Kur vetë studentët nuk tregojnë respekt për ambjentet e tyre
Godina e re e Fakultetit Ekonomik të Universitetit “Aleksandër Xhuvani” ka pothuajse një vit që është vënë në funksionim me auditoret e reja për studetntët dhe pedagogët e këtij fakulteti, duke plotësuar ato mangësi dhe mungesa që i kishte ky fakultet në auditore. Ndërtimi i kësaj godine çoi në përmirësimin e kushteve dhe shtimin e auditoreve për t’iu përgjigjur numrit në shtim të studentëve që frekuentojnë Fakultetin e Shkencave Ekonomike të Universitetit “Aleksandër Xhuvani”.
Por kur vitit akademik 2007-2008 po i vjen fundi, e gjen këtë godinë dhe infrastrukturën e saj, të dëmtuar dhe aspak dinnjitoze për auditoret e një universiteti. Në çdo klasë, gjen banka apo karrige të shkruara dhe të zhgarravitura, tabela të zeza të papërdorshme, perde dhe dyer që nuk e kryejnë më funksionin e tyre normal. Kjo gjendje është krijuar si pasojë e papërgjegjshmërisë së vetë studentëve të këtij fakulteti. Disa prej tyre, duke dëmtuar ambjentet ku bëjmë mësim të gjithë, kanë dëshmuar mungesë qytetarie dhe respekti ndaj institucionit ku kalojnë pjesën më të madhe të kohës së tyre.