E Shtunë, 31 Tetor 2026

Vlerësimi i një kundërzogisti për Monarkinë

16-10-2012 / Nga Kostaq Xoxa

Qyshkur kam pas lexuar, vite e vite më parë, një shkrim për çështje sportive nga Besnik Dizdari, më kanë bërë përshtypje veçanërisht dy gjëra thelbësore: kompetenca në trajtimin e argumenteve dhe njohja e mirë e standardit të shqipes së njësuar. Ky shkrim i Dizdarit është botuar një javë më parë dhe gjendet edhe në faqet e internetit, përveçse i botuar në njërën nga të përditshmet tona. Çdo shkrim të këtij autori e kam ndjekur me vëmendje. Gjuha jonë e njësuar, së pari nuk pranon fjalët e huaja të zëvendësueshme dhe, së dyti, kërkon respektimin e të gjitha fjalëve sipas standardit të kodifikuar, gjersa të bëhet një Kongres gjuhësor ose një Konferencë Kombëtare gjuhësore, që të caktojë të gjitha ndryshimet e nevojshme, në përkitje me evoluimin e natyrshëm që gjuhët, në përgjithësi, pësojnë gjatë dhjtëvjeçarësh. Neologjizmat mund të krijohen vetëm nga leksikografë të specializuar dhe nga shkrimtarë të mëdhenj. Dizdari mund ta pranonte fjalën “start” në garat e vrapit, por ka qenë kundër shpërdorimit në shndërrimet në folje,  gjer në “startova të mbaj shënime”! Nga ana tjetër Dizdari e përdor paskajorën, ashtu siç e përdor edhe gjuhëtari Mehmet Elezi, i cili i urren fjalët e huaja, duke arritur gjer në puritanizëm, veçanërisht në veprat letrare. Gjuhëtari i fakultetit të gjuhë-letërsisë në shkollën e lartë të Elbasanit, M. Çeliku, bën vetëm një përjashtim: Jo Evropë, por Europë. Themi euro (për monedhën) dhe euroatlantike. Përjashtime të kësaj natyre mund të përligjen.
Nuk e njoh Besnik Dizdarin që të bëja një bisedë, - ndonëse e di mendimin e tij, edhe pa e bërë, - për fjalët e një libri, si botë e ëndërt (353), mjedis i arreduar (352), burim i aksesueshëm (350), zona ekskluzive e fëmijëve para Teatrit të Kukullave, katandisur një shëmbëllim turpesh të kjoskëzuara, godina sharmante (351)... Të gjitha këto, në një periudhë “letrare”, që nis në fillim të faqes 151 dhe mbaron në mes të faqes 352! Është fjala për librin që mezi lexohet, me titullin “Kurban”!
Për herë të parë lexoj një shkrim politik, nga autori që më bënte gjithmonë për vete me gjuhën e tij të përkryer. Për shkak të ruajtjes së përmasave, në kushtet e një shkrimi në gazetë, më duhet që ta shkurtoj së paku në një të tretën e shkrimit. Këtë po e bëj jo pa një bremje të ndërgjegjes, veçse shpresoj të kem ruajtur thelbin. Por më duket një gjë e domosdoshme dhe tepër bindëse për lexuesin tonë që mund të ketë lexuar tituj të tillë të përçartur: “Glorifikimi i Zogut dhe përbuzja e Ismail Qemalit”. Nuk tregohet cili e ka “glorifikuar”. Nuk tregohet as cili e ka zvetënuar të gjithë farefisninë e Ismail Qemalit! Vetëm propagandë retorike (Miku im, Darling Vlora, stërnip i I.Qemal bej Vlorës, tani emigrant në Komo të Italisë, argumenton në një vepër se çka hequr nga diktatura farefisi i Plakut të lavdishëm të Vlorës). Sa për “Glorifikim” të Zogut, ai meriton vetëm të rehabilitohet (nuk e kemi fjalën përgjegjëse në fjalor, për të shmangur të huajën).
***
Së pari, babai i autorit, Gani Dizdari, ka pas qenë kundërzogist. Në vitin 1925, nga drejtor shkolle në Shkodër, Zogu e transferoi mësues të thjeshtë në Plotoren e Vlorës. Vlora, atëherë, kishte 5951 banorë, përkundrejt 23 785 banorë që kishte Shkodra, qyteti më i madh i Shqipërisë. 4 herë më i madh se Vlora, “me Piacën vjeneze aq të hijshme dhe me atë Kafen e Madhe, që të dukej se ishe në Milano”. Në 1928-n Zogu e ktheu prapë në Shkodër dhe gjithnjë ai mbeti atjé vetëm drejtor, madje shumëvjeçar, i shkollës së Parrucës, “që ishte shkolla unike më moderne e Shqipërisë, deri dhe me sallë teatri me lozhë e  me skenë. Mëkat që regjimi komunist e shkatërroi krejt! Im atë mbeti, megjithatë, kundërzogist, natyrisht pa ndonjë veprimtari, përjashtó një përpjekje për themelimin e një shoqërie jomonarkiste, ndoshta disi socialdemokrate, së bashku me Salo Halilin, Migjenin, Skënder Luarasin, Teufik Gjylin, e të tjerë. Nga ana e tij, Gani Dizdari, nuk u bë kurrë komunist, madje edhe kur ia propozuan, si antifashist, i burgosur prej fashistëve. Pas luftës qé mbështetës i madh i reformës arsimore të regjimit komunist, i cili e bëri edhe përgjegjës të Seksionit të Arsimit.
E bëra këtë hyrje, si në një histori krahasuese, sa për ta futur paksa lexuesin e ri në mjedisin e atij që komunistët shqiptarë e quajnë regjimi zogollian, si dhe për të treguar se autori i shkrimit nuk është një fanatik i Ahmet Zogut, édhe për traditë familjare. Pra, nuk më pëlqen assesi që të merrem me mbrojtjen e Zogut. Autori i shkrimit është një specialist i sportit dhe një gazetar.
E dini që kryesisht jam një gazetar sportiv, por jam njëkohësisht edhe gazetar, që e ndjen si detyrë atdhetare që historia të shkruhet pa rrena. Në fushën time këtë detyrim e kam kryer më së miri (Po të doni mos më quani modest). Kam vënë në vend historinë sportive të Shqipërisë, themelimet e mëdha të sportit shqiptar, të gjitha të realizuara për herë të parë nga Mbretëria e Zogut I. Por kam evidentuar realizimet e mëpastajme me vlerë të regjimit komunist, në fushën e sporteve. Çka vazhdoj ta bëj ende. Ajo që më shqetëson quhet Shqipëri: është egërsia, urrejtja, shfrenimi, inati, njëanshmëria, pavërtetësia me të cilat një grup shkruesish, apo “historianësh” politikë, synojnë ta futin periudhën e Zogut njëqind pashë nën dhé. Si provë e njëanshmërisë së shfrenuar është se kush e prin këtë fushatë. Janë ose pasardhës të familjeve klasike komuniste, ose “historianë” politikë që kanë “punuar” në komunizëm. Këtë “neokundërzogizëm” shfaqin përmes gjykimit enverian. Që thotë se “Zogu iku, se Zogu mori arin, se Zogu tradhtoi Shqipërinë, se Zogu vrau atdhetarë”. Pa qenë të zotë të provojnë imtësisht, historikisht, dokumentisht, arkivisht, objektivisht, shkencërisht. Me një fjalë, e dënojnë duke përsëritur dënimin që i ka bërë Partia, me terminologjinë dhe me përcaktime aprioristike të librave të shkollës së periudhës 1945-1991(...). Kur bie fjala për udhëheqësit komunistë të PPSH-së, thonë se “janë personazhe komplekse dhe duhet t’i shohim me të mirat e me të këqijat e tyre”, ata janë 50 për qind të këqij, 50 për qind të mirë”. Ndërsa Zogu 100 për qind i keq! Më kujtohet Viktor Hygoi: “Atë çka shpik përralla, shpeshherë historia e riprodhon”. Në Shqipëri, historinë regjimi e bëri  si desh vetë. Dhe as tani nuk duan t’i lëvizin presjen “historianët” politikë të tij (...). Një pjesë e tyre, edukatën e formimit ua rrënjosi edhe një shkollë tjetër, ajo e familjes klasike apo tradicionale komuniste. Ndërsa historiani i Partisë, dihet se gjithë këtë e ka edhe formim vetjak shumëvjeçar. Nxiton e bën libër gjoja për Luftën Italo – Greke dhe krejt synimin e ka me nxjerrë detyrimisht tradhtarë Ernest Koliqin e Mustafa Krujën. Edhe mbas 20 vjetëve i kërkojnë ndihmë gjykimit enverian për Ahmet Zogun… Kur kam qenë njëherë në Bullgari, kam parë në mes të Sofjes statujën e Aleksandrit II, Carit të Rusisë që, për çudi, nuk e kishte prishur as regjimi i Teodor Zhivkovit. I thashë një kolegut bullgar: “Si ka mundësi Carin e Rusisë monument?”. Ai vuri buzën në gaz dhe më tha: “Ai ka bërë për Bullgarinë”. Këto ditë se si m’u kujtua Mbreti Boris III i Bullgarisë, i cili qé në krah të Hitlerit gjatë L. II B: dhe mendova se si ka mundësi që i biri, Mbreti Simeoni II, u bë Kryeministër i Bullgarisë demokratike nga 2001-shi deri më 2005-n! Çudi si e ka pranuar NATO-ja Bullgarinë qysh më 2004-n dhe Bashkimi Europian qysh më 2007-n!”. Autori përmend, më tej librin e Bernard Fisxher-it “Mbreti Zog dhe përpjekja për stabilitet në Shqipëri”. Por historianët politikë nuk shprehen as për titullin që do të dëshironin të ishte “Mbreti Zog dhe përpjekja për jostabilitet në Shqipëri”!.
“Sa vrasje politike ka në periudhën e Mbretërisë të Zogut? ... Kësaj radhe nuk do të vë shifrat.. Po jap një shifër tjetër. Vetëm në periudhën 1975 -1982 regjimi i Enver Hoxhës, pushkatoi, pa asnjë faj, tetë qeveritarë: Beqir Ballukun, Abdyl Këllezin, Koço Theodhosin, Llambi Ziçishtin, Petrit Dumen, Hito Çakon, Kadri Hazbiun, Feçor Shehun. Nuk po fus të nëntin, Kryeministrin. Pra, sa një e treta e qeverisë. Nuk po hyjmë në plojën e joqeveritarëve të pushkatuar politikisht apo në atë të dekadave të tjera. Dhe ndodhte plot 30-35 vjet mbas Luftës së Dytë Botërore kur paqja e qetësia mbretëronte në kontinent. Pra, jo në vitet e paqëndrueshme ’20 kur vrasjet politike, për fat të keq, ishin, përveçse hakmarrjeve personale, edhe “raison d ‘état”.
“Dënimet e skajshme më zhurmëmëdha dihet që Mbretëria e Zogut I i ka bërë për shtypjen e kryengritjeve të Fierit (1935) dhe të Delvinës (1937) që deshën të përmbysnin Mbretërinë. E cili regjim apo shtet do të mund të tregohej i butë kur ti don të më përmbysësh, madje me armë në dorë? Ndonëse mjaft interesante është kronika e pasgjyqit të atyre dënimeve kur gati përditë dilte falja për shumicën e të dënuarve. Një prej kryengritësve të Delvinës është dhe djali i tezes i nënës sime (...) Dhe Zogu lejoi që trupin e këtij armiku të betuar të Mbretërisë, fisnik të Gjirokastrës, ta përcjellin me nderim! Ky qé regjimi “gjakatar” i Ahmet Zogut që duan të na e krahasojnë me atë të Enver Hoxhës. Mendoni për një çast se a mund të ndodhte që trupat e qeveritarëve të pushkatuar të 1975-1982-shit të përcilleshin me nderime prej ndokujt për te familjet e tyre? Nuk u dihen ku i kanë eshtrat as sot! Dhe humbën kohë gati përditë me sofizma “historike”, me përsiatje “historianësh” politikë të regjimit që shkoi, me komente gjoja “objektive” këmbë mbi këmbë edhe në studio televizive, të periudhës së Mbretërisë dhe Zogut I, në vend që, nëse e kanë vërtet me kaq gjakim (pasion të zjarrtë) historinë, të ulen e të studiojnë, të zbulojnë, të përimtojnë (të zbërthejnë me imtësi), ta pastrojnë nga rrenat e mandej të gjykojnë”. Por autori do të ishte i një mendjeje t’i bëhej edhe diktatorit një muzé me dhomën e tij të punës, ku ciceroni  të mund të thoshte: “Këtu kishte  firmosur pushkatimet pa fund të shokëve (po i lëmë mënjanë ato të reaksionarëve): E di se do të më përvishen: “Po ti, shoku gazetar, madje kryeredaktor, çfarë bëje asokohe? A nuk shkruaje për Partinë dhe Enverin?”. Përgjigjja ime është: pa dyshim, jemi fajtorë edhe ne gazetarët, qoftë dhe ne gazetarët sportivë, natyrisht”.Krushovit i thanë:  “Po ti, shoku Hrushov, ç’bëje aso kohe?”. “Kush foli?”, pyeti me rreptësi Hrushovi. Bolsheviku “i guximshëm” i sallës u struk pa bëzâ, pa pasur guximin për t’u shfaqur. Hrushovi tha, me buzën në gaz: “Unë bëja atë që po bën ti tani. Pra, nuk guxoja”. “Errare humanum est, perseverare diabolicum”. (“Me gabue âsht njerëzore, mos me heqë dorë prej gabimit âsht djallëzore”). E pra, si nuk folën e shkruan njëherë gjerë e gjatë këta “historianë” politikë për këto krime, aq më tepër se si bashkëkohës i kanë përjetuar, disa madje edhe krejt për së afërmi? Si nuk bënë një libër për së mbari për këto krime sepse disa prej tyre i kanë njohur fort mirë, në zyra e në familje, në kongrese e në plenume, në salla gjyqi e në mbledhje të organizatës bazë, në labirinte të Sigurimit e në dhoma torturash?
Iu vjen më për mbarë të merren vetëm me Ahmet Zogun 100, për qind i keq. Mënyrë e shkëlqyeshme për të harruar Enver Hoxhën, këtë “personazh kompleks, 50 për qind i keq dhe 50 për qind i mirë!”.

...

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›