Ndikimi i zgjedhjeve në ekonomi
Nga Kristal Hykaj
Ekspertët e ekonomisë janë të mendimit se gjatë viteve kur në vend janë realizuar zgjedhje, asnjëherë ekonomia nuk ka shënuar trend pozitiv. Zgjedhjet mund të ndikojnë në mënyrë indirekte në pjesën e kërkesë-ofertës. Unë zgjedhjet do ti shihja si gjithë faktorët e tjerë që në momente të caktuara infektojë kërkesë-ofertën dhe pasqyrohen në kursin e këmbimit. Më të kujdesshëm duhet të tregohemi në pjesën psikologjike, edhe pse nuk do të doja që ti trajtoja zgjedhjet si një faktor që do të lëvizë pjesën psikologjike dhe pritshmërive të tregut. Që prej vitit 97 zgjedhjet nuk kanë ndryshuar pritshmëritë psikologjike tek njerëzit. Zgjedhjet do të trajtohen si një çështje e kërkesë-ofertës dhe në këtë këndvështrim do të përshtatej edhe me regjimin fleksibël të kursit të këmbimit, i cili do të ketë ulje dhe ngritje. Për mendimin tim zgjedhjet janë një faktor normal. Qeveria do të shpenzojë aq sa ka fuqi për të shpenzuar dhe fuqia matet me të ardhurat që ajo do të jetë në gjendje për të mbledhur. Deri në momentin që qeveria ka një kufi për të shpenzuar nuk do të ketë ndonjë problem, sepse ajo do të shpenzojë aq sa ka në xhep. Unë nuk i druhem pjesës së kërkesë-ofertës, sesa kërkesës psikologjike.
Zakonisht, janë vitet e zgjedhjeve parlamentare ato që shënojnë sipërmarrje të kushtueshme nga qeveria, por zgjedhjet vendore të këtij viti, për nga rëndësia politike që kanë marrë, kanë arritur të kualifikohen me kosto të lartë buxhetore, me gjithë situatën e vështirë ekonomike në të cilën ndodhet vendi. Siç ka ndodhur edhe në të shkuarën, nga ndërhyrja e qeverisë në ekonomi mund të përkeqësohen tregues të ndryshëm, por inflacioni ka pak gjasa të ndikohet, pavarësisht shifrave të frikshme të këtij fillim-viti
Por, Kryeministri i vendit e vërtetoi këtë mundësi kur njoftoi se brenda 6-mujorit të parë të këtij viti, do të fillojnë punimet për tunelin e Kërrabës, pjesë e rrugës Tiranë-Elbasan. Ky projekt i cili kushton 420 milionë dollarë, është vepra më e shtrenjtë vetëm pas tunelit Rrëshen-Kalimash, që qeveria Berisha ka ndërmarrë që nga ardhja në pushtet në vitin 2005. Si për të sigluar rëndësinë elektorale të këtij projekti, vetë Kryeministri duke folur për 2011-n, deklaroi në një mbledhje të qeverisë, direkt pas njoftimit të këtij investimi vigan se viti i ardhshëm do të jetë viti i fitores së thellë të koalicionit për integrim në zgjedhjet e ardhshme.
Pasoja në ekonomi?
Gjithashtu, Kryeministri ka njoftuar këto ditë se në 6-mujorin e dytë të vitit do të rrisë pagat në nivelin më të lartë që nga viti 2006. Rritja e pagave është tashmë traditë parazgjedhore në Shqipëri, duke mos harruar edhe rastin e fundit, kur para zgjedhjeve parlamentare të 2009-s, Berisha njoftoi rritjen e pagave dhe pensioneve nga 10 deri në 20 për qind.
Nisma të tilla, sipas teorive ekonomike të testuara në vendet në zhvillim, ndikojnë në rritjen e inflacionit. Por, në rastin e Shqipërisë ekspansioni fiskal nuk ka dhënë efektin e pritur në inflacion, sepse vlerësohet që ky ekspansion fiskal të jetë balancuar nga një tkurrje e shpenzimeve private që vjen nga pasiguria,e cila është më e lartë para zgjedhjeve. Shitjet me pakicë tkurren ndjeshëm para zgjedhjeve sepse publiku në përgjithësi percepton pasiguri në lidhje me zhvillimet post-zgjedhore, ndërsa qeveria hedh më shumë para në treg.
Por, situata aktuale është disi më e ndryshme se vitet e tjera zgjedhore. Inflacioni për muajin janar ishte në nivelin 3.3, ndërsa ai i muajit shkurt vjen në rritje, duke u regjistruar në nivelin 4.5. Pra, një fluks parash të hedhura në treg nga ana e qeverisë, këtë herë mund të kishte një ndikim më të fortë se herët e tjera. Por, nga ana tjetër, krahas inflacionit më të lartë parazgjedhor, edhe pasiguria e sektorit privat ka gjasa të jetë më e lartë, duke ndjekur gjuhën kërcënuese të politikës, vrasjet e 21 janarit dhe përballjen e ashpër ndërmjet dy kampeve të mëdha politike deri në ato caqe që do të ngjallnin panik te biznesi.
Ndaj, një inflacion më i lartë, kombinuar me një pasiguri më të madhe, mund të rezultojë në një situatë jo të paparashikuar, nga çka ndodhur në të shkuarën. Në muajin shtator, pas zgjedhjeve të vitit 2009, qeveria e riardhur në pushtet njoftoi kapitullimin financiar përmes bllokimit të 214 milionë eurove investime publike të parashikuara. Në vend të fjalës kapitullim, qeveria zgjodhi një term tjetër, mirëmenaxhim, por fatura finale vazhdoi të dëshmonte se qeverisë i mungonin disa qindra milionë euro në arkë.
Dorëlëshimi parazgjedhor, në fakt shënon edhe rekorde të tjera në zëra që nuk lidhen edhe aq me shpenzimet publike sesa me humbjen publike. Rast domethënës është ai i Korporatës Elektroenergjetike Shqiptare në vitin zgjedhor 2005, kur ndonëse totali i rrymës së hedhur në rrjet ishte më i ulët se një vit më parë, zëri humbje dhe përdorim vetjak rezultoi sa dyfishi i vitit 2004 – 158 mijë Megavat/orë krahasuar me 88 mijë megavat/orë në 2004-n. Ndërsa përdorimi vetjak (i KESH dhe institucioneve të tjera) nuk para kërcen shumë në harkun e një viti, vjedhjet e energjisë rezultojnë se luhaten më bindshëm. Rastësisht, jo shumë kohë pas kësaj ndodhie jo shumë të mirë për financat e KESH-it, erdhi një krizë spektakolare në furnizimin me energji elektrike, nga e cila u goditën jo thjesht konsumatorët në nivel individual, por tërë sektori i biznesit në vend dhe ekonomia në përgjithësi. Siç do të njoftonte më pas edhe FMN, rritja ekonomike ishte cenuar nga mungesat e furnizimit me energji elektrike.
Monedha vendase pritet të ketë tendenca vlerësuese ndaj euros e dollarit edhe në vitin 2013
Ka shume njerëz qe pyesin veten, nëse kursimet e tyre ti kthejnë në lekë apo ti mbajnë në dollarë apo euro?! Biznesi mbetet i shqetësuar, sesi do të jetë ecuria e kursit të këmbimit të valutave me lekun, si dhe cilat janë parashikimet e ekspertëve të huaj dhe shqiptarë. Që në ditët e para të këtij viti, shumë ekspertë me laps në dorë janë duke kryer llogaritje, duke analizuar faktorët, si dhe duke parë lëvizjen e kursit ndërkombëtar për të parashikuar sadopak ecurinë e këmbimit të valutave në vend.
Po vlerësimi i lekut sa ka ndikuar në inflacion?
Efekti i vlerësimit të monedhës vendase tek inflacioni është i madh, sepse po të shikojmë pjesën e shportës dhe pjesën e konsumit, mallrat që ne konsumojmë vijnë nga jashtë. Kosto më e ulët e mallrave bën që edhe inflacioni të jetë më i favorshëm. Ndikimi i kursit të këmbimit ka qenë mjaft i ndjeshëm tek pjesa e inflacionit në drejtim të inflacionit të importuar. Sipas Qeverisë, dominues do të jetë ndikimi i ndërtimtarisë, me intensifikimin e investimeve në infrastrukturën rrugore dhe hekurudhore, si dhe atë të energjetikës. Po sipas autoriteteve të Qeverisë, impuls pozitiv pritet të japë dhe realizimi i investimeve të drejtpërdrejta të huaja në zonat zhvillimore industriale. Mirëpo, ekspertët e ekonomisë janë të mendimit se 2013-ta do të sjellë ditët më të vështira në planin ekonomik si pasojë e krizës së përgjithshme ekonomike, e cila këtë vit pritet të reflektohet në Shqipëri.
Eksperienca e deritashme ka dëshmuar se gjatë viteve kur janë realizuar zgjedhjet në Shqipëri, ka pasur ngecje të zhvillimit ekonomik, sepse orientimi i politikave qeveritare në fokus ka vendosur zgjedhjet dhe krijimin e imazhit pozitiv kundrejt elektoratit. Si parametër shpresëdhënës, qeveria numëron dhe subvencionet e vazhdueshme për bujqësinë dhe angazhimin për realizimin e politikave që prodhimet vendore të dalin në tregjet evropiane.