E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kur takohen dy krizat

>Nga Xheladin ÇELMETA
Është meritë e vetë shqiptarëve (jo e qeverive që kanë kaluar), që Shqipëria është kjo që është sot. Vetëm energjitë e këtij populli, të goditur keqazi nga një super-krizë, si ajo e 97-tës, mund të demonstronin këtë shpirt ringjalljeje prej Feniksi. Kjo është e vërteta që nuk do koment.  Por, ndërkohë, edhe pse kështu, një lloj dyzimi sikur të vërtitet gjithnjë në mendje teksa konstaton; nga njëra anë paprodhueshmërinë reale të politikës në këto vite, dhe nga ana tjetër investimin e jashtëzakonshëm, bruto, pa plan, të bërë në këtë vend. Pamja e Shqipërisë, qoftë ajo e sjellë nga kamerat televizive, qoftë ajo e Google Earth-it, apo tjetra e soditur drejtpërsëdrejti, sikur të gëzon dhe të trishton njëherazi. Pikërisht këtu keqardhja bëhet therëse: Ëndrra e shqiptarëve për një jetë alla evropiane krijoi dëshpërimisht blloqe shtëpish a vilash në periferi, (të palegalizuara) të tilla si; Shkallnueri, Divjaka, Golemi, Spilleja, etj, etj. Ndërtime luksoze, marramendëse. Një fantazi e ushqyer nga epshi i pasurimit krijoi parajsa si këto, të pakuptimta, në të cilat banorë realë mund të jenë ose një çift pleqsh, ose një roje i paguar, që ecën i vetëm mes qytezës-fantazëm, ku mungon zhurmnaja e natyrshme njerëzore. Mos pyet kot për djemtë e burrat se ku janë. Dihet; në emigracion. Fraza është një retorikë që të shoqëron kudo, nga veriu në jug. Kriza! Gjithnjë e më shumë kjo fjalë po shqiptohet në gazeta, televizione e muhabete kafenesh.
Madje, tani gati dhe çdo fshatar e di përmbajtjen reale të këtij fenomeni, i cili që në shqiptim të krijon ndjesinë e ntrashjes së gjuhës, në rastet kur përtypim diçka që sna josh. As më naivi nuk e beson se, meqë jemi vend i vogël, vend në zhvillim, e të tjera, e të tjera fraza të mezi-gjetura ekonomistësh a sociologësh, kriza globale nuk do të na prekë.  Uragani, kur kalon nuk do tja dijë në je o vogël, apo i madh, por merr përpara gjithçka... Më la pa mend opinioni i një të riu emigrant, teksa po bisedonim për shanset e reja që do të na ofronte legalizimi i vizave, duke marrë si të mirëqenë, së paku  atë që thotë Evropa se do na pranojë së afërmi në gjirin e saj. Aq më keq për ne, u shpreh djaloshi durrsak, i sapokthyer nga Italia.
Atëherë do të bjerë vlera e krahut të punës dhe ne nuk e dimë me se do merremi. Tjetër moment: Lajmet shqip nga Anglia sollën këto ditë një tjetër ogur jo të mirë për të mos thënë dëshpërues: Shumë shqiptarë në Londër po blejnë shtëpi atje, pasi nuk shpresojnë se situata në Shqipëri do të jetë më e mirë nga çështë. Po kështu edhe në Itali e Greqi...Fare shqip, kjo situatë e ka emrin humbje shprese...Tani, mbas mbi një dekade e gjysmë demokraci, sikur e kemi harruar fjalën tranzicion. Rrallë e më rrallë e përdorin folësit televizivë.... Ndoshta nga që u mërzitën duke e theksuar e ritheksuar, ndoshta ngaqë tani pas 18 vjetësh ajo nuk ka më kurrfarë kuptimi. Thuaj krizë, thuaj tranzicion, e çndryshim ka?!. Mbi një dekadë e ca, kemi mbetur ende tek togfjalëshi ujë-drita. Uji, po dihet: me orar. Kurse dritat, dhe në mos na mungofshin, (se ujin e hidrocentraleve fatmirësisht në këto dimrat e fundit na e ka dhuruar Zoti pa kursim, e skemi gojë të qahemi), na vijnë me një tension aq të dobët, sa llambës elektrike vetëm sa i skuqet filamenti.
Dru për ngrohje, po dihet që ska më, por sna dalkan qindarkat as për tu ngrohur me gaz!?.  Dilni pak në periferi zotërinj të zgjedhur; deputetë e qeveritarë. Fëmijët tanë, gati sa spërplasin kokën mbi tryezë, kur bëjnë detyrat çdo darkë, ngaqë mezi dallojnë vizat e fletores. Qirinjtë sguxojmë ti heqim nga një qoshk ku i kemi lënë, se ku i dihet(?!). Rituali i fikjes së dritave mund të përsëritet shpesh dhe kjo gjë përsëri tek ne quhet diçka...normale. Ndërsa, para dy vjetësh, në një shtet evropian, vetëm për një black-out të pavullnetshëm energjetik, gati sa nuk iku një qeveri e tërë...Jemi në një pozitë aq diskrete, sa nuk dimë çtë bëjmë; të qeshim apo të qajmë. Të lëvdojmë qeveritë, (që janë aq të prirura për tu vetëlavdëruar, sa nga zelli i dashurisë për popullin, gati sa sthonë se për ju shpikëm...celularin), apo të kompozojmë një këngë të re për krizën tonë shqiptare dhe me të shkojmë në...votime?! Amen!
Last Updated on Thursday, 08 January 2009 13:47

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›