Flora e pakënaqur në PDK
Kulmi i arritur në seancën e së enjtes të Kuvendit - ku kryeparlamentari Krasniqi është përplasur me ministrin e Punëve të Brendshme, Bajram Rexhepi, të cilit përpos që nuk ia ka dhënë fjalën në foltore, gjithashtu e ka cilësuar si “ministër rrugaç” - ka bërë që edhe Flora Brovina, njëra nga femrat më me ndikim në PDK të shprehet e pakënaqur me gjendjen në të cilën ndodhet partia më e madhe në vend.
Duke iu bashkuar kritikave të Jakup Krasniqit, dhe të nënkryetarit Fatmir Limaj, Brovina ka thënë se, Partia Demokratike e Kosovës në shumë segmente ka devijuar nga rruga e drejtë.
“Kur flas për PDK-në, flas edhe për shumicën e partive, që kanë nevojë për një demokratizim të brendshëm, dhe një komunikim partiak më të madh në mes të anëtarëve të kryesisë dhe anëtarëve në baza. Kjo vlen edhe për PDK-në”, thotë Brovina , duke shtuar se kjo parti prej se e ka marrë pushtetin i ka harruar strukturat partiake dhe funksionimin në bazë të vendimeve që merr kryesia e partisë. /Zeri/