E Shtunë, 31 Tetor 2026

Votuesit e djathtë të FRD-së dhe votuesit e majtë të AK-së

Kreshnik-Spahiu-Bamir-Topi-foto-noa.al_Nga Eduard Zaloshnja

Sondazhi kombëtar i prezantuar nga IPR Marketing mbrëmë në Ora News, ishte zhvilluar me telefon, dhe si i tillë, ka rrezikun të ketë pasur përqindje të lartë të anketuarish që nuk kanë dashur ta tregojnë preferencën e votës për partitë, nga perceptimi i justifikuar apo jo i ndonjë reprezalje të mundshme. Ndryshe qëndron puna me anketimin me vizita në shtëpi, ku anketuesi mund të krijojë një raport besimi me të anketuarin.

Sipas Dr. Nottos, drejtorit të IPR Marketing, 20% e atyre që janë shprehur me telefon se duan të marrin pjesë në zgjedhje, nuk e kanë përcaktuar preferencën për njërën apo tjetrën parti. Se sa ishin ata që sdeshën ta shprehnin preferencën dhe sa ata që thjesht janë ende të pavendosur, nuk u sqarua nga Dr. Notto, me gjithë insistimin tim si pjesë e panelit të analistëve në studion e Ora News. Megjithatë, le të supozojmë se asnjëri nga të anketuarit ska pasur frikë ta shprehë preferencën dhe i gjithë 20% përbëhet vetëm nga votues të pavendosur.

Nga rezultatet e publikuara nga Dr. Notto, dilte se po të mblidhen votat e koalicionit mazhoritar (44%) plus votat e FRD-së (4.8%) mbërrihet tek shifra 48.8%, që është maksimalja historike e partive që e quajnë veten të djathta, në zgjedhjet e mbajtura nga viti 2001 e këtej. Ndërsa po të mblidhen votat e koalicionit opozitar (46%) plus votat e AK-së (4.8%) mbërrihet tek shifra 50.8%, që është minimalja historike e partive që e quajnë veten të majta, në zgjedhjet e mbajtura nga viti 2001 e këtej.

Duke e neglizhuar efektin e frikës që mund të kenë pasur të anketuarit për të shprehur hapur preferencën e tyre për partitë, rezultatet e publikuara na lënë të kuptojmë atë që është hamendësuar deri më sot nga shumë analistë shumica dërrmuese e votuesve të FRD-së janë votues të djathtë ose të rinj me prejardhje nga familje të djathta, ndërsa shumica dërrmuese e votuesve të AK-së janë votues të majtë ose të rinj me prejardhje nga familje të majta.

Për këtë arsye, të dyja koalicionet, i djathti dhe i majti, do të bëjnë përpjekje që të tërheqin sa më shumë votues të këtyre partive të reja në sinorët tradicionalë. Dhe në këtë përpjekje, koalicioni i djathtë duket se do ta ketë më vështirë.

FRD-ja u themelua që në fillim si një parti e djathtë që synon të sfidojë monopolizimin e pushtetit nga Berisha brenda të djathtës dhe në të gjithë vendin. Ajo ka qenë transparente dhe konsekuente në këtë synim dhe askush nuk mund ta akuzojë për ndonjë axhendë të fshehtë. Përkrahësit e saj të djathtë janë më se të vetëdijshëm që vota për FRD-në është një kontribut për ta dërguar plakun autoritarist Berisha në pension. Dhe për këtë arsye, mendja ta do se skanë pse ta ndërrojnë mendjen deri në ditën e zgjedhjeve. Sidomos në qarqet Tiranë, Durrës e Elbasan, ku duket se FRD-ja ka përkrahjen më të fortë dhe ku votat e saj mund të bëhen përcaktuese për ta pensionuar Berishën.

Ndryshe qëndron çështja me votuesit e majtë të AK-së, të cilët, me votën e tyre, mendojnë se do të kontribuojnë për ta dërguar plakun autoritarist Berisha në pension, por në fakt, falë kodit zgjedhor, mund të kontribuojnë bash për të kundërtën. Dhe kampi i majtë do ta ketë relativisht të lehtë tua bëjë të qartë këtyre votuesve të majtë se çdo votë jashtë kampit opozitar është një votë më shumë për ndejtjen e Berishës edhe 4 vjet në pushtet, pavarësisht nga përbetimet e Kreshnik Spahiut për ta dërguar shtetasin Berisha në burg.

Në fakt, përpjekjet e kampit të majtë duket se kanë filluar t’i japin frytet e para. Kjo dëshmohet nga pamjet e filmuara nga lartësia të tubimit të AK-së në 1 maj, ku priteshin 1 milion kuqezinj dhe erdhën shumë më pak se 2000 (shihni videon në këtë nyje http://www.gazetatema.net/web/2013/05/01/1-milion-kuqezinjte…) Ndërkohë, duhet mbajtur parasysh se anketimi i zhvilluar nga IPR Marketing kishte përfunduar në 30 prill, përpara se të bëhej publik dështimi spektakolar i tubimit të AK-së në 1 maj…

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›