Shërbim apo turpërim?
Nga Hardi Gurga
Stina e verës është një stinë që të gjithë e duam e mezi e presim, por ato që janë tërë sy e veshë nga kjo stinë janë pronarët e bizneseve turistike (hoteleve, restoranteve, bareve, e diskotekave). Këta zonja ose zotërinj që posedojnë këto biznese turistike mjaft fitimprurëse janë tipikë në llojin e tyre, pa dashur të ofendoj asnjë. Është e vërtetë që turizmi është e ardhmja e këtij vendi, por ama për një të ardhme duhet punuar, për një të ardhme të mire duhen specialistë të mirë jo kamikazë të mirë. Në këto ditë që stina e verës po na troket për mos të thënë që tashme ka trokitur, të gjithë ato persona që disponojnë këto biznese turistike bëjnë çmos të vënë në sytë e turistëve, dhe të klientëve diçka të re, diçka që ata nuk e kanë parë. Një ambient të ri, një pamje të re, diçka unike e thënë më thjeshtë. Nuk është për tu mohuar që disa persona ja arrijnë shumë mirë qëllimit të rinovimit ose të hapjes së një biznesi turistik siç mund të jetë një bar ose restorant,por mos vallë turistët janë të kënaqur vetëm me kaq? Në Shqipëri ka shumë biznese e shumica janë të fokusuara në fushën e shërbimeve, në shërbimet turistike,por ama si i kryejnë këto shërbime, e kanë të qartë rolin që kanë marrë përsipër që në momentin kur kane hapur një biznes të tillë. Restorantet e baret janë shtuar këto vitet e fundit si kërpudhat pas shiut, në Shqipëri çdo 5 metra gjen një bar, e në çdo 50 metra gjen një restorant ose të paktën kështu është quajtur në tabelën e vënë nga i zoti, mundësisht me disa yje të bëra me porosi nga vetë pronari. Por të lind një pyetje që është më se normale, SI REZISTOJNE TE GJITHA KETO BIZNESE TE NJEJTA NE NJE AFESI KAQ TE NGUSHTE E ME NJE CILESI KAQ UNIKE ?
Që në momentin që ti shikon disa emra mjaft abstrakte në emërtimet që i vëne bizneseve të tyre të vjen me të vërtetë shumë keq, por nuk është aty problem i me i madh, ajo çka është një problem me madhështor në këto struktura është shërbimi që ofrojnë, është mënyra sesi ajo çka ata ofrojnë i shërbehet klienti, sesi i ofrohet atij për të cilin janë krijuar këto biznese, atij prej të cilit këto biznese për fat të keq ekzistojnë. Është për të ardhur shumë keq kur shikon një restorant ose bar shumë të bukur e shumë madhështor, por kur hyn brenda e akomodohesh në ambientet e tyre në ato çaste stafi i shërbimit është ai që përballet me ty i pari pas pamjes mjaft tërheqëse të godinës. Të quajturit staf shërbimi janë disa djem ose vajza të marre nga njohje familjare ose nga ndonjë djalë i thjeshtë dhe pa asnjë kulture profesionale ne lidhje me këtë profesion që i është përgjigjur njoftimit madhështor që vihet tek dera e barit ose e restorantit. Një biznes me një vlerë shumë të paimagjinueshme e me një shërbim që është në tokë është i barabartë me një shtëpi pa mure, qe nuk di ku është ndryshimi,nëse je jashtë apo brenda. Në këto restorante ose bare ofrojnë shërbim disa djem ose vajza që me të vërtetë është për të të ardhur shumë keq nga injoranca profesionale që i karakterizon. Kur të gjithë shkojmë në një ambient të tillë dalim nga shtëpia me qëllimin të relaksohemi e të çlodhemi, por si mund të çlodhesh nëse ti sapo shkon në një bar ose restorant të del përpara një djalë ose vajzë që të hedh një shikim sikur i ke hyre në pronën e tij private pa dashje? Por nuk mbaron me kaq, sapo ulesh në tavolinën që ti dëshiron,habitesh nga bukuria e nga idetë e mrekullueshme që ka pasur pronari i këtij biznesi, por një ide tepër fantastike është të kesh në ambientet e një bari edhe një klloun cirku. Por jo gabohemi nuk janë kllounë por janë të quajturit kamerierë të veshur me një veshje që as në gjumë nuk mund të pranohet. Përveç veshjes disa elementë të tjerë të thellojnë më shumë mendimin që ti mos të vish më kurrë në këtë ambient, janë disa elemente që bien fare lehtë në sy, kur kamerieri të afrohet për të marrë porosinë as të përshëndet por me një shprehje rrugësh të drejtohet: ça do morësh, sikur të jesh rritur me atë person, e mos të mjaftonte kjo porosia vjen pas disa minutash të mira, ndjehesh me fat që të vjen, por kur të vjen gjysma-gjysma, do shumë fat të jete ajo çka ti vetë ke porositur, kur të vjen porosia nga një dorë gjithë lesh dhe plot tatuazhe e bizhuteri, e të kalon para syve, ajo është dora e kamarierit, e kamarierit që ty sapo te solli në tavolinë porosinë tënde, duke ta përplasur në tavolinë me një zhurmë therëse.
Me këto individë të tillë që ngjajnë si njerëz të egër dëshirojnë këto pronarë që të marrin fitime maksimale dhe të kenë një të ardhme sa me të gjatë për biznesin e tyre? Ndërsa për këta djem e vajza që duan të bëjnë një shërbim ose i detyrojnë të bëjnë këtë shërbim ashtu siç e bëjnë në mënyrën sa me skandaloze të mundshme, do doja të shtroja dy pyetje që përgjigjen jam më se i sigurt që shumë prej jush nuk e dinë, edhe ato që e dinë në teori nuk e realizojnë në praktikë. Si i shërbehet një mbreti? A e dinë vallë çfarë është një klient?