“Në Mitrovicë po censurohet demokracia”

Kështu u tha të shtunën në Mitrovicë nga zyrtarë të LDK-së, gjatë një konference me gazetarë.
Sadri Ferati, kryetar i LDK-së në Mitrovicë, ka shprehur shqetësimin e tij për, siç ka thënë, mos përmbushjen e premtimeve nga ana e autoriteteve komunale ndaj qytetarëve. Sipas tij, gjatë kontakteve të shumta të anëtarëve të LDK-së me qytetarë, del se ata janë të mashtruar.
“Do të protestojmë për mungesë të demokracisë në komunë. Sa herë që kemi konfirmuar procese të parregullta, gjithmonë na është thënë vazhdojmë tutje, sepse ne i kemi numrat”, ka thënë Ferati, duke shtuar se qëllimi i LDK-së mbetet përkushtimi dhe kontributi i saj pozitiv në të gjitha proceset.
Ai ka pohuar se ka të dhëna të mjaftueshme që dëshmojnë për keqmenaxhim të parasë publike nga ana e pushtetarëve komunalë, punësim të familjarëve nëpër shkolla të ndryshme dhe politizim të gjithçkaje, duke shtuar se të gjitha këto, LDK mund t’i dëshmojë me emra dhe mbiemra, edhe pse nuk ka përmendur, asnjë emër.
“Deri në vitin 2007 për nevoja të institucioneve arsimore janë harxhuar rreth 500 tonë lëndë djegëse, kurse tani harxhohen mbi 1 mijë tonë. Për këtë dhe shumë pyetje tjera nuk kemi marrë asnjëherë përgjigje”, ka thënë Ferati.
Ai, po ashtu, ka thënë se nëpër disa lokalitete të Mitrovicës po ndodhin investime të trefishta, ndërsa ka lokalitete ku nuk investohet asgjë.
Ferati, po gjatë kësaj konference, ka thënë LDK do të angazhohet për politika të mirëfillta zhvillimore, menaxhim të mirë të parasë publike etj., në mënyrë që qytetit të Mitrovicës t’i kthehet jeta normale për qytetarët e saj. /kosovapress/