freedom House. Në këto kushte, a do munden këta fëmijë të kërkojnë të drejtat e tyre në çdo kohë, kur nuk munden të njohin se çfarë të drejtash kanë. A do të munden të integrohen në shoqëri, e çvend do të zenë në kushtet ku teknologjia nga dita në ditë përparon me shpejtësi ? Pikëpyetjet janë të shumta por përgjigjet shumë pak premtuese. Ky komunitet i ndodhur në rrethana të tilla, në çdo rast, duke qenë nën hijen e padijes, gjithmonë do të jetë i humbur.
Kjo vlen në çdo aspekt të jetës sonë, për të gjithë. Nëse do të udhëhiqemi nga indiferentizmi për të mësuar të drejtat tona, shpërblimi ynë në fund do të jetë shumë më pak nga çpresim. Mundimi do të jetë më i madh seç duhet realisht, e në fund, fundi do të jetë i papëlqyeshëm.

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›