Ministria e Mbrojtjes: Pakujdesia njerëzore shkaktoi incidentin
/>Shpërthimi i ndodhur në Poliçan, me një të vdekur e një të plagosur, ka detyruar Ministrinë e Mbrojtjes që të reagojë. Gjatë një konference për shtyp të pak orëve pas ngjarjes, zëdhënësja për shtyp e kësaj ministrie, Albana Mustafaraj është shprehur se incidenti në Poliçan ka ndodhur si pakujdesi njerëzore.
Ministria e Mbrojtjes njofton se ky aksident nuk ka ndodhur si shkak i kryerjes së procesit të demontimit të djegoreve në repartin përkatës, por jashtë tij si shkak i një pakujdesie të treguar në ambientet e Kombinatit duke mos respektuar rregullat e sigurimit teknik në punë, ka bërë të ditur Mustafaraj, sipas së cilës jashtë ambienteve të repartit të poligonit, 6 punonjësit e këtij reparti përpara se të nisnin punën, kanë ndezur një zjarr për tu ngrohur përbri murit të poligonit të provave poligonale të fishekut. Për ndezjen e këtij zjarri ata kanë përdorur mbeturina të ambalazheve të djegoreve dhe si shkak i këtij zjarri një element i një gote të djegores të kalibrit 57 mm ka shpërthyer, duke goditur rëndë punonjësen Kapxhiu në kokë, në pjesën anësore të saj. Kjo e fundit është shoqëruar menjëherë drejt spitalit të Poliçanit por ka gjetur vdekjen gjatë rrugës. Ndërkaq, sipas informacioneve nga drejtoria e Kombinatit të Poliçanit në këtë repart kryhej që prej vitit 2004, çmontimi i djegoreve të shtimjeve të kalibrit 57 mm. Ky proces kryhej nga punonjësit Krenar Hysi (përgjegjës poligoni), Luan Koroni, Suzana Kapxhiu, Burbuqe Sulçe, Adriatik Hysenbelliu dhe Edmond Lulaj. Të gjithë punonjësit prej një muaji ishin duke pastruar të gjithë territorin nga mbeturinat e këtij demontimi. Ndërsa ky proces kryhej prej 4 vitesh, këta punonjës kanë pasur një eksperiencë prej 15 vitesh në këtë lloj pune.