Kur stë dalin llogaritë
Kohët e fundit, ndërsa afron gjithnjë e më shumë dita e zgjedhjeve, bie në sy këmbëngulja, deri në sfidim, e kryeministrit Berisha, në drejtim të rivalit të tij politik, Edi Rama, për çështjen e votës së emigrantëve. Hera e fundit ishte dita e djeshme, kur në mbledhjen e kabinetit, kryeministri ftoi edhe njëherë kryetarin e Partisë Socialiste që të bien dakord për të gjetur një zgjidhje, ndoshta nëpërmjet internetit, që edhe emigrantët të votojnë në 23 qershor. Jo vetëm kaq, por edhe duke bërë një lloj karshillëku me shprehjen Rama e ka fobi votën e emigrantëve, prandaj nuk do që ata të votojnë. Thënë kjo nga dikush që të paktën në muajt e fundit, përpara nisjes zyrtare të fushatës zgjedhore, nuk është parë të zhvillojë qoftë edhe një takim të vetëm me emigrantët, ndryshe nga lideri i opozitës që për hir të së vërtetës ka realizuar disa prej tyre, qoftë në Itali, qoftë në Greqi, apo edhe ne vende te tjera, të ngjan si shashka e radhës për të hequr vëmendjen nga problemet reale që shqetësojnë një vend që po shkon drejt zgjedhjeve dhe po hyn në një periudhë ku polarizimi politik arrin kulmin dhe mundësitë për konsensus bëhen gjithnjë e më minimale.
Nëse kryeministri do ta kishte seriozisht përfshirjen e emigrantëve me votë në vendimmarrje, atëherë përse nuk e realizoi këtë gjatë tetë viteve të mandatit të tij qeverisës? A u pengua kjo nga Rama dhe Partia Socialiste, e cila vetë e ka ngritur si çështje disa here, madje e ka të përfshirë edhe ne programin e saj elektoral? Nuk e besoj, pasi me vullnetin e mirë, dy liderët, që arritën ndryshime shumë më të mëdha dhe të thella në Kushtetutë, si ato të vitit 2008, mund të kishin arritur të realizonin edhe një reformë të tillë. Jam më shumë i prirur të besoj se kryeministri po e kërkon me forcë votën e emigrantëve tani, ashtu siç bëri pak kohë më marrë me idenë që edhe 16-vjeçarët të përfshihen në votime (që u cilësua një tjetër shashkë e radhës), sepse nuk i dalin llogaritë. Sigurisht që çdo forcë politike bën kalkulimet e saj të brendshme përpara se të hyjë në zgjedhje dhe përtej deklaratave apo statuseve në Facebook goli i tretë, mandati i tretë, kryeministri e di mirë se këtë herë qëndrimi për katër vite të tjera në pushtet është një mision relativisht shumë i vështirë, duke marrë parasysh bashkimin e së majtës në një koalicion nga më kompaktët që nga koha kur nuk ishte krijuar ende LSI-ja. Në këto kushte, teza e votës së 16-vjeçarëve dhe së fundmi atë të emigrantëve, bërë në rrethana të tilla kohore, më pak se dy muaj para zgjedhjeve, mund të shihen thjesht si vegla shtesë manipulimi, nëpërmjet dokumenteve në rastin e parë dhe nëpërmjet internetit në të dytin.
Nëse i referohemi realitetit, Shqipëria është në atë fazë kur me një infrastrukturë të ngritur dhe shpenzime të mëdha për zgjedhjet, me një armatë të mirëfilltë vëzhguesish, të huaj e vendas, por edhe komisionerësh, nuk arrin të kontrollojë dhe përkthejë një për një votën popullore që hidhet në kutitë e votimit, e jo më ta bëjë këtë përmes internetit, një botë ende e paeksploruar tërësisht dhe ku hakersat mund të bëjnë kërdinë. Prandaj oferta për votën e emigrantëve, edhe pse tingëllon si sfidë, është tentativa e radhës për të pasur një gur më shumë në dorë për të rregulluar rezultatin e zgjedhjeve, në kushtet kur llogaritë që ke bërë me veten në terren nuk të dalin dhe sondazhet e brendshme paralajmërojnë humbjen.
Ndërsa rekomandimi i dhënë po dje në mbledhje qeverie, drejtuar ministrit të mbrojtjes, për ngritjen e një përmendoreje për ushtarët amerikanë të rënë gjatë Luftës së Dytë Botërore (edhe pse është një nismë që duhet përshëndetur dhe duhet të ishte realizuar shumë kohë më parë) është një mënyrë për të zbukuruar me fjongo dhe kordele deklaratën e bërë nga ambasadori amerikan Arvizu, përpara votimit për shkarkimin e Ilirjan Muhos në Kuvend, se nuk besoj që dikush është i interesuar për një përplasje mes Shqipërisë dhe SHBA-ve. Po e mbyll me shprehjen e ambasadorit te nderuar, duke thënë se as unë nuk shpresoj që dikush do ishte aq i marrë sa të përplaste Shqipërinë me aleatin e saj historik për interesat e tij për pushtet dhe me shpresën që në këto zgjedhje vota e shqiptarëve do të lexohet ashtu siç do të hidhet në kutitë e votimit. Në fund, fitoftë ai që do të marrë edhe qoftë vetëm një votë më shumë.
