E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kur u anëtarësuat?

Lidhja Demokratike e Kosovës ka festuar të shtunën anëtarësimin në forumin e partive popullore europiane. Për anëtarësimin në këtë grup të partive ky subjekt kishte njoftuar edhe para 4 vitesh. Por, Lutfi Haziri thotë se më 2008 anëtarësimi ishte bllokuar nga DSS i Vojislav Kostunicës.

Lidhja Demokratike e Kosovës brenda katër vitesh ka dërguar dy njoftime të njëjta se është anëtarësuar si anëtare vëzhguese në Forumin e Partive Popullore Europiane (PPE).

Herën e parë këtë e ka bërë më 17 shtator të vitit 2008, ku thuhej se Byroja Politike e Partive Popullore Europiane ka pranuar partinë që ishte nën udhëheqjen e Fatmir Sejdiut në gjirin e saj.

E njoftimi i dytë është dërguar nga Bukureshti më datën 16 të këtij muaji.

E për pranimin e LDK’së në PPE, të shtunën, Lideri aktual i LDK’së, Isa Mustafa ka organizuar një ceremoni festive.

Nga dy njoftime brenda një periudhe katërvjeçare del se LDK është pranuar dy herë në të njëjtën organizatë të partive të djathta europiane.

Njoftimi i publikuar në vjeshtën e vitit 2008 ishte publikuar në të gjitha mediat e Kosovës, të cilat kishin cituar komunikatën e LDK’së për pranim në PPE.

“Byroja Politike e Partisë Popullore të Evropës (EPP) ka pranuar Lidhjen Demokratike të Kosovës (LDK) si anëtare vëzhguese të kësaj organizate politike. Vendimi i Byrosë Politike të Partisë Popullore të Europës është marrë të mërkurën në Bruksel”, ishte njoftuar në shtator të vitit 2008.

Por, cila është e vërteta rreth këtyre njoftimeve të LDK’së?

Anëtari i Kryesisë aktuale të LDK’së, Lutfi Haziri thotë se njoftimi i parë i Partisë i publikuar para katër vitesh ka qenë i parakohshëm, pasi atëherë nuk kanë përfunduar të gjitha procedurat e pranimit në PPE.

“Komunikata e atëhershme u kanë e para kohës”, ka sqaruar Haziri për Express, të premten.

Në fakt, Haziri thotë se në vitin 2008 pranimi i LDK’së në PPE është bllokuar nga Partia e Vojislav Kostunicës, e cila në atë kohë ka qenë pjesë e partive popullore dhe një parti qipirote.

“Është llogaritur se kur të votohet në Komitetin Drejtues është kryer, por nuk ka kaluar votimi në proces. E ka bllokuar DSS i Kostunicës dhe një parti qipriote”, ka shtuar ai.

Sipas Hazirit, procesi tash është qartësuar dhe partia më e madhe opozitare në vend tani është bërë anëtare vëzhguese në PPE.

“Ne jemi anëtarë vëzhgues me të drejta të plotë të votës. Të gjitha vendimet që kanë të bëjnë me vendet anëtare të BE’së ne nuk mund të votojmë sepse nuk jemi anëtarë të BE’së”, ka shtuar ai.

Ndërkohë, njëri prej përgjegjësve të LDK’së që tash nuk është në organet partiake ka thënë se pranimi ka ndodhur në 2007, por se nuk janë përfunduar të gjitha procedurat.

“Pranimi është bërë qysh atëherë, por njerëzit e ngarkuar nga LDK për të kryer të gjitha procedurat i ka lënë në gjysmë pa dijen e shefave. Është dashur të riaplikohet”, ka thënë ai.

Ndërkohë, ish-Nënkryetari i LDK’së në vitin 2008, Eqrem Kryeziu, që ka udhëhequr partinë në mungesë të kryetarit, ka thënë se njoftimi i vitit 2008 se LDK është bërë anëtare e PPE nuk ka qenë i vërtetë.

“Nuk ka qenë kjo e vërtetë asnjëherë në partinë tonë. Qysh ka dal ajo komunikatë mund të pyesësh zyrtarët që janë marrë në raportet me jashtë LDK’së. Ne kurrë nuk kemi thënë se jemi anëtarë vëzhgues. Tash jemi anëtarë vëzhgues. Kështu janë etapat”, ka thënë Kryeziu për Express, të shtunën.

“Ne e kemi ditë që nuk jemi anëtarë, se kush e ka lëshuar atë komunikatë, unë s’po di asnjëherë nuk kemi pas iluzionin që jemi pranuar. Se qysh ka dalë ajo, a është përzier me aplikimin tonë atje ose me ripërtëritjen, s’po di çka me të thënë tjetër”, ka deklaruar Kryeziu.

Udhëheqësi i LDK’së, Isa Mustafa po ashtu ka dhënë një version të kësaj historie.

Ai po ashtu nuk ka përmendur se LDK ka qenë ndonjëherë e anëtarësuar në PPE.

”Ju e dini se LDK ka aplikuar për anëtarësim në Partitë Popullore Europiane në nëntor të vitit 2003 dhe kemi ripërtërirë aplikimin në shtator të vitit 2011. Këtë vit ka qenë një mision faktmbledhës i partive popullore europiane i përbërë nga përfaqësuesit e 12 partive. Aty kanë qenë pjesë edhe shtete që nuk e kanë njohur Kosovën”, ka thënë Mustafa.

Sipas tij, faktet se LDK’së është hapur ndaj të rinjve, fermave si dhe reformimi i programit partiak kanë qenë vendimtare për anëtarësim.

“Është vlerësuar se programi i LDK’së ndan vlerat me programet e partive popullore euriopiane në të gjitha pjesët, se statuti i LDK’së afirmon demokracinë e brendshme, zgjedhjeve të rregullta, kemi bashkëpunim me të gjitha partitë popullore”, ka shtuar ai.

Mysafirët e LDK’së

Lideri aktual i LDK’së, Isa Mustafa ka thënë se pranimi i partisë në tij në PPE është sukses edhe për Kosovën.

“Nuk është vetëm një sukses i LDK’së, është një sukses i tërë Kosovës. Ne duhet ta përjetojmë të gjithë sepse do t’i kontribuojë proceseve evropiane”, ka Mustafa në ceremoninë e organizuar në një restorant në periferi të Prishtinës.

E në festën e LDK’së kanë marrë pjesë edhe aktivistë të shoqërisë civile dhe zyrtarë të partive politike.

Në emër të PDK’së, Hajredin Kuçi i ka uruar LDK’së pranimin në PPE duke thënë se kjo është një shenjë e mirë për Kosovën.

Pjesë e takimit ka qenë edhe ish-kryetari i Paritë Reformiste ORA, Veton Surroi, ish-themeluesi i Partisë FER, Ilir Deda, Nënkryetari i LDD’së, Lulzim Zeneli dhe zyrtarë të partive tjera.

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›